E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjenevë, Anan: Bota do të jetë përgjegjëse për Sirinë

I dërguari ndërkombëtar për Sirinë, Kofi Anan, u ka tërhequr sot vërejtjen fuqive botërore se do të jenë pjesërisht përgjegjëse për më tepër vrasje në Siri, nëse ato dështojnë të pajtohen se si ta përfundojnë konfliktin 16 mujor në Siri.

Duke folur sot në hapje të takimit ndërkombëtar për Sirinë në Gjenevë të Zvicrës, zoti Anan theksoi se historia mund t`i gjykoj fuqitë botërore “ashpër” nëse ato dështojnë të krijojnë një dalje të besueshme nga kriza.

Takimi është hapur përkundër mospajtimeve të ashpra ndërmjet fuqive perëndimore, në njërën anë, dhe Rusisë e Kinës, në anën tjetër.

Fuqitë perëndimore dëshirojnë që presidenti Bashar al-Asad të largohet nga posti, si pjesë e procesit të tranzicionit, ndërsa mbështetësit opozitarë do të merrnin rol politik.

Rusia, aleati kryesor i presidentit Asad, tha se e kundërshton çfarëdo plani të tranzicionit, i cili do t`i imponohej Sirisë nga forcat e jashtme.

Më herët Sekretari i jashtëm britanik Uilliem Hejg, duke folur para gazetarëve në Gjenevë kërkoi nga Rusia dhe Kina që të pajtohen me fuqitë perëndimore, për planin e tranzicionit politik në Siri.

Zoti Hejg tha se fuqitë perëndimore dëshirojnë që presidenti Bashar al-Asad të largohet, si pjesë e marrëveshjes për procesin e tranzicionit politik në Siri.

Nga ana tjetër Aktivistët sirianë raportuan se së paku 16 vetë janë vrarë gjatë ditës së sotme nga dhuna në Siri.

Vëzhgimi Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër tha se vrasjet ishin pasojë e hedhjes së predhave nga ana e forcave qeveritare dhe nga përleshjet e ushtrisë me pjesëtarët kryengritës të Ushtrisë së Lirë Siriane, në bazat e opozitës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›