E Diel, 1 Nëntor 2026

ILDKP-ja padit 6 zyrtarë, refuzuan të deklaronin pasurinë



Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) kallëzoi dje penalisht 6 zyrtarë me akuzën e “refuzimit për deklarim”. Këta zyrtarë, shumica e të cilëve mbajnë poste drejtuese në administratën tatimore, kanë refuzuar të bëjnë deklarimin e pasurisë edhe pas vendosjes së gjobave dhe paralajmërimit të Inspektoratit. Emrat e zyrtarëve të paditur janë: Ismet Peca, përgjegjës sektori në Drejtorinë e Tatimeve në Kukës; Hilmi Rama, përgjegjës zyre në Drejtorinë e Tatime Shkodër; Gëzim Ukperaj, specialist në Drejtorinë e Tatimeve Kukës; Shpëtim Guxholli, drejtor Drejtorie në Drejtorinë e Tatimeve Korçë; Rrok Rroku, kryetar i komunës Dajç në Lezhë dhe Agim Harrizi, ish-shef Komisariati në Kuçovë. “Për të gjithë këta zyrtarë, Inspektorati i Lartë ka bërë kallëzim penal, bazuar në Nenin 257/a/1 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, ku parashikohet se ‘refuzimi për deklarim ose mosdeklarimi i pasurisë së personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj’. Për refuzimin për deklarim të interesave private, Inspektorati i Lartë, bazuar në Nenin 5/1 të Ligjit Nr.9049, datë 10.04.2003, sipas të cilit ‘refuzimi për deklarim sjell humbjen e funksionit dhe ndëshkimin në përputhje me Kodin Penal...’ organi përgjegjës, brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit, është i detyruar të marrë masa për largimin nga puna të punonjësit që ka refuzuar deklarimin, ka vënë në dijeni edhe institucionet përgjegjëse të këtyre zyrtarëve, ku ka kërkuar marrjen e masave përkatëse në përputhje me kërkesat e ligjit”, - thuhet në deklaratën për shtyp të ILDKP-së.

19 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›