E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sakashvili humbës - Rusia fituese - bilanci i tmerrshëm

Pesë ditë luftime, shkaktuan mijëra të vdekur të pafajshëm dhe dhjetëra-mijëra të shpërngulur

Pesë ditë pas fillimit të luftës në Kaukaz, Rusia dhe Gjeorgjia kanë pranuar një plan paqeje të ndërmjetësuar nga Franca për pushimin e të gjitha luftimeve. Luftimet i kushtuan jetën disa mijëra njerëzve. Ai ka qenë heroi i revolucionit të trëndafilave. Mihail Sakashvili mori në dimër të 2003-it mbi 90 për qind të votave, por tani e humbi emrin e mirë. Ofensiva në Osetinë Jugore e zhvilluar të premten e kaluar, që shkaktoi shpërthimin e luftës, kryetari i shtetit gjeorgjian duhet ta ketë urdhëruar i ndodhur nën presion psikologjik. Separatistët goditën fshatra osetojugorë. Pamjet u treguan në televizion. Gjaknxehti Sakashvil reagoi me sa duket pa u menduar mirë, por me dy synime në kokë, se momenti është i përshtatshëm, meqenëse Putin ndodhet në Lojërat Olimpike në Pekin, dhe Medvedev në Vollga dhe se SHBA-të do të ndihmojnë me siguri.

Pesë ditë luftë dhe mijëra të vrarë

Por këto mendime ishin të gabuara. Bilanci është i tmerrshëm: pesë ditë luftë, me mijëra të vrarë dhe shtëpi të shkatërruara, dhjetua-mijëra refugjatë. Synimi për t'u futur në NATO është bërë më i largët. Kurse Rusia arriti atë që donte. Ajo e prezanton Sakashvilin si agresor dhe shkaktar të një gjenocidi në Osetinë Jugore. Osetia Jugore dhe Abkhazia kanë tani në dorë argumente të rëndësishme për të kërkuar largimin nga Gjeorgjia.

Sakashvili humbet mbështetjen

Në politikën e brendshme, Sakashvili ka humbur po ashtu mbështetjen. Në pesë vjet të mbajtjes së postit si President, ai nuk ka mbajtur premtimet për zhvillimin ekonomik, papunësia dhe varfëria vazhdojnë të jenë të larta. Ai pengon opozitën, nuk ka arritur të luftojë korrupsionin dhe nuk ka nxitur krijimin e një sistemi të pavarur drejtësie. Sakashvili i Gjeorgjisë i ngjan Putinit të Rusisë, pavarësisht se heroit të revolucionit të trëndafilave nuk i pëlqen ta dëgjojë këtë. Ditët e Sakashvilit si Presidenti i Gjeorgjisë janë të numëruara. Opozita do të bëhet sërish e fortë, Sakashvili do të ndiejë zemërimin e masave. Mbase dhjetëra-mijëra dalin në rrugë dhe kërkojnë zgjedhje të reja, ose kërkojnë dorëheqjen e tij.

Vetë ai nuk pritet të largohet, sepse vetëkritika është fjalë e panjohur për të. Vetëm një gjë mund ta zgjasë qëndrimin e tij, pikërisht kërkesa e Rusisë për largimin e tij. Gjeorgjia nuk do të jetë më satelit i Moskës. Prej andej nuk mund të merren më vendime për Republikën e Kaukazit, aq më tepër tani.

--------------------------------------------------Bush: Rusë, tërhiquni nga Gjeorgjia

Presidenti Xhorxh Bush i bëri thirrje Rusisë të përmbushë angazhimin e saj për një armëpushim në Gjeorgji dhe të tërheqë trupat e saj nga ai vend. Presidenti tha sot në Shtëpinë e Bardhë se është i shqetësuar rreth njoftimeve se Rusia nuk ka ndalur operacionet ushtarake në Gjeorgji, siç u njoftua më parë nga Moska.

Zoti Bush tha se pret nga Rusia që të tërheqë trupat e saj, të cilat kanë hyrë në Gjeorgji gjatë ditëve të fundit. Presidenti i bëri gjithashtu thirrje Rusisë të lejojë një mision humanitar të drejtuar nga ushtria amerikane. Shtetet e Bashkuara kanë në plan të përdorin forca ajrore dhe detare për të shpërndarë ndihma humanitare dhe mjekësore.

Presidenti tha se kishte folur në telefon me presidentin e Gjeorgjisë, Mikhail Saakashvili, si dhe me Presidentin francez, Nicolas Sarkozy, i cili është angazhuar në përpjekjet e paqes mes Rusisë dhe Gjeorgjisë.

Zoti Bush njoftoi se Sekretarja Amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, do të shkojë në Francë për t’u takuar me zotin Sarkozy, dhe pastaj do të shkojë në Gjeorgji për të vazhduar përpjekjet, siç u shpreh Presidenti, për të siguruar mbështetjen e Amerikës në mbrojtje të një Gjeorgjie të lirë.

Plaçkitje dhe të shtëna në qytetin gjeorgjian të Gorit

Dëshmitarë okularë thonë se ka pasur të shtëna dhe vjedhje në qytetin gjeorgjian të Gorit dhe fshatrat përreth, vetëm disa orë pasi Franca arriti një marrëveshje armëpushimi mes Rusisë dhe Gjeorgjisë. Një korrespondent i BBC jashtë qytetit, tha se tanket ruse duket se kanë shkatërruar pajisjet ushtarake në një bazë aty pranë. Banorë që largohen kanë njoftuar vjedhje dhe plaçkitje masive nga separatistët e Osetise së Jugut, ku njerëzit plaçkiten nën grykën e armëve dhe shtëpive të tyre u vihet zjarri. Një autokolonë e blinduar ruse lëvizi në drejtim të Jugut, drejt kryeqytetit gjeorgjian Tbilisi, por më vonë u kthye nga rruga. Një zëdhënës ushtarak rus tha se forcat ruse po largonin pajisje të rënda ushtarake dhe municione nga një bazë e pambrojtur gjeorgjiane jashtë qytetit Gori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›