Miratohet rregullorja për Shërbimin e Provës, gati rekrutimi i punonjësve
Pas miratimit të rregullores së përgatitur për “Shërbimin e Provës”, Ministria e Drejtësisë ka nisur punën për rekrutimin e stafit të këtij shërbimi, i cili do të zbatojë ligjin për dënimet alternative për personat që akuzohen për krime të lehta. Burime zyrtare pranë kësaj ministrie bënë të ditur se së shpejti do të jetë gati organika e strukturës së Shërbimit të Provës, e cila do të përbëhet nga një personel prej 50 deri në 60 personash të kualifikuar. Gjithashtu, këto ditë do të përcaktohet edhe godina ku do të vendoset personeli i Shërbimit të Provës, ndërkohë që do vendoset edhe ku do vendoset personeli që do punojë pranë gjykatave gjyqësore në rrethet e tjera. Të njëjtat burime saktësuan se me përfundimin e këtyre procedurave dhe miratimin e tyre do të nisë zbatimi i ligjit për Dënimet Alternative, i cili do të krijojë mundësinë që shumë të burgosur, që janë për dënime të lehta apo që kanë masa dënimi të vogla për të vuajtur, të lirohen me kusht nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës. Dënimet jo me burg do të ofrohen për disa kategori, si të miturit apo individë me fëmijë të vegjël, që akuzohen për vepra penale deri në dy vjet burg. Këta persona mund ta vuajnë dënimin në shtëpi. Por, përfitues do të mund të jenë edhe 400 të dënuar, që aktualisht vuajnë dënimet në burgje. Rregullorja për organizimin dhe funksionimin e "Shërbimit të Provës" u miratua pak ditë më parë nga qeveria, ndërsa tashmë pritet plotësimi i organikës së saj dhe fillimi i punës së Shërbimit të Provës. Ministri i Drejtësisë do të nxjerrë aktet nënligjore në përputhje me parashikimet ligjore, si dhe të kësaj rregulloreje për vënien në eficensë të Shërbimit të Provës. Sipas burimeve zyrtare, por edhe rregullores të miratuar, deri në plotësimin e numrit të punonjësve të Shërbimit të Provës, ministri i Drejtësisë ngre një komision të posaçëm prej 5 vetash për realizimin e procedurave për emërimin e punonjësve të parë të Shërbimit të Provës. Për punonjësit e parë të rekrutuar zbatohen, për aq sa janë të pajtueshme, rregullat e neneve 13 dhe 14 të kësaj rregulloreje. Deri në krijimin e të gjitha zyrave vendore të Shërbimit të Provës, sipas nenit 5, pika 1 të kësaj rregulloreje, ministri i Drejtësisë përcakton me akt nënligjor vendndodhjen e zyrave vendore të para.
Përcaktimi i llojit dhe vendit të punës
Kur gjykata ka caktuar ndaj të dënuarit masën alternative të parashikuar nga neni 63 i Kodit Penal, në favor të interesit publik, Shërbimi i Provës vendos llojin e punës që do kryhet, vendin ku do të kryhet dhe ditët e javës. Ndërsa, kur gjykata ka caktuar në vendimin e saj kryerjen e një pune në favor të interesit të një shoqate, Shërbimi i Provës përcakton llojin e punës dhe ditët e javës. Në marrjen e këtij vendimi, Shërbimi i Provës vlerëson llojin e veprës penale të kryer, treguesit personalë të të dënuarit si arsimi, mosha, gjendja shëndetësore, aftësitë profesionale, përvojën e mëparshme të tij dhe kushte të tjera sociale apo familjare të të dënuarit. Shërbimi i provës në caktimin e vendit ku do të kryhet puna me interes publik merr në konsideratë vendbanimin e të dënuarit. Kur brenda territorit të vendbanimit të të dënuarit nuk ka një institucion të përshtatshëm, Shërbimi i Provës cakton një institucion tjetër të së njëjtës natyrë, që ndodhet në rrethin më të afërt me vendbanimin e të dënuarit.
