E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pse e rritëm interesin për eurobondin”



Norma e interesit të eurobondit do të jetë maksimalisht 8.5 për qind, dhe pa asnjë shtesë. Në një intervistë të dhënë për gazetën drejtori i drejtorisë së menaxhimit të borxhit, Xhentil Demiraj, tregon arsyet pse u shtynë "negociatat", për emetimin e eurobondit dhe pse Qeveria vendosi të rrisë me 1 për qind tavanin e interesit. "Kufiri i rritur reflekton situatën në tregje, por fakti që u mbajt në 8.5% shpreh qartë se ne nuk do të marrim borxh me çdo kusht". Demiraj, shton se në pjesën e dytë të vitit pritet që të ulet ndjeshëm huamarrja e brendshme, dhe të filloj shlyerja e borxhit.
Qeveria dhe Parlamenti kanë miratuar më datë 6 maj, ndryshime në ligjin për emetimin e eurobondit, duke rritur tavanin e interesit nga 7.5 për qind, në 8.5 për qind. Ligji i parë u shpall më datë 16 prill, ndërsa ndryshimi ndodhi vetëm për 20 ditë. Cila është arsyeja e këtij "nxitimi"?
Siç dihet tashmë gjerësisht, tregjet e kapitaleve patën një përkeqësim të shpejtë dhe progresiv gjatë kësaj periudhe të shkurtër që rezultoi në rritje të interesit të bondeve sovrane në sasi të konsiderueshme. Në mënyrë që menaxherët bashkëdrejtues të transaksionit të eurobondit tonë (JP Morgan dhe Deutsche Bank) të hynin në diskutime me investitorët potencialë që mund të blinin eurobondin, ata kishin nevojë për më tepër fleksibilitet në përputhje me mjedisin e ri financiar në treg, ndaj dhe Qeveria amendoi ligjin për të reflektuar situatën e re në tregje (normat e rritura të interesit).
Sipas lajmeve ndërkombëtare, shumë vende janë tërhequr nga emetimi i eurobondeve, për shkak se tregjet janë skeptike dhe kanë shtrenjtuar interesat. Nga ana tjetër, Shqipëria jo vetëm që nuk po tërhiqet, por ka rritur kufirin me 1 për qind të tavanit të interesit. A do të thotë ky insistim i Shqipërisë, se buxheti Qeveria kërkon me çdo çmim të marrë borxhin në euro?
Absolutisht jo. Së pari, shumica e të ardhurave nga eurobondi do të shkojnë për të parapaguar kredinë sindikale të marrë në vitin e kaluar, të cilën ne s'jemi të detyruar ta shlyejmë deri në 2012, dhe do ta shlyenim vetëm nëse diferenciali i interesit midis asaj dhe eurobondit do të sillte një kursim të konsiderueshëm për buxhetin e shtetit. Së dyti, kufiri i rritur reflekton situatën në tregje, por fakti që u mbajt në 8.5% shpreh qartë se ne nuk do të marrim borxh me çdo kusht. Nëse do të ishte kështu, tavani do të ishte ngritur në kufij shumë më të lartë. Ministria e Financave ka plotësuar me sukses të gjitha kushtet e para-emetimit, po monitoron me kujdes tregun dhe do të shpallë emetimin vetëm në një moment oportun për të dhe për vendin. Kjo mund të jetë javë apo qoftë edhe muaj më vonë, në varësi të zhvillimeve në treg.
Duke qenë se tregjet nuk i janë përgjigjur akoma ofertës së Shqipërisë. A do të ketë sërish rritje të tavanit të interesit?
