E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Armatosja e Shqipërisë me MIG-21, “kërcënim” për rusët

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
George C. Uilson
korrespondent i stafit të “Uashington Post”

2 mars 1971 - Kina e Kuqe tashmë prodhon avionë luftarakë Mig-21 dhe disa prej tyre i eksporton drejt Shqipërisë, sipas disa burimeve të informuara. Ky veprim i mençur, vlerësohet nga zyrtarët perëndimorë si provë e qëllimit kinez për të forcuar lidhjet me të vetmin aleat në frontin evropian të Rusisë. Fakti që kinezët po prodhojnë avionë të tipit Mig-21, tregon një progres të ngadaltë, por të qëndrueshëm të armatimit modern. Në të shkuarën ka pasur raporte se Kina prodhonte disa ekzemplarë të luftarakëve rus Mig-21. Por informacioni i ri është se kinezët kanë shkuar përtej kësaj etape dhe kanë nisur prodhimin e këtyre avionëve në masë. Kina ka një kompleks ndërtimi avionësh në Chengtu, rreth 600 milje larg Vietnamit të Veriut dhe rreth 175 milje në veriperëndim të Chungkingut. Të paktën disa ose ndofta të gjithë Mig-21-shët prodhohen atje. Burime ushtarake theksojnë se Mig-21 është një avion luftarak difensiv me largësi qitjeje të shkurtër dhe jo një avion me largësi të madhe qitjeje i prodhuar për të hedhur bomba atomike mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mig-21 ka një rreze luftimi deri në 350 milje. Bombarduesi Vjedull TU-16 , të cilin kinezët kohët e fundit e kanë hedhur në prodhim, është gjithashtu një avion luftarak me largësi qitjeje të shkurtër dhe nuk përbën kërcënim për Amerikën. Rrezja e tij e luftimit është rreth 1500 milje. Prandaj, Kina duket se këto zhvillime në armatim i bën më shumë për të zhvilluar armatimin taktik, se sa ka qëllime strategjike lufte në distanca ndërkontinentale. Megjithatë, progresi i aviacionit kinez, nuk e qetëson Bashkimin Sovjetik, i cili ka 4.200 milje kufij me të zotët e shumicës së këtij territori të diskutueshëm. Kina e ka demonstruar tashmë sofistikimin e saj në teknikën raketore duke lëshuar një satelit dhe po përgatitet të dërgojë në hapësirë edhe një tjetër. Kështu që Bashkimi Sovjetik duhet të marrë në konsideratë edhe raketat me largësi të mesme qitjeje si edhe aviacionin për të llogaritur kërcënimin e fqinjit kinez ndaj tyre. Disa projektues ushtarakë amerikanë, argumentojnë se rritja e fuqisë ushtarake të Kinës, përmirëson perspektivën e një uljeje dypalëshe Lindje-Perëndim të numrit të trupave në frontin e NATO-s. Forca ajrore e Shqipërisë deri tani është furnizuar vetëm me Mig-15, 17 dhe 18. Me një forcë luftuese prej 70 avionësh, Shqipëria nuk mund të quhet një kërcënim ushtarak për forcën ajrore sovjetike. Por psikologjikisht, modernizimi i forcës ajrore shqiptare nga Kina e Kuqe, mund të merret si një kundërpërgjigje ndaj prezencës ruse gjithnjë e në zgjerim në detin Mesdhe. Shqipëria gjendet përballë detit Mesdhe dhe shtrihet mes Greqisë, aleate e NATO-s dhe Jugosllavisë, një shtet komunist i pavarur. Ky vend hyri në Traktatin e Varshavës në vitin 1955 dhe doli përfundimisht në shtator të 1968-ës. Pas pushtimit të Çekosllovakisë nga Rusia në vitin 1968, Jugosllavia u mobilizua menjëherë, një veprim që u interpretua si një demonstrim për Moskën që ajo do të luftonte për pavarësinë e saj. Specialistët e Evropës Lindore thanë se modernizimi afatgjatë i forcës ajrore shqiptare nga Kina e Kuqe, është masë që merret nga nervozizmi në vendet e Ballkanit për qëllimet ushtarake të Rusisë në këtë rajon.
Kina ndërpret ndihmën për ish-aleaten e saj
14 korrik 1978 - Kina ka prishur përfundimisht marrëdhënien e veçantë me Shqipërinë, e ka ndërprerë të gjithë ndihmën ekonomike dhe ushtarake, duke e justifikuar me faktin se ish- aleati i saj ka shpifur, sabotuar dhe kritikuar Republikën Pupullore të Kinës dhe udhëheqësin e saj të fundit, Mao Ce Dun. Me anë të një lajmërimi më 7 korrik të botuar nga Agjencia e Re Kineze e Lajmeve, Kina njoftoi se do të rikthente në vend të gjithë ekspertët teknikë nga Shqipëria, vendi i vetëm aleat i saj në Evropë. Këto 24 vitet e fundit, në bazë të të dhënave, Kina ka dërguar në Shqipëri 5 miliardë dollarë amerikanë ndihmë. Lajmërimi akuzonte shqiptarët se kishin keqadministruar me qëllim një rafineri vaji për të shkaktuar një shpërthim që do të vinte në vështirësi projektuesit kinezë të saj. Nga ana tjetër, Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATA), e denoncoi vendimin e Kinës si “të njëanshëm dhe arbitrar...një hap i ndërmarrë me qëllim për të përkeqësuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve”. Në dy vitet e fundit, Shqipëria ka qenë një kritikuese e spastrimeve nga Pekini të udhëheqësve radikalë kinezë dhe e faktit që Kina ka përmirësuar ndjeshëm marrëdhëniet me fqinjin e saj rival, Jugosllavinë. Ndërprerja e ndihmës ndaj Shqipërisë, është dhe hapi i dytë i ndërmarrë nga Kina këto ditët e fundit. Republika Popullore ndërpreu dhe tërhoqi të gjithë ndihmat dhe këshilltarët nga Vietnami, një ish-aleat i saj.
Rusët e parashikuan spostimin me Shqipërinë
Miqësia sovjetike me Shqipërinë do të kthehet përsëri një ditë, pavarësisht “intrigave nga forcat armiqësore”, deklaruan së fundmi sovjetikët. Gazeta qeveritare ruse “Izvestia”, shkroi një artikull për shtrirjen e fundit të dorës nga sovjetikët për të kthyer edhe një herë marrëdhëniet Moskë-Tiranë, prishur në vitin 1961, kur shqiptarët u spostuan pa kompromis në krah të Kinës në luftën mes superfuqive botërore komuniste. “Populli sovjetik shpreh bindjen e thellë se në kundërshtim me intrigat e forcave armiqësore, miqësia sovjeto-shqiptare në fund do të triumfojë dhe populli shqiptar do të zërë përsëri një vend të vlefshëm mes vendeve socialiste”, - shkruan Izvestia.