Programi
Pas përcaktimit të institucionit, Shërbimi i Provës harton dhe zhvillon një program për kryerjen e punës me interes publik në përputhje me nenin 28 të kësaj rregulloreje, i cili përmban: a) ditët e javës gjatë të cilave do të kryhet puna, oraret për fillimin dhe mbarimin e punës dhe veprimtaritë e përditshme; b) mënyrën e takimeve me punonjësin e Shërbimit të Provës, si dhe c) elemente të tjera të nevojshme. Por, kur i dënuari është person i mitur, programi ditor duhet të hartohet duke marrë parasysh moshën, interesin më të lartë të fëmijës, nevojat psiko-sociale, duke u konsultuar me prindërit, kujdestarin, mbrojtësin e tij ose persona të tjerë të kërkuar nga i mituri. Shërbimi i Provës lidh marrëveshje me subjektet, me të cilat do të kryhet puna me interes publik për përmbushjen e programit. Marrëveshja përcakton programin, punën që do të kryhet, personin përgjegjës të caktuar nga subjektet për të mbikëqyrur realizimin e punës nga i dënuari, si dhe detyrimin e subjekteve për të njoftuar menjëherë Shërbimin e Provës në rastet e mospërmbushjes nga i dënuari të detyrimeve. Gjithashtu, Shërbimi i Provës shpjegon tek personi përgjegjës i caktuar për mbikëqyrjen, që është e nevojshme të evidentohen orët e punës mbi baza ditore, për të verifikuar nëse orari i punës ditore është respektuar apo jo, si dhe për të informuar rregullisht Shërbimin e Provës mbi nivelin e performancës në punë të të dënuarit.
Informimi i personit të dënuar për ekzekutimin e dënimit
Në bazë të rregullores së miratuar, para fillimit të punës, Shërbimi i Provës informon të dënuarin për detyrimin e tij për të përmbushur udhëzimet e dhëna nga ky shërbim dhe ato që rrjedhin nga puna që ai kryen. Shërbimi i Provës informon personin e dënuar për detyrimin e tij për të mbajtur kontakte me të. Por, i dënuari ka të drejta dhe detyrime, të cilat përcaktohen në nenin 51 të kësaj rregulloreje. Gjatë kryerjes së punës, i dënuari gëzon të drejta të njëjta me punëmarrësit e tjerë lidhur me mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë në punë, mirëqenien sociale dhe kohëzgjatjen në punë, si dhe ato që rregullojnë marrëdhëniet e punës, me përjashtim të kufizimeve që rrjedhin nga natyra e dënimit dhe përmbushja e detyrimeve të tij.
Kontaktet me Shërbimin e Provës
Shërbimi i Provës mbikëqyr zbatimin e vendimit me pezullim të ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien në provë dhe e informon të dënuarin mbi detyrimin e tij për të mbajtur kontakte me shërbimin gjatë zbatimit të dënimit. Punonjësi i Shërbimit të Provës përcakton në programin individual numrin, kohëzgjatjen, frekuencën dhe vendin e takimeve me të dënuarin në provë, në përputhje me nenin 28 të kësaj rregulloreje. Kur për arsye objektive, i dënuari në provë nuk mund të jetë i pranishëm në njërin prej takimeve, ai njofton paraprakisht punonjësin e Shërbimit të Provës. Në rast se njoftimi nuk është i mundur, ai paraqitet pranë Shërbimit të Provës brenda tre ditëve nga përfundimi i pengesës dhe justifikon me dokumente mungesën e tij. I dënuari në provë paraqet të dhëna me shkrim mbi arsyet objektive të mungesës, të cilat përfshihen në dosjen e tij personale. Punonjësi i Shërbimit të Provës i caktuar verifikon arsyet e parashtruara dhe kur çmon që arsyet nuk justifikojnë mungesën, i jep të dënuarit në provë një njoftim me shkrim, ku i ribën të ditur pasojat e mospërmbushjes së detyrimeve dhe përmend datën e takimit të ardhshëm. Kur shihet që pas dy njoftimeve, i dënuari nuk mban kontakte me shërbimin, punonjësi i Shërbimit të Provës i caktuar njofton drejtorin e zyrës vendore të Shërbimit të Provës, i cili njofton brenda dy ditëve prokurorin.
