Kundërpërgjigjet Ministri Rexhepi: Iluzionet e Daçiç

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se deklaratat mandatarit për formimin e qeverisë së re të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili kishte deklaruar se do të angazhohet për kthimin e forcave serbe të sigurisë në Kosovë, nuk janë asgjë tjetër, pos, siç i quajti ai, fontanë dëshirash.
“Ajo çka është deklaruar është fontanë dëshirash edhe iluzion i Daçiç - këtë mund ta them shkurt”, deklaroi për Radio Evropa e Lirë ministri Rexhepi.
Këtë deklaratë Daçiç e kishte bërë një ditë pas kremtes së Vidovdanit ose Betejës Mesjetare të Kosovës, ku u shënuan disa incidente ndërmjet serbëve të ardhur nga Serbia, dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Daçiç, para se të marrë mandatin për formimin e qeverisë së re në Serbi, ka ushtruar postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme.