Gjeorgjia në alarm nga shpërthimi i minave
Një luftanije amerikane e ngarkuar me ndihma humanitare për popullatën e goditur nga sulmet luftarake, mbërriti dje në brigjet e Gjeorgjisë, duke dhënë një sinjal të fortë të përkrahjes së Uashingtonit për këtë vend. Luftanija USS Mc Faul, ka mbërritur në portin e Batumit dhe e ka hedhur spirancën qindra metra larg portit, që teknikisht nuk është i përshtatshëm për anije të këtij kapaciteti. Porti kryesor i vendit, (80 km larg nga Batumi), ai i ndodhur në Poti, që është i përshtatshëm për ankorimin e luftanijeve, është plotësisht nën kontrollin e rusëve, të cilët edhe pse deklaruan se kanë bërë tërheqje të plotë nga Gjeorgjia, zotërojnë ende kontrollin e 14 pikave në territorin e saj. Kjo i detyroi amerikanët të afroheshin në një tjetër port. Dy luftanije të tjera amerikane pritet të mbërrijnë gjatë javës. Sipas sekretarit të këshillit për sigurinë kombëtare të Gjeorgjisë, Alexander Lomaja, rusët zotërojnë 14 pika kontrolli në qytetet gjeorgjiane përveç tetë pikave në Osetinë Jugore dhe nuk kanë dhënë asnjë shenjë se do të largohen. Franca dhe Shtetet e Bashkuara i kërkuan Rusisë, që të tërheqë trupat edhe nga ky port. Presidenti francez, Nikola Sarkozi, në një bisedë telefonike me homologun rus, Dimitri Medvedev, i ka kërkuar Rusisë të braktisë edhe postblloqet në Poti dhe në Senaki, sa më shpejt që të jetë e mundur. Sarkozi do të mbledhë 27 vendet anëtare më 1 shtator, në një samit ku do të diskutohen marrëdhëniet Rusi-BE. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhondro tha se ngritja e postblloqeve nga ana e Rusisë shkel marrëveshjen e armëpushimit me Gjeorgjinë. Ndërkohë, vendi është në alarm nga shpërthimi i minave të vendosura nga trupat ruse gjatë ditëve të konfliktit. Dy mina plasën dje në afërsi të qytetit Gori, duke shkaktuar vdekjen e një gruaje 35-vjeçare dhe plagosjen e një burri. Edhe një tren që transportonte karburant ka shpërthyer pranë qytetit Gori, pasi ka kaluar mbi një minë të vendosur në binarë, në një pikë strategjike të kalimit të naftës nga Lindja në Evropë.