Programi
Shërbimi i Provës harton dhe zhvillon një program ditor individual për ekzekutimin e dënimit me gjysmëliri, në përputhje me nenin 28 të kësaj rregulloreje. Ky program përmban detyrimet e të dënuarit gjatë kohës që ndodhet jashtë institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale, duke përcaktuar: a) oraret e hyrjes dhe daljes në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale; b) personat me të cilët i dënuari lejohet ose ndalohet të mbajë kontakte gjatë kohës së qëndrimit jashtë institucionit; c) ambientet e lejuara dhe ato të ndaluara për frekuentim; d) kushte të tjera.
Si emërohesh në Shërbimin e Provës
1. Emërohet punonjës i Shërbimit të Provës shtetasi që plotëson këto kushte:
a) të jetë shtetas shqiptar;
b) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;
ç) të ketë kryer arsimin e lartë në degët psikologji, punë sociale, sociologji ose juridik;
d) të gëzojë figurë të pastër morale.
dh) të mos jetë i dënuar për kryerjen e një vepre penale me vendim gjyqësor të formës së prerë.
e) të ketë aftësi të mira komunikuese dhe organizative.
2. Rekrutimi i punonjësve në Shërbimin e Provës i nënshtrohet parimit të konkurrimit të hapur bazuar në meritat. Konkursi organizohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës. Kandidati fitues emërohet përkohësisht punonjës i Shërbimit të Provës për një periudhë prove 3-mujore.
3. Emërohet drejtor i zyrës vendore të Shërbimit të Provës, personi që përveç kritereve të parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni, plotëson edhe kriteret e mëposhtme:
a) të ketë pesë vjet përvojë profesionale në fushën përkatëse, nga të cilat të paktën një vit në pozicion drejtues;
b) të mos ketë marrë masa disiplinore gjatë përvojës së tij profesionale;
c) të ketë aftësi drejtuese dhe administruese, interpretuese të politikave qeverisëse dhe zbatuese të tyre, planifikuese dhe përballuese të krizave, si dhe aftësi për të ndërtuar marrëdhënie pozitive me gjykatat, prokurorinë dhe bashkëpunëtorët e Shërbimit të Provës.
Shërbimi i Provës, i pjesshëm
Për dënimet gjer në një vit burgim, gjykata kur vëren rrethana të rënda familjare, mjekësore, arsimore, profesionale apo shoqërore mund të vendosë ekzekutimin e vendimit me burgim në gjysmëliri. Personi i dënuar që vuan dënimin në gjysmëliri është i detyruar të kthehet në burg, pasi ka kryer detyrimet jashtë burgut brenda periudhës kohore të përcaktuar nga gjykata. Kur personi i dënuar nuk përmbush detyrimet sipas këtij neni, gjykata urdhëron revokimin e ekzekutimit të vendimit në gjysmëliri dhe urdhëron personin e dënuar të vuajë kohën e mbetur në burg. Këta të fundit do të penalizohen edhe me 4 muaj burg më shumë në rast se do të thyejnë rregullat që përfshihen në dënimet alternative.
Shërbimi i Provës, i plotë
Gjykata mund të vendosë vuajtjen e dënimit të dhënë gjer në dy vjet burg me qëndrimin në shtëpi në këto rrethana. Për gratë shtatzëna ose nëna me fëmijë nën moshën 10 vjeç që jetojnë me të; për persona në kushte të rënda shëndetësore që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm nga shërbimi shëndetësor jashtë burgut; për personat mbi 60 vjeç që janë të paaftë nga ana shëndetësore; për të rinjtë nën moshën 21 vjeç me nevoja të dokumentuara shëndetësore studimore, të punës apo përgjegjësive familjare. Kur vendos vuajtjen e dënimit me qëndrim në shtëpi, gjykata urdhëron personin e dënuar të mos largohet nga banesa e tij. Ndërsa, për personat e dënuar që nuk mund të plotësojnë nevojat e tyre themelore të jetesës, autorizohen nga gjykata të largohen nga vendbanimi gjatë ditës apo për aq kohë sa është e domosdoshme për të siguruar këto nevoja apo për t’u angazhuar në aktivitete pune. Në këtë rast, gjykata përcakton masat që duhet të kryejë Shërbimi i Provës. Ndërkohë që gjykata revokon qëndrimin në shtëpi, kur nuk ekzistojnë më kushtet e parashikuara në ligj, ose nëse personi i dënuar largohet pa autorizimin e gjykatës nga vendi i banimit apo shkel detyrimet e caktuara në vendim.
