E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjeografia e borxhit publik si permbysur totalisht 20 vitet e fundit

Sipas të dhënave të FMN dhe BB, gjeografia e borxhit publik është përmbysur totalisht në 20 vitet e fundit.

Ekonomitë emergjente të udhëhequra nga Kina dhe Brazili tejkalojnë ato të ekonomive të vjetra perëndimore, të cilave do tu duhen të paktën 7 vjet për të korrigjuar llogaritë publike.

Po kush humb në të vërtet?

Rreth 200 miliardë dollarë të borxheve publike sovrane duket se do të rëndojnë mbi bankat e huaja. Nga të dhënat e FMN dhe Eurostat, rezulton se që nga viti 1991, vendet në rrugën e zhvillimit kishin shumë borxhe dhe vuanin predikimet e të fuqishmëve, të cilët kërkonin t’i edukonin përmes dy institucioneve ndërkombëtare, BB dhe FMN.

Për rreth 20 vjet kjo situatë mbeti e tillë, duke u përmbysur papritur në tre vitet e fundit, që kur kriza financiare ka përfshirë sistemet ekonomike të Europës dhe ShBA.

Tashmë, nxënësit ua kanë kaluar edhe profesorëve dhe fuqitë perëndimore dorëzohen përballë të pasurve të rinj, Kinës dhe Brazilit në krye.

Sipas një studimi të agjencisë së kreditit Moodys, borxhi mesatar publik i vendeve perëndimore është 70% i PBB, ndërkohë që të ashtuquajturat vendet BRICS kanë vetëm 45%.

Në tre vitet e fundit, vetëm në Eurozonë përqindja e borxhit mbi GDP ka kaluar nga 66 mesatarisht në 85%, me tre vendet, Irlandën, Portugalinë dhe Greqinë, të cilat u drejtuan për ndihmë nga ndërkombëtarët.

Duke parë në retrospektivë historinë e 20 viteve të fundit, vihet re se vendet që ishin dramatikisht të zhytura në borxhe, si Rusia me një borxh public në 100% në vitin 2000 dhe Argjentina në vitin 2003 me një borxh prej 139%, tashmë e kanë rimarrë veten plotësisht duke e ulur në mënyrë të ndjeshme nivelin e borxhit për 2011-ën. Por edhe Indonezia brenda 10 viteve e ka çuar borxhin në 27% nga 95%.

Situatë e kundërt ka ndodhur në ekonomitë e vendeve perëndimore. Në vitin 1991 borxhi publik amerikan ishte 68% dhe sot ka arritur në 100%, me një shifër rreth 14.600 miliardë dollarësh.

Dy dekada më parë borxhi i Francës, BM dhe Gjermanisë rezultonte mes 30 dhe 40%, tashmë fuqitë më të mëdha të Evropës kanë kaluar masën e 80% të borxhit.

Vendimtare ishin vitet nga 2003 në 2008. faktorët kryesorë të kthesës së tendencës janë tre; së pari vendet emergjente kanë thelluar disiplinën e tyre financiare rreth viteve 2000. më tej kanë përfituar nga një normë rritjeje shumë më të lartë se vendet e tjera, gjë që ka kontribuar në reduktimin e borxhit.

Në të kundërt, perëndimi jo vetëm që nuk është rritur por nuk qenë as i kujdesshëm me llogaritë publike. Shumë prej shteteve të Europës e kanë nisur krizën më parë se 2008 e duke vijuar të tej të precipitojnë. Sipas parashikimeve të disa analistëve amerikanë Carmen Reinhart e Kenneth Rogoff, do të duhen mesatarisht nga 7 në 10 vjet që një vend të korrigjojë llogaritë e veta publike. Kështu për ish të pasurit pritet një dhjetëvjeçar i dhimbshëm, që mund të përfundojë vetëm në 2017.

Sipas të dhënave më të fundit, vendet me më shumë borxh në botë janë, Japonia me 230% përpara Greqisë me 152%.

Nuk mbetet mbrapa as Italia që ka prekur nivelin e 120% të borxhit publik, po kështu edhe SHBA me 100%, Franca me 87% e kështu me radhë.

Por është interesante të kuptosh se si janë ndërthurur këto dinamika, pjesa më e madhe e borxhit të një vendi është mbajtur nga të tjerat, përmes titujve shtetëror të blerë nga bankat e huaja.

Nuk është rastësi që presidenti amerikan Obama, për shembull, menjëherë telefonoi kancelaren Merkel për t’i kërkuar zgjidhjen e krizës greke, duke parë se jo pak banka amerikane janë kredituese përballë Athinës.

Apo edhe rasti tjetër, disa vende të Brics, kryesisht Kina, janë të gatshme të disbursojnë qindra milionë euro për të ndihmuar Europën të dalë nga kriza e kjo për të shpëtuar vetveten dhe investimet e tyre. Problemi për të kuptuar se kush është më i ekspozuar dhe se për çfarë shifre, shpesh është e vështirë, pasi këto të dhëna nuk janë të detyrueshme. Banka e Rregullimeve ndërkombëtare ka publikuar disa prej tyre, ku evidentohet Kina me rreth 3.200 miliardë investime në borxhe publike të huaja.

Nga të cilat sipas statistikave të Thesarit amerikan dihet që janë derdhur vetëm në investime në SHBA, ndërsa rreth 700 milionë në Eurozonë. Apo edhe rasti i Britanisë së Madhe, e cila rezulton se është mbajtësja e tretë e borxhit amerikan, e cila në të njëjtën kohë është kredituesja më e madhe e Japonisë, ndërsa Brazili ka investuar në borxhin e Spanjës, dhe Franca e Gjermania mbi atë Italian.

Në total, duke iu referuar shifrave të përditësuara në dhjetor të 2010-ës, totali i borxhit i mbajtur nga bankat e huaja, është rreth 200 miliardë dollarë, e aty luhet pjesa më e madhe e lojës në trekëndëshin Wall Street, Londër, Pekin.

Kështu rrotacioni i krizës mes ekonomive, siç e tregon edhe historia, do të vijojë, i rëndësishëm është, ashtu sikurse kërkojnë edhe liderët ndërkombëtarë, bashkëpunimi dhe koordinimi i planeve dhe programeve për të ndihmuar vendet në vështirësi, të dalin sa më shpejt nga kriza.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›