Nuk është e vërtetë që tregjet nuk i janë përgjigjur ofertës së Shqipërisë. Përkundrazi, gjatë takimeve që ne kryem në javën e fundit të Prillit me një numër të lartë investitorësh (Road Shoës) në disa nga qendrat më të rëndësishme financiare në Evropë, reagimi i investitorëve ishte shumë entuziast. Vendimi për të mos hyrë në treg menjëherë dhe me çdo kusht është i yni, dhe reflekton ndjeshmërinë e madhe që Ministria e Financave ka ndaj normave të interesit. Edhe një herë, ne do të emetojmë vetëm atëherë kur situata financiare të stabilizohet dhe normat të ulen drejt parametrave që e bëjnë emetimin fizibël për financat tona publike. Ministria e Financave ende nuk u ka kërkuar menaxhereve të transaksionit (JP Morgan dhe Deutsche) të agregojnë oferta për blerje, sepse ne kemi informacion të mjaftueshëm nga tregu se në rast se ne vendosnim të emetonim në këtë mjedis financiar kaq të tensionuar, normat e interesit të ofruara nuk do të ishin brenda parametrave të preferuar nga ne.
Përfaqësues të opozitës, kanë thënë se norma 8.5 e miratuar nga Kuvendi, nuk është interesi përfundimtar që do të paguajë Qeveria për eurobondin. Sipas tyre, kjo shumë, duhet të "garantohet" nga Qeveria shqiptare dhe kjo e rrit sërish interesin.
Nuk do doja kurrsesi që të replikoja me një deklaratë të bërë nga një politikan i zgjedhur, por në respekt të interesit të publikut dhe të detyrimit të nëpunësit civil, më lejoni t'i përgjigjem sa më teknikisht pyetjes: supozimi për pagesën e primit të sigurimit është tërësisht i pabazuar. Në asnjë nga dokumentet e transaksionit tonë (të bëra publike nëpërmjet ligjit) nuk parashikohet një gjë e tillë, as si koncept, as si madhësi. Nëse MF do të vendoste të emetonte eurobondin, le të themi p.sh me normën deri në 8.5%, ky do të ishte i gjithë interesi që do t'i paguhej investitorëve. Sigurimi që ne u japim investitorëve është garancia sovrane, dhe jo ndonjë prim i këtij apo atij lloji. Transaksioni i eurobondit është vërtetë i komplikuar, aq më tepër që është një risi për vendin, dhe do të ishte më me vend që rreth tij të diskutonin individë me njohuri të mjaftueshme teknike nga operacionet e tregjeve ndërkombëtare financiare.
Strategjia e shpallur e Financave për këtë vit, ka qenë tërheqja e Qeverisë nga stimuli fiskal. Pra, mendohej që këtë vit, Qeveria me uljen e shpenzimeve dhe borxhit publik, të bënte presion ndaj bankave të nivelit të dytë, që të kreditonin ekonominë. Sot, borxhi nga bankat e nivelit të dytë është rritur me 850 për qind për katërmujorin e parë. A mendoni se edhe kjo strategji do të dështojë?
Absolutisht jo. Objektivi i huamarrjes vjetore do të mbahet, në përputhje me ligjin e buxhetit. Ministria e Financave vendos të emetojë më shumë apo më pak nga një instrument i caktuar borxhi, në një pjesë të vitit apo në një tjetër, në varësi të gjendjes së likuiditetit në tregun vendas dhe të huaj, në varësi normale të interesit respektiv dhe në përputhje me strategjinë e borxhit publik. Konkretisht, për këtë periudhë të parë të vitit, duke pasur parasysh situatën mjaft likuide në tregun vendas, dhe duke mos cenuar likuiditetin e bankave në dispozicion të sektorit privat, ne kemi marrë më tepër hua në tregun e brendshëm, dhe kjo është shoqëruar me ulje të normave të interesit. Kështu për shembull, norma e interesi të bonos një vjeçare, e cila shërben si një barometër i mjedisit të interesit në tregun e titujve vendas, dhe përbën një pjesë të rëndësishme të portofolit të borxhit të brendshëm, ka pësuar rreth 13% ulje vetëm gjatë katër muajve të fundit. Në pjesën e dytë të vitit, MF do të ngadalësojë dukshëm huamarrjen në tregun vendas, mbase dhe mund të maturojë një pjesë të portofolit, në varësi të sasisë që do të emetohet nga eurobondi dhe të nivelit të disbursimeve të kredive të zhvillimit që financojnë projektet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›