Kriteret për përfitim të shërbimit të provës
* Figura e veprës penale
* Për shkak të rrezikshmërisë së paktë të personit
* Mosha
* Kushtet shëndetësore apo mendore
* Mënyra e jetesës dhe nevojat e tij, veçanërisht që lidhen me familjen
* Arsimimi
* Puna e zakonshme e të dënuarve
* Rrethanat e kryerjes së veprës penale
* Sjellja pas kryerjes së veprës penale
* Kushte të tjera të rëndësishme
Si do mbikëqyren ekzekutimet e dënimeve alternative
Roli i punonjësve të Shërbimit të Provës dhe bashkëpunëtorët në terren për ecurinë e punës së tyre me të dënuarit
Sonila Mesareja
Zbatimi për herë të parë i Shërbimit të Provës në vendin tonë do ketë nevojë për mjaft bashkëpunim mes strukturave që do jenë pjesë përbërëse dhe mbështetëse e saj, si brenda Drejtorisë së Shërbimit të Provës, ashtu dhe strukturave mbështetëse në terren, si Policia e Shtetit, Prokuroria dhe institucione të tjera vendore dhe qendrore. Rregullorja u miratua dhe saktëson nen pas neni sesi do funksionojë mbikëqyrja e të dënuarve të liruar për shërbim të pjesshëm dhe të plotë. Janë disa llojet e mbikëqyrjeve, të gjitha të përcaktuara me vendim edhe nga gjykatat përkatëse.
Mbikëqyrja dhe informimi për ekzekutimin e dënimit me qëndrim në shtëpi
Shërbimi i Provës kontakton institucionet lokale, shërbimin social, Policinë e Shtetit dhe çdo ent privat apo publik që mund të asistojë në ekzekutimin e dënimit me qëndrim në shtëpi. Shërbimi i Provës lidh marrëveshje bashkëpunimi me ta, me qëllim mbikëqyrjen e të dënuarit. Mbikëqyrja e ekzekutimit të dënimit me qëndrim në shtëpi përfshin vizitat rutinë të lajmëruara dhe ato të paralajmëruara në shtëpinë e të dënuarit në provë, ose në qendrat e kujdesit ku i dënuari vuan dënimin, si dhe mbajtjen e kontakteve me të dënuarin dhe familjen e tij. Kur gjykata, sipas nenit 59/a, paragrafi 2, i Kodit Penal, lejon të dënuarin të largohet nga vendbanimi, Shërbimi i Provës harton programin e mbikëqyrjes në përputhje me masat e përcaktuara nga gjykata për kohën e kaluar jashtë shtëpisë. Shërbimi i Provës mbikëqyr mënyrën e respektimit nga i dënuari të plotësimit të nevojave të domosdoshme familjare të lejuara nga gjykata. Kur Shërbimi i Provës konstaton se kushtet e parashikuara në nenin 59/a, paragrafi 1 i Kodit Penal, për të cilat gjykata ka caktuar masën alternative qëndrim në shtëpi nuk ekzistojnë më, raporton menjëherë tek prokurori me qëllim që t’i kërkohet gjykatës revokimi e masës alternative dhe zëvendësimin e saj me një tjetër. Raporti i Shërbimit të Provës përmban, në këtë rast, një propozim konkret për dënimin zëvendësues. Por, në rastin kur i dënuari nuk përmbush detyrimet që rrjedhin nga dënimi me qëndrim në shtëpi, Shërbimi i Provës verifikon faktet dhe rrethanat që kanë sjellë mospërmbushjen dhe i raporton prokurorit të çështjes, me qëllim zbatimin e nenit 62 të Kodit Penal. Kur Shërbimi i Provës çmon që i dënuari nuk ka përmbushur detyrimet si rezultat i pamundësisë objektive, ai i propozon prokurorit ndryshimin e detyrimeve në përputhje me mundësitë dhe nevojat e të dënuarit.
