E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu: Legalizimet, jo në kurriz të ish-pronarëve

 

Aleati më i madh i PD-së, Partia Republikane, pozicionohet në krah të ish-pronarëve lidhur me administrimin e çështjes së pronave. Kryetari i republikanëve, Fatmir Mediu, tha dje në një prononcim për mediat se procesi i legalizimit nuk duhet të bëhet në kurriz të ish-pronarëve, por të ketë një marrëdhënie më të drejtpërdrejtë mes tyre. “Procesi i legalizimit nuk mund të bëhet në kurriz të pronarëve legjitimë, prandaj duhet parë një raport i drejtë mes pronarëve legjitimë dhe atyre që e kanë zaptuar pa të drejtë pronën, në mënyrë që çdo proces legalizimi të ketë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë, në radhë të parë duke vlerësuar të drejtën e pronës legjitime”, theksoi Mediu. Sipas tij, “Shoqata ‘Pronësi me Drejtësi’ ka ekspertë të një niveli të tillë, që e njohin mirë këtë çështje të pronës private, ndaj dhe qeveria duhet t’i dëgjojë me kujdes kërkesat e tyre, pavarësisht nga realiteti në të cilin ne jemi me zbatimin pa të drejtë të tokës, pavarësisht nga tendencat e politikave sociale që kanë tentuar qeveritë e majta dhe të djathta për çështjen e legalizimit”. Mediu komenton dhe tërheqjen e përkohshme të partisë së tij nga kërkesa për abrogimin e ligjit 7501 të pronave, duke dalë në krah të Berishës. “Nuk arritëm maksimumin, pasi pesha politike e PR-së është ajo që është. Në Parlament për të ndryshuar një ligj duhen 51% të votave dhe duke parë edhe realitetin shqiptar ashtu siç është, unë nuk mendoj se PR-ja mund të krijonte një krizë qeverisëse të djathtë për shkak të pozicionit të saj politik. Por shoh që PD-ja në mënyrë të vazhdueshme është afruar në idetë e PR-së”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›