E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta në Cakran: “Vota për LSI-në është votë për qeverisjen e së majtës”



Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zhvilluar dje një takim elektoral në komunën e Cakranit të qarkut të Fierit. Në këtë takim Meta ka prezantuar kandidatin e LSI-së për Cakranin, Bujar Hasaj, si dhe programin qeverisës “Plani për veprim”. Gjatë fjalës së tij në këtë takim Meta ftoi gjithë banorët e Cakranit, të Fierit dhe të Mallakastër të votojnë LSI-në më 28 qershor, si e vetmja forcë politike që ka një program për të nxjerrë vendin nga kriza. Meta tha se vota për LSI-në është votë për rikthimin e të majtës në pushtet. “Ne vijmë përpara jush jo me lista të mbyllura, por me lista të hapura, dhe duke votuar për LSI-në, ju votoni që Bujar Hasaj të jetë deputeti i Cakranit në Parlamentin e ri të Shqipërisë. Unë e njoh Bujarin prej vitesh dhe e vlerësoj për ato cilësi të mrekullueshme që ka si njeri, si njeri i lidhur me komunitetin dhe si njeri që do japë kontributet e veta në Parlamentin e ri dhe në qeverisjen e ardhshme për të ndihmuar popullin e mrekullueshëm të Cakranit. Votoni për Bujar Hasajn, votoni për LSI-në! Votoni për LSI-në që vota progresiste të ndërtojë qeverinë e ardhshme, në mënyrë që të largojmë një herë e përgjithmonë Sali Berishën nga pushteti i korrupsionit që i vrau shqiptarët pa mëshirë në Gërdec dhe që i varfëron çdo ditë. LSI-ja është fituesja e këtyre zgjedhjeve se LSI vendos maxhorancën e ardhshme parlamentare, vendos qeverinë e ardhshme, dhe është garancia që kjo qeveri do të jetë në shërbimin tuaj”, - tha Meta.

19 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›