Kartat e kreditit, ndoshta faza tjetër e krizës
Ekspertët e bankave në SHBA kanë filluar të aludojnë se një valë tjetër falimentesh mund të prekë industrinë financiare, kur një numër gjithnjë e në rritje të papunësh do të shpallin se nuk janë në gjendje të shlyejnë llogaritë e kartave të tyre të kreditit. Gjatë dy dekadave të fundit, njerëzit në të gjithë botën janë mësuar të përdorin kartën e kreditit si mjet pagese dhe huamarrjeje të vogël, pa e vrarë mendjen për faturën që vjen në fund të muajit. Bankat kanë qenë të gatshme të ofrojnë kredi pa fund përmes këtij sistemi, i cili mund të fillojë të tronditet. Qeveria amerikane vlerëson se në rast se ekonomia nuk përmirësohet shpejt, 19 bankat më të mëdha në SHBA mund të përballen me 82 miliardë dollarë fatura kartash të pashlyera. Por në rast se niveli i papunësisë në SHBA vijon të rritet, humbjet do të jenë edhe më të mëdha. "American Express" rrezikon të mos arkëtojë 20 për qind të borxhit të shpërndarë përmes kartave të kreditit, ndërsa bankat e tjera të mëdha mund të humbasin deri në 23 për qind. Aktualisht më shumë se gjysmë milioni amerikanë po humbasin vendin e punës çdo muaj dhe bashkë me punën, edhe shansin për të shlyer detyrimet e tyre mujore. Falimentet individuale mund të kenë pasoja zinxhir në të gjithë botën, për shkak se borxhet e shpërndara përmes kartave janë rishitur te palët e treta përmes instrumenteve të tjera financiare që emetohen nga bankat. Kriza aktuale ekonomike lindi kur një sasi kredimarrësish nuk e shleu këstin mujor të kredisë për shtëpi. Bankat kredituese e kishin shitur ndërkohë kredinë e dhënë tek individi shumë herë, duke krijuar një rrjet varësie financiare në shkallë globale, që nuk lë askënd të paprekur. Ekspertët kanë frikë se një situatë e tillë mund të përsëritet, kësaj here me kreditë e dhëna përmes kartave.