E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sahit Prizreni, gati për sfidën

Mundësi i stilit të lirë, i renditur i treti në botë në peshën 60 kg, Sahit Prizreni, shprehet se do të jetë i gatshëm për sfidën olimpike. Prizreni u dëmtua në gju gjatë stërvitjes në kampin olimpik, një dëmtim që e detyroi të zhvillonte një terapi intensive për rikuperimin e dëmtimit. Tashmë duket se terapia ka dhënë frytet e saj dhe Prizreni shprehet se do të jetë i gatshëm për sfidën olimpike. "Kam pasur kohë të mjaftueshme për rikuperimin e dëmtimit, edhe pse nuk ka qenë dëmtim i lehtë, por mendoj se do të jem i gatshëm për sfidën time. Është një shans për mua, që nuk dua ta humbas,"- është shprehur Prizreni nga Pekini. Për sportistin shqiptar, që përfaqëson mundjen e lirë, olimpiada është ngjarja më e madhe sportive, duke e konsideruar këtë aktivitet më të rëndësishmin e karrierës së tij. Konkurrimi për Sahit Prizrenin nis më 19 gusht, në orën 9.30 me orën e Pekinit, me takimet eliminatore. Nëse Prizreni kalon raundin e parë, ai mund të pretendojë për zonën e medaljeve. Prizreni është sportisti i fundit që mbyll konkurrimin për ekipin tonë në Lojërat Olimpike "Pekin 2008". Edhe në debutimin e tij në Lojërat e "Athinë 2004", ky sportist ishte i fundit që i dha lamtumirën olimpiadës së 4 vjetëve më parë. Ndërsa sportisti tjetër i mundjes klasike, Elis Guri, do të ngjitet në tapet më datën 14 gusht. Guri në fakt ka hasur vështirësi gjatë seancave stërvitore në gjetjen e partnerëve për stërvitje për shkak edhe të peshës së tij të rëndë, 96 kg. Ai i është bashkuar ekipit të Kubës për të kryer seancat stëvritore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›