E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga po shkon Turqia?



Turqia është përfshirë nga sulmet terroriste dhe pasiguria politike e ekonomike. Partia në pushtet rrezikon të shpallet e jashtëligjshme dhe drejtuesve kryesor të shtetit mund tu ndalohet marrja me politikë. Numri i viktimave nga dy shpërthimet me bomba që ndodhën në Stamboll arriti në 17, pasi një numër të plagosurish humbën jetën në spital.

Autoritetet thonë se është shumë herët të thuhet se kush janë përgjegjësit. Zyrtarët turqë të sigurisë pohojnë se shpërthimi i parë ishte i vogël derisa lënda shpërthyese ishte vendosur në një kosh plehrash. Nga ky shpërthim i parë pati vetëm të plagosur. Derisa njerëzit u mblodhën në vendin e ngjarjes dhe automjetet e ndihmës së parë e forcat e rendit erdhën në vendin e incidentit, një shpërthim i dytë përfshiu turmën. Eksplozivi qe vendosur sërish në një kosh plehrash pranë vendit ku ndodhi shpërthimi i parë.

Guvernatori i Stambollit, Muamer Guler, tha se ishte pikërisht shpërthimi i dytë që morri jetën e 17 personave.

"Të dyja bombat ishin vendosur në kosha plehrash. Shpërthimet ndodhën në një distancë kohore 10-12 minuta nga njëra-tjetra. Kur njerëzit u mblodhën në vendin e ngjarjes dhe të tjerë po qëndronin përpara dyqaneve të tyre ndodhi shpërthimi i dytë, që shkaktoi dhe viktimat", - sqaroi Guler. Autoritetet turke janë të sigurta se shpërthimet janë vepër e terroristëve, por është ende herët të thuhen emrat e përgjegjësve. Nuk është hera e parë që Stambolli përballet me sulme të tilla, të cilat në të shkuarën kanë qenë të organizuara nga militantët kurdë, grupet e ekstremit të majtë apo ekstremistët islamikë.

Njësoj si autoritetet mendon dhe Hashem Khoroshahi, analist politik në Stamboll. Ai shton se ka shumë grupe me axhenda të ndryshme që mund të jenë të përfshirë. "Disa spekulojnë se sulmi ishte vepër e separatistëve kurdë. Të tjerë spekulojnë se forca të huaja kanë gisht në shpërthimet e së dielës", - thotë Khoroshahi për radion “Evropa e Lirë”.

Sulmi vjen në kohën kur vëmendja është përqendruar te Gjykata Kushtetuese. Kjo e fundit nga sot fillon dhënien e vendimit, nëse Kryeministri aktual dhe partia e tij duhet të mbeten apo të largohen nga politika. Partia e Kryeministrit Erdogan një vit më parë shënoi fitore të thellë në zgjedhje, por rrënjët e saj islamike, nga një parti tashmë e jashtëligjshme përbëjnë problem për mbështetësit e shtetit laik. Laikët e akuzojnë partinë në pushtet se po bie ndesh me Kushtetutën e Turqisë dhe po rrezikon themelet e shtetit laik. Fjalën përfundimtare tashmë e ka drejtësia. Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj pritet të thotë nëse partia për Zhvillim dhe Drejtësi është përfshirë në aktivitete islamiste. Bazuar në këtë gjykim do merret vendimi i radhës, nëse partia dhe drejtuesit e saj duhet të ndalohen që të merren me politikë apo jo. Hysein Bacgi, profesor në Universitetin Teknik në Ankara, e ka ndjekur debatin nga afër dhe nuk beson se partia e Kryeministrit do të shpallet e jashtëligjshme.

"Sipas të gjitha gjasave partia nuk do të mbyllet. Do të ketë disa gjoba e ndoshta dhe disa politikanëve të kësaj partie mund t’u ndalohet aktiviteti publik për disa vjet", - thotë Bacgi për REL. Pavarësisht vendimit Turqia është mbërthyer nga një pasiguri ekonomike dhe politike.

Hetimet e policisë po vazhdojnë dhe në një tjetër drejtim; atë të një grupi ultranacionalist që po përgatiste grusht shteti. Në kohën kur Turqia është e përfshirë në një betejë të madhe ligjore e politike, ushtria turke ka vazhduar me sulmet ajrore kundër caqeve kurde në veri të Irakut.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›