Gjermanët bojkotojnë karburantin Bio
Nxjerrja në tregun gjerman e një karburanti të ri, E 10 më një përmbajtje më të lartë etanoli deri tani ka rezultuar e dështuar. Shumica e automobilistëve e bojkotojnë llojin e ri të karburantit. Përpara Ministrisë së Ekonomisë në Berlin, ku disa ministra u takuan në një takim krize me përfaqësues të industrisë së vajrave minerale dhe asaj të automobilave, me përfaqësues të konsumatorëve dhe të shoqatave të fshatarëve, një grup i vogël aktivistësh të Greenpeace kërkonin në një pankartë të madhe "Ndaloni E10". Ata shqetësohen për ushqimin në botë dhe për natyrën, kur sipërfaqe gjithnjë e më të mëdha mbillen me bimë energjetike. Miliona automobilistëve në Gjermani kjo u intereson fare pak: ata thjesht e bojkotojnë llojin e ri të benzinës E 10, e cila përmban 10 për qind etanol biologjik, sepse druhen se mund të dëmtojë motorët e automjeteve të tyre. Kundër këtyre rezervave, qeveria, ekonomia dhe shoqatat duan të luftojnë tani me një ofensivë informative në stacionet e furnizimit me karburant: "Ne jemi të bindur se stacionet e furnizimit me karburant janë vendi, në të cilin konsumatori duhet të ketë qartësi, ta fitojë këtë përmes listave të besueshme, të cilat i kanë prodhuesit e automobilave".