Mbikëqyrja e përmbushjes së detyrimit për mjekim apo rehabilitim
Kur gjykata, sipas nenit 60 pika 11 e Kodit Penal, ka caktuar për të dënuarin detyrimin e mjekimit ose rehabilitimit në një institucion shëndetësor ose të nënshtrimit në një program trajtimi, mjekësor ose rehabilitues, Shërbimi i Provës identifikon fillimisht, në nivel lokal, brenda 10 ditëve nga kontakti i parë, qendrën e përshtatshme për përmbushjen e këtij detyrimi. Kjo qendër mund të jetë shëndetësore, organizatë, institucion apo ekspert që realizojnë programe rehabilitimi për substancat narkotike, alkoolin apo lloje të tjera programesh rehabilitimi. Punonjësi i Shërbimit të Provës, gjatë takimeve me të dënuarin në provë dhe në lidhje të vazhdueshme me personat e përfshirë në trajtim, kontrollon nëse i dënuari në provë ndjek programet e trajtimit. Me qëllim lehtësimin e përmbushjes së detyrimeve, Shërbimi i Provës lidh marrëveshje me qendrat mjekësore, institucionet, organizatat dhe specialistët për rregullimin e procedurave konkrete të bashkëpunimit. Detyrimi i parashikuar në nenin 60, paragrafi 1, pika 11 e Kodit Penal konsiderohet i papërmbushur kur i dënuari në provë: a) në mënyrë të paarsyeshme refuzon përfshirjen në një program trajtimi; b) në mënyrë të pajustifikuar ndërpret programin e trajtimit, si dhe c) refuzon t’i nënshtrohet testeve për konsumin e substancave.
Mbikëqyrja e përmbushjes së detyrimeve të tjera
Kur gjykata ka caktuar për të dënuarin detyrimet e parashikuara në nenin 60 pikat 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10 ose 12 të Kodit Penal, Shërbimi i Provës bashkëpunon ngushtësisht me institucionet lokale apo entet e tjera publike apo private që mund të asistojnë në mbikëqyrjen e ekzekutimit të detyrimeve. Brenda 3 ditëve nga kontakti i parë, Shërbimi i Provës i dërgon Policisë së Shtetit ose çdo organizate tjetër apo institucioni që mund të asistojë mbikëqyrjen, informacion mbi të dënuarin në provë, duke kërkuar që, në rast mospërmbushjeje të detyrimit, të njoftohet menjëherë. Kur është e nevojshme, Shërbimi i Provës bën vizita pa lajmërim paraprak në banesë ose në vendin e qëndrimit të të dënuarit për të siguruar mbikëqyrjen efektive të detyrimeve nga i dënuari. Nëpërmjet këtyre vizitave, Shërbimi i Provës mbledh edhe faktet, si dhe bashkëpunon me familjen e të dënuarit me qëllim asistimin e personit në përmbushjen e detyrimeve të vendosura. Kur Shërbimi i Provës konstaton që i dënuari në provë ka shkelur një apo më shumë nga detyrimet e caktuara në vendimin e gjykatës, bën një paralajmërim me shkrim dhe i shpjegon verbalisht të dënuarit në provë përmbajtjen e paralajmërimit. Detyrimi konsiderohet i papërmbushur kur, pas një paralajmërimi me shkrim, Shërbimi i Provës konstaton që i dënuari në provë rishkel detyrimet e caktuara.
Mbikëqyrja e detyrimit për të ushtruar një veprimtari profesionale ose për të marrë një formim profesional
Kur gjykata sipas nenit 60, pika 1 të Kodit Penal, ka caktuar për të dënuarin detyrimin për të ushtruar një veprimtari profesionale ose të marrë një arsim ose formim profesional, Shërbimi i Provës merr masat për vendosjen e të dënuarit në formën e përshtatshme të veprimtarisë profesionale apo arsimimit/formimit profesional. Për këtë qëllim, punonjësi i Shërbimit të Provës identifikon qendrat arsimore dhe institucionet e kualifikimit profesional në nivel lokal që organizojnë kurse të tilla. Punonjësi i Shërbimit të Provës i caktuar, kontrollon periodikisht nëse i dënuari në provë i ndjek kurset e arsimimit apo kualifikimit. Nëse vendimi i gjykatës nuk specifikon llojin e veprimtarisë që do të ndiqet nga i dënuari në provë, Shërbimi i Provës përcakton llojin e aktivitetit dhe mënyrën e realizimit të tij.
