Matura, 5 orë për katër provimet
Përcaktohet kohëzgjatja e zhvillimit të katër provimeve të Maturës, që janë dy me detyrim dhe dy me zgjedhje. Pavarësisht propozimit të bërë nga Ministria e Arsimit për shkurtimin e kohës për provimet me detyrim, nga 2 orë për secilin në 1 orë e gjysmë, kundërshtimi i bërë nga maturantët për këtë çështje ka bërë që ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, t’u lërë përsëri në dispozicion maturantëve nga 2 orë për çdo provim me detyrim. Ndërsa për dy provimet me zgjedhje, Ministria e Arsimit ka miratuar propozimin e saj për shkurtimin e kohës së zhvillimit të tyre, duke e çuar nga 4 orë për të dy testet, në 3 të tilla. Vendimi është marrë së fundi nga Ministria e Arsimit, dhe sipas këtij dikasteri, edhe testi i provimit do të hartohet në mënyrë të tillë që të jetë i nivelit mesatar dhe plotësisht i realizueshëm brenda kohës së vënë në dispozicion për të gjithë nxënësit. “Të jenë të qetë të gjithë maturantët se nuk do të jetë më 1 orë e gjysmë, por do të jetë 2 orë provimi i detyruar dhe tri orë provimi me zgjedhje. Vëllimi i pyetjeve do të jetë i atillë që të ketë kohë edhe maturanti i nivelit bazë, që ne ndonjëherë e quajmë të dobët, dhe maturanti i nivelit mesatar, dhe ai që kërkon të marrë notën më të lartë”, - pohon Ndriçim Mehmeti, specialist në MASH. Dita e sotme është afati i fundit i dorëzimit të formularit A1 dhe A1Z, ku maturantët kanë përcaktuar lëndët me zgjedhje që duan t’u nënshtrohen. Por, këtë vit, për herë të parë, sipas autoriteteve të Ministrisë së Arsimit, pas datës 10 mars, nëse maturantët ndihen të pasigurt për zgjedhjet e tyre, mund të bëjnë ankimime në drejtoritë arsimore. “Janë udhëzuar drejtoritë arsimore rajonale, të cilat do i dorëzojnë pas 10 ditëve, pasi të bëjnë verifikimet e nevojshme, që t’u vijnë në ndihmë maturantëve. Nuk ka ndërmend njeri në asnjë mënyrë të penalizojë një maturant”, - tha Mehmeti. Edhe këtë vit, sipas specialistëve të MASH, numri i pyetjeve në testim do të jetë i njëjtë, ndërkohë që formulari për renditjen e degëve do të plotësohet pas katër provimeve të Maturës, në muajin korrik. Një tjetër risi për Maturën 2011 është shkurtimi i kohës së shpalljeve të rezultateve të çdo provimi. Kështu, sipas afateve të vendosura nga MASH, këtë vit rezultatet e çdo provimi të Maturës do të dalin jo më vonë se 10 ditë nga dhënia e secilit prej tyre, nga 15 ditë që ka qenë më parë. Një maturant që të fitojë Diplomën e Maturës, duhet t’u nënshtrohet katër provimeve të Maturës, të detyruara dhe me zgjedhje, që do të zhvillohen vetëm me shkrim. Lëndët e detyruara do të zhvillohen në ditë të ndryshme, ndërsa ato me zgjedhje në të njëjtën ditë.
2 orë në dispozicion do të kenë maturantët për secilin nga provimet me detyrim të Maturës, Gjuhë-Letërsi dhe Matematikë, që do të zhvillohen në ditë të ndryshme
3 orë kohë do të kenë maturantët për t’iu përgjigjur pyetjeve të dy provimeve me zgjedhje, nga 1 orë e gjysmë për secilin prej tyre, që do të zhvillohen në të njëjtën ditë
Vëllimi i pyetjeve do të jetë i atillë që të ketë kohë edhe maturanti i nivelit bazë, që ne ndonjëherë e quajmë të dobët, dhe maturanti i nivelit mesatar, dhe ai që kërkon të marrë notën më të lartë