E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjeorgjia mund të tërhiqet nga Olimpiada

Delegacioni olimpik i Gjeorgjisë mund të tërhiqet nga Olimpiada e Pekinit, për shkak të konfliktit të armatosur që ka lindur me Rusinë ditët e fundit. Lajmin e bëri të ditur Giorgi Tchanishvili, zëdhënës i Komitetit Olimpik të Gjeorgjisë. "Nuk kemi marrë ende asnjë vendim, por jemi duke diskutuar rreth kësaj çështjeje," - tha Tchanishvili, pa dhënë një afat se kur mund të merret vendimi. Por gjithçka mund të varet edhe nga një urdhër i presidentit gjeorgjian, Mikail Sakashvili. Ndërkohë, në delegacionin olimpik të Gjeorgjisë shqetësimi për situatën në vend është i madh. 35 atletët e kualifikuar për në Lojërat Olimpike janë shprehur se janë të shqetësuar për situatën në vendin e tyre. Zëdhënësi i delegacionit, më tej tha: "Jemi në ankth, sepse bilanci i viktimave në vend po rritet dhe situata po rëndohet dhe kemi disa orë që nuk arrijmë të flasim në telefon apo me celular me të afërmit tanë në Gjeorgji. Komiteti organizativ i Lojërave Olimpike nuk na lejon që të mbajmë një konferencë për shtyp, për të bërë publike gjendjen në vend, duke na thënë që nuk jemi të autorizuar." Por sportistët gjeorgjianë mund të nisin një lëvizje 'diplomatike', për të tërhequr vëmendjen e botës. Lajmi i fundit është se shumë atletë gjeorgjianë, që ndodhen në Pekin, janë të gatshëm të kthehen në vend për t'iu bashkuar forcave të ushtrisë. Ndërsa kampioni gjeorgjian i xhudos, Sviadauri, i ka kërkuar CIO-s që të skualifikojë sportisët rusë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›