E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, Cefa: Si do t’i zgjidhim 8 mijë kërkesat



Erald Kapri

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të nisë shqyrtimin e 8 mijë dosjeve të ish-pronarëve që kërkojnë njohje për kompensim të pronës së tyre. Drejtori i AKKP-së, Elvis Cefa, tha për gazetën se brenda disa ditëve do të nisë procedura për shqyrtimin e këtyre dosjeve me shpejtësi. Ai tha se gjatë gjithë kësaj kohë AKKP-ja ka dhënë vendime për ish-pronarët që kërkojnë njohje prone, por që me hyrjen e ligjit të ri në fuqi dhe me strukturimin e agjencisë, puna do të vijojë me ritme më të shpejta. Sipas drejtorit Cefa, aktualisht agjencia po përfundon detyrimet ligjore për transferimin e arkivës në Tiranë. Agjencia Qendrore, pas këtij procesi, do të vijojë me kohë të plotë për shtrimin sipas kalendarit të 8 mijë kërkesave që presin, për njohjen e pronës së tyre. Ligji, por edhe vendimet procedurale të Qeverisë parashikojnë një kalendar për shqyrtimin e 8 mijë dosjeve. Kështu shqyrtimi i një dosje do të fillojë në varësi të datës që është bërë kërkesa në agjenci. Sa më herët të jetë data e kërkesës aq më shpejt dosja do të hyjë në procedurën e AKKP-së për vlerësimin e saj. "Do të nisë trajtimi nga kërkesa më e vjetër në kohë dhe duke vazhduar me kërkesat e dorëzuara në limitet e afatit ligjor", është shprehur Cefa. Ligji parashikon një afat prej 2 muajsh kohë që agjencia të japë një vendim qoftë pozitiv ose negativ për njohjen. Nëse subjekti nuk është i kënaqur me këtë vendim ai mund t'i drejtohet gjykatës. Nga ana tjetër, të gjithë ish pronarët që nuk kanë arritur të dorëzojnë kërkesat e tyre për njohje prone brenda afatit ligjor, që ka qenë 31 dhjetori 2008, mund t'i drejtohet gjykatës dhe nëse fiton atje, AKKP-ja merr në shqyrtim dosjen e tij. Këto subjekte duhet të plotësojnë një formular standard dhe të plotësojnë dokumentacionin që kërkohet për vërtetësi prone. Ish pronarët duhet të vërtetojnë me dokumentacion dhe të provojnë se kanë pasur pronë para vitit 1944. Nëse dokumentacioni nuk është i plotë, AKKP-ja jep një vendim negativ çka vetëm gjykata mund të kthejë këtë vendim. Me miratimin e dosjeve, më pas ato bëhen pjesë e procesit për kompensim financiar ose fizik. Aktualisht është grumbulluar një fond fizik për kompensimin e ish pronarëve kryesisht në troje, livadhe dhe objekte. Nga ana tjetër, u miratua një ligji për fondin special të kompensimit të pronave, i cili bën të mundur që fondet për kompensim financiar të mos digjen asnjëherë, por të menaxhohen nga vetë AKKP-ja. Me anë të këtij ligji, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave legjitimohet në pasurimin e vazhdueshëm të fondit të kompensimit financiar të subjekteve të shpronësuara, dhe jo vetëm me fondet e buxhetit që vihen në dispozicion vit për vit, por edhe me të ardhura nga donatorë të tjerë, me të ardhura nga shitjet apo privatizimet e pronave shtetërore apo me të ardhura që vetë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave zhvillon në kohë. Me këtë ligj, fondet që nuk përdoren brenda vitit kalendarik, kalojnë në fondin special dhe bëjnë të mundur që AKKP-ja të përdorë këto fonde në çdo kohë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›