E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të harruar nga të gjithë

Mauzoleumi i Dëshmorëve në qytetin e Durrësit është lënë në mjerim duke u shkatërruar nga dita në ditë. Edhe pse vetë veteranët ankohen për këtë fenomen, nuk është marrë asnjë veprim konkret

DURRËS- Mauzoleumi i Dëshmorëve në qytetin e Durrësit është braktisur dhe harruar nga të gjithë. Edhe pse veteranët e qytetit disa herë kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për mënyrën e trajtimit të këtij objekti, sërish nuk kanë mundur të gjejnë një zgjidhje. Ata kanë ngritur edhe problemin e mos trajtimit si duhet të objekteve të dëshmorëve të luftës si armët, mjetet e organizimit në ilegalitet, literaturë etj. Sipas veteranëve, muzeu i armëve të përdorura në luftë ndodhet tashmë në bibliotekën angleze ku i janë lënë vetëm mjediset e katit të sipërm të ndërtesës. Praktikisht, thonë ata, ato objekte janë përsëri në “ilegalitet” sepse askush nuk mund t’i shohë nëse ka dëshirë. Madje s’ka as orar të përcaktuar se kur mund të vizitohet. Në muzeun e luftës askush s’mund të gjejë asnjë dokument për të rënët.

Veterani

Veteran i luftës, Demir Kanani, i cilika qenë i inkuadruar e “Brigadën e VI– të Sulmuese” shpreh keqardhjen se si po trajtohen bashkëluftëtarët e tij pas vdekjes. “Me shumë prej tyre,- thotë Demiri,- kemi luftuar deri në çlirimin e territoreve të ish- Jugosllavisë. Dhe është për tu çuditur se si dikur i nderuam duke i rivarrosur në një ndërtesë nga më të bukurat në vend që në vitin 1949, kur popullit tonë i mungonte buka e gojës, e tani lihen pas dore, kur janë mundësitë për t’i respektuar ashtu siç bëjnë sot të gjithë popujt e civilizuar të Europës e vetë SHBA”. Ish-luftëtari që sot gëzon kartën e veteranit Internacionalist shton se i duket shumë e pakuptueshme që të ngrihet një bibliotekë mbi një varrezë. “Po kjo është kohë e mbushur me paradokse pasi kjo bibliotekë duhet të jetë magazinë librash, pasi ne gjithë ditën e kalojmë tek lulishtja pranë muzeut dhe s’shohim të vijë kush për të lexuar gjësendi”,- thotë veterani.

Ambientet e braktisura

Realisht në katin e poshtëm të muzeut kishte mjaft hapësira boshe madje jo shumë të dëmtuara, pasi thjesht gjatë trazirave të vitit 1997 janë transferuar materialet në vende të tjera më të përshtatshme, për të qenë edhe më të mbrojtura. Këtu ka qenë arkivi i historikut të luftës në Durrës dhe më vonë ishte përqendruar i gjithë inventari i Galerisë së Artit të këtij qyteti, pasi mbeti pa sallë. Interesohemi se ku ndodhen dhe mësojmë se të gjitha janë përqendruar për tu ruajtur pranë Muzeut Rajonal Etnografik. Mjediset e Ndërtesës ku ruhen eshtrat e të rënëve ishin shumë të pastra, por nga koha kanë filluar të dëmtohen shkallët dhe pllakat e cilësisë së dobët të prodhimit vendas. Madje ish-pllakat me të cilët ka qenë shtruar sheshi të cilat janë zëvendësuar, gjatë viteve 1992 – 93 u janë shitur në Itali kompanive restauruese të banesave me që ishin prodhim Italian i viteve 30. Duket një vend i mirëmbajtur por që ka nevoje për tu vënë dorë. Në muzeun Etnografik ishin në dijeni për gjendjen. Atje na thanë se tek Muzeu i Luftës shumë ambiente që i kanë shërbyer arkivit të muzeut janë të dëmtuara. Për këtë kanë gjetur mirëkuptim me Kryetarin e Bashkisë së Durresit, Vangjush Dakon, për të nisur riaftësimin e sallave dhe rritjen e gamës së veprimtarive.

Dëshmorët në sallën e Muzeut Etnografik

Një sallë të Muzeut Etnografik e zinin plotësisht pikturat e Galerisë “inekzistente” të Artit, ndërsa dokumentacioni ishte i shpërndarë në dhoma të ndryshme dhe administrohej nga Drejtoria e këtij muzeu. Materialet që duhej të ishin realisht tek Muzeu i Luftës dhe ndodhen në muzeun etnografik, e kanë ngushtuar hapësirën, duke penguar edhe funksionimin normal të muzeut “Aleksander Moisiu”, i cili në sezon vere funksionon edhe për të shtunave e të dielave me orar të dyfishtë, për shkak të vizitorëve që vijnë nga vende të ndryshme të botës. Një sasi dosjesh ndodheshin në zyrën e drejtorit, Edmond Agolli ndërsa sasia tjetër në dhomën muze të aktorit tonë të shquar, Aleksandër Moisiu. Ato ishin të arkivuara në dollapë pranë një skulpture monumentale të aktorit të madh. Përshtypja e parë kur ndjek ecurinë e arkivimit pranë bustit të aktorit që bën një monolog me kafkë në dorë, sikur të krijohet ideja se edhe Moisiu paska qenë marrë me mbledhjen e eshtrave dhe varrosjen e dëshmoreve.

Agolli: Brenda pak ditësh rikthejmë normalitetin

“Mbase duhet gjetur një zgjidhje që gjatë riparimit të mjediseve të brendshme të Muzeut të Luftës, siç na është premtuar nga kryebashkiaku, të riparohej edhe ambienti i jashtëm, që deri tanii ka rezistuar kohës për rreth 60 vite”,- thotë drejtori Agolli. Ai sqaron se dhomat e poshtme tek objekti janë dëmtuar gjatë vitit 1997 së bashku me pasuri historike e objekte të ndryshme. Po për ta rikthyer në gjendjen e mëparshme, nuk duhet ndonjë investim i madh. Për këtë po përgatitet një projekt që ka gjetur mbështetjen e Bashkisë. Specialistët e muzeut kanë punuar realisht qoftë edhe në kushtet e vështira që kanë pasur. Ata sapo kanë përfunduar përpunimin e katalogimit të dosjeve të 251 dëshmorëve e 43 patriotëve të rrethit të Durrësit. Edmond Agolli sqaron se kjo pasuri historike e vendit është përpunuar duke dërguar në Muzeun Qendror te Tiranës të gjitha dosjet origjinale të kategorizuara dhe të klasifikuara si pasuri kombëtare. Ai shpreh bindjen se rikthimi në normalitet i muzeut të luftës në qytetin e Durrësi, është çështje ditësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›