Gara e alternativave, PS-LSI përplasen për bujqësinë
Dy ditë pas LSI-së, PS hedh strategjinë e saj
Rama premton leje lindjeje për gratë në fshat
Oponenca mes dy partive të majta, PS e LSI, ka zbritur nga podiumet e akuzave në përplasjen e alternativave elektorale. Më shumë se sa me mazhorancën, këto dy parti po garojnë me njëra-tjetrën për të fituar besimin e elektoratit të majtë, pasi u mbyllën të gjitha rrugët që mund të çonin në një marrëveshje bashkëpunimi parazgjedhore. Përplasja më e fundit ishte ajo e platformave politike-elektorale për zhvillimin e bujqësisë. Vetëm disa ditë pasi Lëvizja Socialiste për Integrim shpalosi idetë e saj për bujqësinë, dje Partia Socialiste zgjodhi qytetin e Lushnjes, për të bërë publike platformën e saj. Megjithëse mund të ketë qenë një koiçidencë paraqitja e dy platformave të tyre brenda pak ditësh, duket qartë gara që kanë këto parti për të qenë të parat në hedhjen e alternativave. E njëjta gjë u vu re me programin politik qeverisës, të cilin PS e trumbetoi një vit rresht, por akoma nuk e ka bërë publik. Por LSI nxitoi të nxirrte skeletin e programit të saj qeverisës, duke bërë publike shtyllat kryesore ku do të bazohet ai. Një luftë influence kjo mes dy ish-aleateve, që duket se do të bëhet më e fortë me afrimin e zgjedhjet.
Bujqësia
Disa ditë më parë, Ilir Meta shpalosi prioritetet për bujqësinë, duke thënë se “angazhimi i buxhetit të shtetit në nxitjen e prodhimit vendas do të jetë serioz. Modeli ynë subvencionues nuk do të jetë as fiktiv e as klientelist. Ai do të jetë një ndryshim thelbësor i subvencionimit, duke aplikuar subvencionimin për njësi produkti, pra subvencione për çdo kilogram mish, grurë, fruta apo litër qumësht të prodhuar”. Dje homologu i tij socialist, Edi Rama, zhvilloi në qytetin e Lushnjes Konferencën Kombëtare të Bujqësisë të Partisë Socialiste, ku në të vërtetë u mor më shumë me premtimet e qeverisë aktuale, duke u premtuar socialistëve se ai do të mbajë ato premtime që nuk realizoi Berisha. Pjesa më e madhe e fjalës së tij ishte evidentimi i mosarritjeve të qeverisë. Ndërkohë për sa i takon asaj çfarë PS ofron si zgjidhje për këtë sektor, ai ka hedhur vetëm një propozim konkret, që ka të bëjë me vendosjen e lejes së lindjes për gratë që punojnë në bujqësi. Sipas njoftimit zyrtar të PS-së, Rama është shprehur se “janë më shumë se 50% e nënave në Shqipëri të pambuluara me përfitimin e barrëlindjes, që do të thotë se janë më shumë se 50% në Shqipëri fëmijët që lindin dhe nuk e kanë nënën pranë. E kjo, në shekullin e 21-të në mes të Evropës”. Më tej, ai ka theksuar se “ne do ta vendosim menjëherë përfitimin nga barrëlindja për çdo nënë në qytet dhe në fshat, sepse ky është një detyrim i të gjithë shoqërisë sonë”. Sipas tij, “nuk ka asnjë justifikim të mundshëm për asnjë shtet dhe për asnjë qeveri që mund të fshihet pas kontributit të sigurimeve, gjë që sot është e pamundur për shumë e shumë familje që mezi nxjerrin bukën e gojës”.
Kreu socialist ka premtuar që të fusë bujqësinë në tregun kapitalist, duke thënë se futja e bujqësisë në kapitalizëm do të bëhet “përmes nxitjes së interesit individual dhe të përbashkët të njerëzve”.