Dhurata, policia tashmë me pajisje speciale përgjimi
Ndihmat janë dhënë nga pala italiane
I pranishëm edhe ministri Bujar Nishani
Lufta ndaj krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe trafiqeve të paligjshme pritet të bëhet më efikase, kur falë një ndihme nga qeveria italiane, Policia e Shtetit do ketë në duar e saj pajisjet e teknologjisë së fundit për hetimin e krimit. Një ditë më parë, në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Krimit Financiar dhe Pastrimit të Parave i janë dhuruar pajisjet më të specializuara të përgjimit, ndërkohë që 12 transportues për qentë e kufirit kanë shkuar për Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit. Lajmi është konfirmuar dje nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit, sipas të cilave, ceremonia është zhvilluar në kuadrin e projektit “Forcimi i Kontrollit Kufitar dhe i Drejtësisë Penale në Luftën Kundër Trafiqeve Ilegale dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri”, i realizuar nga UNODC (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin), falë financimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Bashkëpunimit për zhvillim në Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë.
Në ceremoni morën pjesë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, ambasadori italian në Tiranë, Saba d’Elia, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera të zbatimit të ligjit. Ndërkohë, në fjalën e tij kreu i policisë, Ahmet Prençi, theksoi se Zyra e Kombeve të Bashkuara në Vjenë, nëpërmjet zyrës së saj në Tiranë, që prej vitit 1998 ka asistuar strukturat e Policisë së Shtetit që merren me luftën kundër krimit të organizuar dhe në mënyrë të veçantë, strukturat e luftës kundër drogës. Sipas tij, kjo asistencë nuk është përqendruar vetëm në strukturat e Policisë së Shtetit, por edhe në shërbimin doganor, me objektiv forcimin e kapaciteteve antidrogë në vendin tonë. “Ne vlerësojmë se vazhdimi i këtij projekti është mjaft i rëndësishëm dhe përkon me hapat për të forcuar veprimtarinë institucionale kundër krimit të organizuar, të shprehura këto dhe në objektivat dhe programet tona, të cilat konsistojnë: në forcimin e kapaciteteve të strukturave të policisë kufitare dhe atyre të drogës në pikat hyrëse; në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit, doganave dhe organit të prokurorisë, në luftën kundër trafiqeve të drogës apo dhe kundër dukurive të tjera të krimit të organizuar; në rritjen e kapaciteteve dhe të përgjegjësisë të strukturave të Policisë së Shtetit në marrjen, administrimin dhe transmetimin sa më të shpejtë të informacionit policor”, - është shprehur Prençi. Po kështu, ai ka shprehur bindjen se vazhdimi i mëtejshëm i bashkëpunimit të agjencive tona të zbatimit të ligjit me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin do t’i shërbej rritjes së kapaciteteve tona në luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe kundër krimit të organizuar.
Ndërkaq, pasi ka falënderuar qeverinë italiane për bashkëpunimin si dhe financimin që ka bërë në këtë projekt, ministri Nishani ka thënë nga ana e tij se tashmë pritet të rriten rezultatet e punës së policisë në luftën ndaj trafiqeve të paligjshme, ashtu edhe ndaj krimit ekonomik financiar. Po kështu, ambasadori italian në Tiranë, Saba d’Elia, theksoi se Italia përmes kësaj iniciative ka për qëllim të përmirësojë kapacitetet profesionale të policisë shqiptare, në fushën e pastrimit të parave dhe luftës ndaj krimit të organizuar.