Prishtinë, gjykata lëshon urdhër-arrestin për Albin Kurtin
Gjykata në Prishtinë mesditën e djeshme ka dhënë urdhrin për arrestimin e Albin Kurtit, liderin e lëvizjes Vetëvendosja, pas mosparaqitjes së tij në seancën gjyqësore të radhës. Me gjithë urdhër-arrestin e lëshuar nga Gjykata e qarkut në Prishtinë, për ta sjellë Albin Kurtin në gjykatë, autoritetet e rendit nuk kanë arritur ta gjejnë atë. Paneli i gjykatësve
ka vendosur që seancën ta shtyjë për ditën e martë. Gjyqtari Ferdinando De Mongot, ka thënë se mosprania e të akuzuarit dhe mungesa e gjykatëses vendëse të panelit, ka bërë që seanca të shtyhet. Një gjë të tillë e ka konfirmuar dhe zëdhënësja e komponentës së drejtësisë në EULEX, Kristina Herodes. Të hënën paneli i gjyqtarëve në gjykatën e qarkut ka kërkuar nga Policia e Kosovës që ta sjellë Kurtin në gjykatë, por policia e Kosovës nuk e ka gjetur atë. Gjithashtu, njëra nga pjesëtaret e gjykatës ka pasur problem dhe nuk ka qenë e pranishme dhe kështu gjykimi është shtyrë për sot në mëngjes, ka thënë Kristina Herodes. Ndërsa, avokati mbrojtës i caktuar nga EULEX, Ramiz Krasniqi, i cili më herët kishte ofruar dorëheqje, është detyruar të paraqitet sërish në seancën kundër Kurtit. Krasniqi ka përsëritur se procesi gjyqësor ndaj Kurtit është i motivuar politikisht. Por aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca thotë se lideri i saj nuk është duke iu fshehur policisë. Albin Kurti është në Prishtinë dhe po i zhvillon aktivitetet e tij normalisht, tha Konjufca. Avokati i tij mbrojtës tha se ky gjykim është politik dhe se nuk do të jetë avokat mbrojtës i Kurtit, por do të paraqitet në Gjykatë vetëm në rast se obligohet me urdhëresë. Një qëndrim të tillë ka mbajtur edhe vetë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka deklaruar se gjykimi i Kurtit është i motivuar politikisht dhe ka për qëllim largimin nga skena të kësaj lëvizjeje. Mirëpo zëdhënësja e komponentës së drejtësisë në EULEX, Kristina Herrodesn tha se gjykata vetëm po zbaton ligjin dhe nuk ka të bëjë asgjë me politikë. Ndërkaq, një ditë më parë nëpërmjet një interviste dhënë për VOA, Kurti kishte paralajmëruar mosparaqitjen në seancën e djeshme, për shkak se sipas tij UNMIK po zhvillon një punë të padrejtë. Në vend se të merren me policët rumunë, të cilët në kuadër të kontingjentit të UNMIK-ut më 10 shkurt 2007 i patën vrarë Arben Xheladinin, Mon Balën dhe plagosur 80 të tjerë, këta po e vazhdojnë procesin politikë kundër meje, me çrast qëllimi i tyre është që në njërën anë të izolohem unë dhe lëvizja Vetëvendosje dhe në anën tjetër të kriminalizohet opozita e vërtetë në Kosovë, ka theksuar ai. EULEX ka rinisur procesin e lënë në gjysmë nga UNMIK, kundër Albin Kurtit, i cili akuzohet për pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra penale, pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare dhe për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007, në të cilat u vranë dy protestues. Atë ditë Lëvizja Vetëvendosje! ka mbajtur një demonstratë paqësore në Prishtinë, por ndaj së cilës është ndërhyrë dhunshëm nga policia e UNMIK. Si pasojë dy protestues paqësorë u vranë nga policia rumune e UNMIK dhe më shumë se 80 të tjerë u plagosën dhe lënduan. Në protestën e 10 shkurtit të 2007, nga të shtënat e policëve të UNMIK me plumba gome qenë vrarë Arben Xheladini dhe Mon Balaj. Ndërsa, dhjetëra të tjerë qenë lënduar. UNMIK mbajti Albin Kurtin në paraburgim për njëmbëdhjetë muaj dhe inicioi kundër tij një gjyq që është dënuar nga organizatat e të drejtave të njeriut në gjithë botën për shkeljet e tij të shumta. Gjyqi u pezullua në shkurt të 2008-së kur avokatët e Kosovës e mbështetën thirrjen e Albin Kurtit për të mos e mbrojtur dhe u distancuan nga ky procesi gjyqësor. Ndërkohë, tani, administrata e OKB po shqyrton kompensimin material për familjet e të vrarëve dhe të atyre që pësuan lëndime në protestat e 10 shkurtit.