Investim miliona dollarësh për shërbimin e urgjencës
Një projekt miliona dollarësh do të investohet vetëm për sektorin e urgjencës kombëtare. Qeveria shqiptare së bashku me qeverinë japoneze janë duke bashkëpunuar për këtë projekt, i cili pritet që së shpejti të vihet në jetë. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Shëndetësisë bëjnë me dije se ky projekt vjen në kuadër të reformës që ka përfshirë të tërë sistemin shëndetësor.
Projekti
Investimet do të përqendrohen jo vetëm në përmirësimin e infrastrukturës së shërbimit të urgjencave. Në të njëjtën kohë do të bëhet e mundur edhe pajisja me mjete bashkëkohore. Ndër të tjera fondi do të shkojë edhe për kualifikimin dhe trajnimin e stafit mjekësor. “Aktualisht është një projekt i qeverisë shqiptare së bashku me qeverinë japoneze, shumë milionë dollarësh i cili është në proces e sipër vetëm për sektorin e urgjencës kombëtare. Natyrisht, nuk do të jetë vetëm urgjenca kombëtare ajo që do t’i nënshtrohet një reforme të thellë, por do të jetë i tërë sistemi shëndetësor”, - sqarojnë burimet pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas po të njëjtit burim, thuhet se investimet do të shkojnë si për urgjencat e spitaleve të kryeqytetit, ashtu edhe për ato të rretheve. Gjithashtu, do të forcohet edhe flota e helikopterëve për t’i mundësuar kështu secilit qytetar në çdo cep të vendit shërbimin e urgjencës. Ndër urgjencat që përfitojnë nga investimet janë Qendra e Koordinimit të Emergjencave pranë QSUT-së, urgjenca e Spitalit Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive, Tiranë. Urgjencat e dy materniteteve të kryeqytetit, atij Universitar Obstetrik-Gjinekologjik "Mbretëresha Geraldinë" si dhe Obstetrikut-Gjinekologjik "Koço Gliozheni". Gjithashtu, investimet do të shtrihen edhe në urgjencat e spitaleve Shkodër, Dibër, Lezhë, Durrës, Fier, Spitali Lushnje, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Korçë. Një fond të veçantë do të ketë edhe përmirësimi i njësisë së transportit mjekësor me helikopter.
Gjendja
Realizimi i këtij projekti pikërisht në këtë sektor i jep akoma më shumë rëndësi shërbimit të urgjencave në vend. Kushtet aktuale të urgjencave në vend lënë për të dëshiruar. Një pjesë e mirë e tyre nuk përballojnë rastet e pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore. Ndër më problematiket paraqitet urgjenca e kardiologjisë në QSUT dhe ajo e pediatrisë. Mungesa e ambienteve dhe e shtretërve, në rastet më të mira ka bërë që mjekët t’i trajtojnë me ndihmë pacientët në karrige dhe në këmbë. Ndërkohë që për rastet e tjera qytetarët të detyrohen të marrin mjekimin e parë në këmbë dhe më pas të përcillen në shtëpi. Nga krerët e shëndetësisë thuhet se situata e urgjencave do të ndryshojë pas zbatimit të reformës në këtë sektor.