Gjeorgjia e humbi luftën dhe dy krahinar
MOSKË - Përpjekjet e Gjeorgjisë për të vënë nën kontroll Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë, dështuan në mënyrë drastike, aq sa sot mund të besohet se Tbilisi e ka humbur shansin për të qeverisur këto dy krahina. Diplomatët perëndimorë dhe analistët thonë se Presidenti gjeorgjian, Mikheil Shakashvil, ka shumë pak shpresa tashmë të rivendosë autoritetin e vet, pasi dështoi në sulmin kundër Osetisë.
Një marrëveshje armëpushimi, që i dha fund një jave lufte mes Gjeorgjisë dhe Rusisë, i ka dhënë një ndjenjë besimi separatistëve në Abkhazi. Sergei Shamba, i vetëdeklaruar Ministër i Jashtëm i Abkhazisë, deklaroi se tashmë “Gjeorgjia duhet ta pranojë si vend më vete”.
“Ne kemi zhvilluar bisedime me Gjeorgjinë për 15 vjet dhe tashmë e tutje, do të flasim vetëm pasi ata të na njohin pavarësinë”,- deklaroi ai. “Ka patur shumë propozime dhe ata i kanë hedhur poshtë të gjitha. Tani më duket e pakuptimtë të diskutohet më tutje”. Edhe presidenti i vetëshpallur i Osetisë së Jugut, Eduard Kokoity, deklaroi diçka të ngjashme për mediat ruse. Ushtria e Gjeorgjisë sulmoi për të marrë Osetinë e Jugut nga rebelët vendës, por u detyrua të tërhiqej nën presionin e tankeve ruse.
Në të njëjtën kohë, Gjeorgjia humbi edhe bazën e vet të fundit në Abkhazi. “Nga pikëpamja ushtarake, Rusia arriti një objektiv strategjik. Demonstroi aftësinë e vet për të goditur”,- deklaroi një analist. Rusia, përveçse përzuri Gjeorgjinë nga dy krahinat, duket se ka shkatërruar edhe pjesën më të madhe të aftësisë luftuese të ushtrisë së Tbilisit. Gjithsesi, dy krahinat nuk mund të krahasohen me Kosovën, sipas një analisti rus. “Kjo për shkak se SHBA-të arritën të mobilizonin 40 vende për të njohur pavarësinë e njëanshme, ndërsa Moska, nuk do të jetë në gjendje të bindë as edhe një vend të vetëm, as Bjellorusinë apo Armeninë”,- deklaroi Fyodor Lukyanov, analist në Moskë.
Dhe konflikti mbetet i pazgjidhur...
Në rastin e Abkhazisë, është e sigurt se ai vend me 160 mijë banorë, mund të arrijë në njëfarë mënyre të mbetet i pavarur, por për Osetinë e Jugut, duket se e vetmja zgjidhje është të bëhet pjesë e Federatës Ruse. Megjithatë, nuk është e sigurt nëse Rusia do të njohë apo jo pavarësinë e dy krahinave. Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov krahasoi Gjeorgjinë e Qipron, duke sugjeruar se dy konfliktet do të mbeten në ngrira për shumë dekada. Diplomatët perëndimorë mendojnë se Moska ka më shumë për të fituar duke ruajtur situatën aktuale sesa duke e zgjidhur problemin.