Klosi: Qeveria dështoi në rritjen e turizmit
PS-ja akuzoi dje qeverinë se ka dështuar në politikat e saj të turizmit dhe në infrastrukturën turistike që u afroi shqiptarëve dhe të huajve këtë sezon veror. Sekretari organizativ në PS, Blendi Klosi, tha dje se plehrat në të gjitha ambientet turistike tregojnë dështimin e plotë të qeverisë. “Plehrat në anë të rrugëve nacionale i vrasin sytë çdo turisti që zbret drejt Sarandës apo ngjitet drejt Shëngjinit. Plehrat në hyrje e dalje të të gjitha zonave me banesa e hotele buzë Adriatikut e Jonit, janë vula e një politike të dështuar mjedisore dhe e një qeverisjeje primitive që s’është në gjendje të kryej as edhe një shërbim të rëndomtë pastrimi mbeturinash anës rrugëve nacionale e pranë zonave turistike”, tha Klosi. Sipas tij, “mungesa e infrastrukturës së kanalizimeve e të përpunimit të ujërave të zeza në të gjitha zonat me banesa e hotele buzë Adriatikut e Jonit, që janë të mbushura me gropa septike, është shembulli më flagrant i një politike të dështuar turistike dhe i një qeverisjeje primitive që s’është në gjendje të kryejë as edhe një shërbim të rëndomtë trajtimi ujërash të zeza në zonat turistike, ku kushtet e higjienës janë jashtë çdo standardi evropian”. Por sekretari socialist akuzoi qeverinë se masakra urbane vazhdon të shkatërrojë plazhet dhe ambientet turistike të vendit. “Masakra urbane vijon ditë-natë edhe në këto ditë pushimi, duke ngrënë çdo ditë mijëra m2 rërë, kodër, ajër dhe jo vetëm duke shpërfytyruar e shëmtuar çdo ditë e më shumë zonat turistike me banesa e hotele të ndërtuara kuturu, por edhe duke rritur volumet e rrezikshme të ndërtimit mbi troje të rrëshqitshme si rëra e ullishte matanë hekurudhës Kavajë-Durrës, ku po ngrihen pallate me shumë kate. Kjo lloj industrie e injorancës dhe korrupsionit është fytyra më besnike e një politike të dështuar zhvillimi urban dhe e një qeverie të verbuar nga injoranca e krimbur nga korrupsioni”, tha Klosi.