E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Bumçi të heqë dorë nga kandidimi, është i përfshirë në tragjedinë e Gërdecit



Partia Socialiste ka kërkuar largimin e ish-ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi nga kandidimi për deputet për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Anëtarja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Lindita Nikolli, kërkoi që Bumçi të heqë emrin nga lista e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike, pasi ai është i përfshirë personalisht në krimin shtetëror që shkaktoi tragjedinë e Gërdecit. “Sot i drejtohemi publikisht kandidatit për deputet në qarkun e Tiranës, Aldo Bumçi, me kërkesën për t’u tërhequr nga kandidimi dhe për t’u larguar nga lista e Partisë Demokratike. Aldo Bumçi është përfshirë personalisht dhe qartësisht në tragjedinë e Gërdecit duke lejuar zhvillimin e një aktiviteti të paligjshëm që mori jetën e 26 të pafajshmëve. Shkresa zyrtare e ish-ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi, e cila i hap rrugën tragjedisë së Gërdecit, i drejtohet veç të tjerëve edhe djalit të Sali Berishës. Sali Berisha nuk mund të mbajë në listën e kandidatëve për deputetë njerëz që në mënyrë të vetëdijshme mbuluan me trup qeverinë shqiptare duke shkaktuar një nga tragjeditë më të rënda në Shqipëri. Kandidimi i Aldo Bumçit në Tiranë dhe përfshirja e tij në listën e deputetëve është jo vetëm e gabuar, por dhe një shprehje e qartë e politikës së vjetër që ka mbërthyer Sali Berishën. Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë”, - tha Nikolli.

19 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›