E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama-Biden nisin turneun, sulm kundër rivalit Mekein

Fjalimi i parë i Barak Obamës me kandidatin e tij për zëvendëspresident, Joe Biden në Springfilld ka nisur me sulm kundrejt rivalit republikan. 

 Në kryeqytetin e Illinoisit, Biden ka sulmuar kundërshtarin e Obamës, Xhon Mekein për figurën e keqe që ka bërë për numrin e shtëpive që zotëron ai dhe e shoqja, shtatë të tilla, dhe mbi mbështetjen e paqëndrueshme për presidentin aktual, Bush, nga i cili Mekein shumë herë ka tentuar të distancohet. “Nëse tryeza e kuzhinës suaj është si e imja, në mbrëmje ju uleni aty para se të vini në gjumë fëmijët dhe bisedoni me familjen mbi gjërat e nevojshme”, tha Biden para 35 mijë simpatizantëve duke iu referuar Mekeinit. “Zonja dhe zotërinj, ky shqetësim nuk i takon Xhon Mekein, ai vuan më shumë sepse ka shtatë tryeza dhe shtatë kuzhina, nuk di se ku të ulet më parë”, ironizoi Biden duke kujtuar gjithashtu, se Xhon Mekein ka thënë se Bush e ka çuar vendin drejt një politike të gabuar. “Amerika nuk mund të ndryshohet duke mbështetur politikën e Bushit në 95 për qind të kohës”, përfundoi Biden. Ndërkohë Mekein ka sulmuar për të dytën herë zgjedhjen e Obamës për zëvendëspresidentin. “Pse Obama zgjodhi Biden dhe jo rivalen e tij që ka fituar shumë popullaritet, Hilari Klinton?”, pyet ai. Mekein kujton se gjatë betejës së parë Hilari Klinton ka thënë për Obamën shumë vlerësime të këqija përfshirë dhe “Fushata e senatorit Obama është bërë shumë negative”. Krye-strategjisti i Obamës, David Axelrod përgjigjet se Biden ishte zgjedhja më e mirë. Zgjedhja e Bidenit si zëvendëspresident në përgjithësi është mirëpritur nga demokratët. Karoline Kennedy, një anëtare e skuadrës së Obamës, tha se “Joe Biden ishte absolutisht më i miri” nga zgjedhjet që kishin përpara. Presidentja e Dhomës Përfaqësuese, Nensi Pelosi, tha se Biden ofroi “paketën e plotë”. Ajo tha se ai “kishte sfiduar status quo-në. Madje ai e ka kritikuar senatorin Obama dhe kjo do të thotë se Obama nuk ka zgjedhur thjesht një njeri që ta ketë si mbështetës të tij. Por edhe një person, tek politika dhe eksperienca e të cilit beson, që do ta dëgjojë edhe kur të mos i pëlqejë ajo që do t’i thotë”, tha Pelozi. Edhe pse Mekein e ka kritikuar dhe sulmuar zgjedhjen e Joe Biden si zëvendëspresident, dy nga kandidatët e tij potencialë për zëvendëspresidentin nga ana e republikanëve, Tim Kaine dhe Bill Ritter e kanë mirëpritur zgjedhjen e tij. Tashmë Biden dhe Obama do të kalojnë një turne nëpër Uiskonsin, Ioua, Misuri dhe Montana përpara emërimit nga Kongresi i demokratëve të enjten në Denver.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›