E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i ODIHR-it: “Vendosja e posterave ka rritur tensionin gjatë fushatës”

Qeveria ka vazhduar ti përdorë aktivitetet zyrtare në funksion të fushatës. Vëzhguesit raportojnë se mbi punonjësit e sektorit publik po ushtrohet presion

Eljona Ballhysa
Misioni i Vëzhguesve të ODIHR-it, në raportin e tretë mbi ecurinë e procesit zgjedhor në Shqipëri, konstaton se janë rritur tensionet gjatë fushatës zgjedhore. Gjatë ditës së djeshme kryetarja e misionit të vëzhguesve, Odrei Glover, bëri të ditur se gjatë periudhës nga data 3 deri më 13 qershor është nxehur klima politike dhe veçanërisht vendosja e posterave ka rritur tensionin duke shënuar dhe viktimën e parë, vrasjen e një mbështetësi të PD-së. Raporti i ODIHR-it gjithashtu konstaton se qeveria ka përdorur aktivitetet zyrtare në funksion të fushatës elektorale, ndërsa punonjësit e sektorit publik janë detyruar të ndjekin aktivitetet elektorale. Në raport jepen të dhëna për ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve me karta identitetit.
Situata zgjedhore
“Situata e fushatës ka qenë përgjithësisht e qetë. Megjithatë, me shtimin e veprimtarive të fushatës ka pasur edhe një rritje tensioni në disa zona. Mosmarrëveshje ka pasur në mënyrë të veçantë për vendosjen e posterave dhe parullave”, - shkruhet në raportin e vëzhguesve të ODIHR-it. Sipas Nenit 79 të Kodit Zgjedhor, autoritetet lokale duhet të caktojnë hapësira publike për vendosjen e posterave politikë dhe të njoftojnë për këtë subjektet zgjedhore përkatëse. Megjithatë, në shumë raste, partitë nuk janë informuar për hapësirat që u janë caktuar. Kjo ka shkaktuar probleme në disa raste. “Mosmarrëveshjet për vendosjen e posterave arritën një tjetër dimension më 12 qershor, kur në fshatin Qerret pranë Durrësit, një aktivist i PS-së qëlloi dhe vrau një aktivist të PD-së pas një grindjeje për vendosjen e posterave”, - konstatohet në raport. Vëzhguesit e ODIHR-it kanë konstatuar se edhe çadrat e tendat e fushatës kanë shkaktuar mosmarrëveshje. “Më 4 qershor, kryetarja e Njësisë Bashkiake Nr. 6 në Tiranë hoqi një tendë të PS-së jashtë një zyre aplikimi për kartat e identitetit, pas një debati nëse autorizimi duhet të bëhej nga kryetari i Bashkisë së Tiranës apo nga kryetari i njësisë bashkiake. Pas incidentit, ku pati edhe përdorim dhune, tenda u vendos sërish në vend”, - shkruhet në raport.
Sipas vëzhguesve të ODIHR-it, fushata vazhdon të mbizotërohet pjesërisht nga mosmarrëveshjet për shpërndarjen e kartave të identitetit. Fushata e PS-së është përqendruar në paralajmërimet se zgjedhjet mund të humbasin legjitimitetin në rast se një numër i madh i zgjedhësve mbetet pa karta identiteti dhe nuk janë në gjendje të votojnë, si dhe mbi akuzat që qeveria ka dhënë informacione false mbi kartat e identitetit dhe pasaportat. “Qeveria ka vazhduar të përdorë aktivitetet zyrtare në funksion të fushatës. Inaugurime të infrastrukturës nga zyrtarë të lartë të qeverisë janë kryer më shpesh seç ndodh jashtë periudhës së fushatës. Për shembull, në inaugurimin nga ana e kryeministrit të një parku hidro-energjetik pranë Elbasanit më 8 qershor dhe një rruge në afërsi të Fierit më 10 qershor ishin të pranishme turma të mëdha njerëzish që valëvisnin flamuj të PD-së. Fjalimet e kryeministrit kishin karakteristikat e fjalimeve të fushatës. Shkollat u mbyllën që nxënësit të merrnin pjesë në këto aktivitete. Shkollat u mbyllën edhe për një miting që po zhvillohej në zonën e Korçës dhe ku merrte pjesë kryetarja e Parlamentit dhe zëvendëskryetarja e PD-së, Jozefina Topalli. Vëzhguesve të ODIHR-it vazhdojnë t’i vijnë aludime për ushtrim presioni ndaj punonjësve të sektorit publik”, - shkruhet në raportin e ODIHR-it. Ata sjellin një rast të ndodhur në rrethin e Peqinit, ku punonjësve të Bashkisë iu kërkua nga shefat e tyre të merrnin pjesë në një miting të PD-së. Gjatë ditës, Bashkia e ndërpreu punën; vëzhguesit afatgjatë të OSBE/ODIHR-it u informuan se punonjësit e Bashkisë ishin të zënë me përgatitjet për mitingun.
Administrimi
Përsa i përket administrimit të zgjedhjeve, vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it theksojnë se situata nuk është kaq inkurajuese për punën e 66 KZAZ-ve, shumica e të cilave nuk po mblidhen, ose nuk po mblidhen rregullisht. Vëzhguesit raportojnë se disa anëtarë të KZAZ-ve, të emëruar nga PS-ja dhe që kanë dhënë dorëheqjen, nuk janë liruar formalisht nga detyra dhe në seancat e KQZ-së nuk është diskutuar ndonjë kërkesë formale e PS-së për të zëvendësuar anëtarët e KZAZ-ve. Gjatë mbledhjes së KQZ-së më 11 qershor, kryetari dhe zëvendëskryetarja e KQZ-së i kritikuan partitë për mosrespektim të ligjit, por KQZ-ja nuk ka gjetur ende zgjidhje për problemin e mungesës së emërimeve.
Vëzhguesit e ODIHR-it raportojnë në raportin e tretë kontestimet që PS-ja i bëri listës së zgjedhësve. “PS-ja gjeti 5 186 raste, të cilat bënin pjesë në kategorinë e regjistrimeve të shumëfishta; 516 emra njerëzish, të cilët ose e kishin lënë vetë, ose u ishte hequr nënshtetësia shqiptare; 2799 emra njerëzish, të cilët, sipas regjistrave, janë më shumë se 110 vjeç; dhe 98 raste me gabime tipografike, të cilat i bëjnë emrat e zgjedhësve të palexueshëm dhe, si rrjedhojë, ka mundësi edhe të humbasin të drejtën e votës”, - shkruhet në raport. “Partia Socialiste vazhdon të thotë se skemat që lejojnë rimbursimin apo uljen e çmimit për grupe të caktuara të popullsisë aplikohen në mënyrë selektive duke favorizuar mbështetësit e PD-së, ndërkohë që zgjedhësit e PS-së janë të detyruar të paguajnë çmimin maksimal prej 1200 lekësh për një kartë identiteti. Për më tepër, PS-ja pretendon se problemet teknike sajohen nga mbështetësit e PD-së në mënyrë që të ngadalësojnë ose të shtyjnë mbështetësit e PS-së të aplikojnë për kartë identiteti. Vëzhguesit afatgjatë të misionit të OSBE/ODIHR-it kanë marrë pretendime të shumta në lidhje me përfshirjen e panevojshme të aktivistëve të PD-së në këtë proces. Ata e verifikuan këtë në qarkun e Vlorës dhe atë të Korçës”, - shkruhet në raportin e ODIHR-it.

19 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›