E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjeorgji, dy të vdekur nga erërat e fuqishme


Erërat e fuqishme kanë provokuar të paktën dy të vdekur gjatë orëve të fundit, në Tbilisi, në kryeqytetin e Gjeorgjisë. Erërat e forta kanë shkaktuar thyerjen e pemëve, kanë ndërprerë energjinë elektrike si pasojë e rrëzimit të shtyllave elektrike dhe kanë krijuar kaos në qarkullimin e automjeteve. Një nga pemët e thyera ka rënë mbi një makinë në qendër të Tbilisit, duke vrarë një person dhe duke plagosur dy pasagjerë të cilët janë dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Zyrat e shërbimit të emergjencës kanë regjistruar më shumë se 600 telefonata gjatë ditës, si pasojë e dëmeve të mëdha të shkaktuara nga moti i keq. Ekipet e emergjencës , së bashku me skuadrat e tjera të zjarrfikësave, po vazhdojnë punën për të pastruar rrugët. Shumë shtëpi janë dëmtuar, madje nga disa prej tyre është shkëputur tërësisht çatia. Stacioni meteorologjik kombëtar informon se erërat e forta do të zgjasin edhe për disa ditë të tjera. Autoritetet kanë paralajëmruar prindërit të mos i nxjerrin fëmijët nëpër rrugë. Kryebashkiaku i qytetit Gigi Ugulava, tha për mediat se ende nuk janë llogaritur dëmet e shkaktuara nga stuhia e erës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›