Mbikëqyrja e përmbushjes së detyrimeve financiare
Kur gjykata sipas nenit 60, pika 2 dhe 3 të Kodit Penal ka caktuar për të dënuarin detyrimin të paguajë pensionet familjare apo të riparojë dëmin civil të shkaktuar, Shërbimi i Provës, gjatë kontaktit të parë, kërkon informacion mbi vendbanimin, mbi situatën dhe detyrimet financiare, vendin e punës dhe kohëzgjatjen e kontratës së punësimit dhe, kur është rasti, informacion mbi personat në ngarkim të të dënuarit. Shërbimi i Provës i shpjegon të dënuarit që ai duhet të përmbushë detyrimet e vendosura nga gjykata dhe identifikon bashkë me të, mënyrën dhe kohën e duhur të përmbushjes së detyrimeve financiare. Shërbimi i Provës kontrollon rregullisht nëse i dënuari në provë i përmbush detyrimet e vendosura nga gjykata dhe i dokumenton rezultatet e kontrollit.
Detyrat e punonjësit të Shërbimit të Provës në lidhje me mbështetjen e të dënuarit
Të dënuarit që përfitojnë nga Shërbim i Provës mund të kenë më tepër se një detyrim për të përmbushur. Në këto raste, kur gjykata në vendimin e saj ka caktuar një ose më shumë nga detyrimet e parashikuara në nenin 60 të Kodit Penal, Shërbimi i Provës inkurajon dhe mbështet të dënuarin në përmbushjen e detyrimeve dhe verifikon përmbushjen e tyre. Për këtë qëllim, Shërbimi i Provës identifikon dhe lidh marrëveshje me institucionet lokale që mund të mbështesin përmbushjen e një apo më shumë detyrimeve të vendosura nga gjykata, siç janë Policia e Shtetit, qendrat e arsimimit apo trajnimit, qendrat e punës, institucionet mjekësore apo OJF-të që ofrojnë programe rehabilitimi.
Çfarë përmban dosja personale e këtyre të dënuarve
a) vendimin penal gjyqësor që cakton dënimin alternativ;
b) urdhrin e ekzekutimit të vendimit gjyqësor të lëshuar nga prokurori;
c) raportin e vlerësimit të përgatitur gjatë fazës së hetimeve paraprake për caktimin e dënimit alternativ, nëse ka;
ç) një fotokopje të dokumentit të identifikimit të të dënuarit;
d) raportin mjekësor për vlerësimin e kushteve shëndetësore, kur është e nevojshme;
dh) procesverbalin e kontakteve me të dënuarin;
e) programin e mbikëqyrjes;
ë) raportet e përpiluara nga Shërbimi i Provës dhe të dërguara në gjykatë ose prokurori gjatë periudhës së mbikëqyrjes;
f) çdo paralajmërim të dhënë nga prokurori për shkelje të detyrimeve të vendosura nga gjykata gjatë periudhës së mbikëqyrjes;
g) një ekstrakt të paralajmërimit të bërë nga prokurori në rastin e shkeljeve të lehta dhe të kryera për herë të parë, nëse ka;
gj) raportin përfundimtar të hartuar nga Shërbimi i Provës në përfundim të mbikëqyrjes;
h) të dhëna mbi përparimin e të dënuarit gjatë periudhës së mbikëqyrjes, duke përfshirë arsyet për përfundimin e parakohshëm të saj;
i) kopje të ankesave të të dënuarit mbi Shërbimin e Provës dhe mënyrën e zgjidhjes së tyre;
j) kopje të ankesës së të dënuarit mbi të dhënat dhe përmbajtjen e dosjes personale;
k) urdhrin e caktimit të institucionit të ekzekutimit të masës alternative;
l) çdo dokument tjetër në lidhje me të dënuarin që është i nevojshëm për realizimin e mbikëqyrjes.