E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvicra në dilemë për paratë e Lindjes së Mesme

Bllokimi i parave të diktatorëve zgjon shpresa në vendet, që prej dekadash janë shfrytëzuar prej diktatorëve dhe klaneve të tyre. Si qëndron puna me llogaritë e diktatorëve dhe kuadrin ligjor në Zvicër? Një diktaturë pas tjetrës po rrëzohet dhe sikur zviceranët ta kishin parashikuar: Në Zvicër hyri në fuqi në kohë, pikërisht më 1 shkurt, një ligj i ri. Ai mbyll një zbrazëtirë në procedurën e kthimit të të ashtuquajturave para të diktatorëve. Siç e thotë edhe emri, Lex Duvalier është përgatitur për rastin e Haitit dhe për paratë e ish-diktatorit Jean-Claude Duvalier. Haiti përpiqet prej 1986-ës që të marrë paratë e sjella në Zvicër. Haiti ishte në luftë civile dhe për arsye të trazirave politike nuk ishte në gjendje ta nxirrte Duvalier-në para gjyqit. Por në Zvicër dorëzimi i parave të Duvalier-së kushtëzohej nga një proces gjyqësor i rregullt në Haiti. Pikërisht për të zgjidhur këtë kundërthënie u miratua Ligji Duvalier, thotë Valentin Zellëeger i ministrisë së jashtme të Zvicrës. "Qeveria zvicerane tha: Nuk bën, që ata persona, që janë përgjegjës për rrënimin e shteteve të tyre, për shembull në rastin e Mobutus ose edhe të zotit Duvalier në rastin e Haitit edhe të përfitojnë në fund prej rrënimit të institucioneve, sepse paratë duhet t'u mbeten atyre, meqenëse nuk mund t'u kthehen shteteve të prekura. Për këto raste e miratoi qeveria zvicerane tani këtë ligj, i cili lejon, që në këto raste Zvicra të jetë në gjendje ta zhvillojë edhe vetë procesin, pa ndihmën e shtetit të prekur, i cili nuk është në gjendje ta bëjë një gjë të tillë." Dhe e habitshmja është: Megjithëse ligji është përgatitur për rastin e Haitit, pra të një të ashtuquajturi “failed state“ (shtet i dështuar), zviceranët vazhdojnë të kërkojnë një lutje për ndihmë juridike nga vendi përkatës. Por si të kërkojë një shtet i dështuar, pa sistem juridik funksionues, ndihmë juridike, pyet Mark Herkenrath i organizatës joqeveritare Alliance Sud, atëherë natyrisht ekziston rreziku, që të mos ketë kërkesë të tillë për ndihmë juridike." Një risi pozitive e ligjit është për Mark Herkenrathin kjo: Diktatori duhet të dëshmojë tani, që paratë e grumbulluara në Zvicër, i ka fituar në rrugë të rregullt. Më parë sjellja e tij kriminale duhet të dëshmohej në një proces penal. Megjithartë Herkenrath kritikon faktin, që ligji i ri parashikon edhe një lloj zgjidhjeje në tryezën e rrumbullakët. Kjo do të thotë, diktatori dhe Zvicra mund të takoheshin në tryezën e negociatave. ideja e ligjvënësit ishte, që me këtë zgjidhje me negociata të shkurtoheshin proceset gjyqësore. Sidoqoftë, për rastet e Tunizisë dhe të Egjiptit Ligji Duvalier nuk zbatohet. Tunizia dhe Egjipti nuk konsiderohen shtete të dështuara. Egjipti i ka drejtuar ndërkohë Zvicrës një kërkesë për ndihmë juridike. Aktualisht ajo po shqyrtohet. Në rastin e Libisë, Zvicra u vu në lëvizje edhe pa kërkesën për ndihmë juridike. Ajo bllokoi para për të shmangur zbrazjen e llogarive nga Gadafi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›