24 prill 1951
Aviacioni shqiptar feston sot
58-vjetorin e krijimit
Aviacioni Luftarak Shqiptar feston sot 58- vjetorin e tij. Ai është krijuar pas Luftës së Dytë Botërore më 24 prill 1951. Më 14 shkurt 1947 është krijuar kompania e VAIN-it për vrojtimin e hapësirës ajrore dhe informimin për objektet e zbuluara. Grupimi i parë i avionëve luftarakë është bërë në Tiranë në vitin 1951, ku bënin pjesë avionë PO-2 dhe JAK-18. Ndërsa reparti i parë i Aviacionit Reaktiv është krijuar në vitin 1955, në Kuçovë, dhe kishte në përbërje të tij avionë MIG-15. Dy vjet më vonë u krijua Reparti i Transportit Ushtarak në Tiranë. Në vitin 1962 mori jetë Regjimenti i Aviacionit në Rinas, i cili kishte në përbërjen e tij një skuadrilje me avionë MIG-19 dhe një skuadrilje me avionë MIG-17. Po në vitin 1962 krijohet edhe Shkolla e Aviacionit. Pesë vite më vonë (1967) krijohet Regjimenti i Helikopterëve. Në vitin 1974 krijohet Regjimenti i Gjadrit, i cili ishte i pajisur me avionë MIG-21 dhe MIG-19, përveç disa avionëve mësimorë MIG-17 e MIG-15 për trajnim. Në vitet 70 Aviacioni Luftarak kishte në eficencë të plotë mbi 70 avionë MIG-19 dhe 12 avionë MIG-21, një skuadrilje luftarake me MIG-17 dhe shumë avionë luftarakë-mësimorë të tipit MIG-15. Në Shkollën e Lartë të Aviacionit në Vlorë, veç avionëve reaktivë MIG-15, kishte gjithashtu edhe dy skuadrilje me avionë me helikë JAK-81, të cilët shërbenin për përgatitjen e pilotëve në vitin e parë të kualifikimit si pilot. Në Regjimentin e Rinasit kishte edhe një avion bombardues të lehtë tip IL-28. Sot aviacioni shqiptar ka pushuar se ekzistuari. Pothuajse i gjithë arsenali i mjeteve të fluturimit, tashmë të vjetra, si relike të një kohe të shkuar, janë lënë në harresë ... sikundër edhe plejada e atyre pilotëve të shkëlqyer shqiptarë.
Ky lajm është publikuar: 24/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›