E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermanët në krye të PAMECA që do ndihmojë policinë

29/01/2005  

Bisedë me shefin e misionit, Klaus Shmid

Misionet e BE-së të asistencës për policinë në Shqipëri filluan para 8 vitesh. Në 1997-ën, kur pas trazirave të pranverës së atij viti, rendi dhe ligji nuk ekzistonin, BE-ja u angazhua të rimëkëmbte policinë dhe forcat e rendit. Misioni i parë, i njohur me emrin MAPE vazhdoi deri në vitin e kaluar, kur iu ndryshua emri nga MAPE në PAMECA, ky i fundit i formuar nga inicialet në anglisht të emërtimit Mision i BE-së për asistencë ndaj policisë në Shqipëri. Deri në vitin 2008 misionin do ta kryesojë Gjermania. Shefi i tij, Klaus Shmid, thotë se vendi i tij e fitoi të drejtën e kryesimit të këtij misioni pas një konkurrimi, ku u morën pjesë të 25 vendet e BE-së. Duke iu përgjigjur interesimit të "Deutsche Ëele" për synimet e misionit PAMECA, zoti Shmid thotë: "Para së gjithash po përpiqemi të ideojmë zhvillimin strategjik të Policisë së Shtetit në Shqipëri. Së dyti, të rrisim kapacitetin e saj hetimor. Së treti, po përpiqemi të bëjmë të njohura dhe të aplikojmë një sistem cilësor të menaxhimit në gjithë policinë dhe sistemin gjyqësor. Së katërti, po përpiqemi të rrisim aftësitë dhe kapacitetet menaxhuese të oficerëve dhe të krerëve të policisë dhe, së pesti, të ndërtojmë një bashkëpunim efikas me gjykatat. Së fundi, të pasurojmë njohuritë e policisë në Shqipëri për funksionimin e policive dhe të gjykatave në vendet e BE-së, pa lënë jashtë vëmendjes edhe trajnimin e policisë për marrëdhëniet e saj me publikun. Një gamë shumë e gjerë synimesh". Në fund të fundit, gjithë kjo veprimtari e misionit PAMECA të BE-së në Shqipëri synon që Policia e Shtetit të arrijë standardet e vendeve anëtare të këtij Bashkimi, në kuadrin e proceseve integruese, ku është përfshirë gjithë jeta e vendit në përgjithësi, të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale, në veçanti. Por zoti Shmid nuk jep ndonjë datë, qoftë edhe të përafërt, se kur kjo mund të ndodhë. "Policia e Shtetit në Shqiperi ka hyrë në rrugën drejt arritjes së këtyre standardeve. Askush nuk mund të thote se sa kohë do t´i duhet. Por është krejt e sigurtë që policia po ndryshon dhe ka arritur disa rezultate domethënëse". Klaus Shmid vendos në krye të këtyre rezultateve ristrukturimin e policisë, pastrimin e radhëve të saj nga të korruptuarit, të lidhurit me veprimtari kriminale, të paaftët. Pastaj vazhdon me hartimin e ligjit për gradat dhe ndarjen e selive të drejtorive të policisë nga Ministria e Rendit Publik, gjë që, sipas tij, është e dobishme, pasi shmang vënien e tyre nën kontrollin e drejtpërdrejtë të ministrit të Rendit. Shmid i cilëson shumë të rëndësishme ndryshimet në programet mësimore në Akademinë e Rendit, ku misioni PAMECA dhe partnerët evropianë po investojnë shumë. "Nuk do të jetë e largët dita", thekson kreu i misionit PAMECA, kur nga kjo Akademi do të dalin oficerë policie, që do të kenë të njëjtin nivel dijesh dhe përgatitjeje me kolegët e tyre në vendet e BE-së".

Klaus Shmid përmend, së fundi, por jo më pak të rëndësishme për t´i ndërruar faqen policisë kompjuterizimin e gjithë hallkave të saj, që do të sjellë një ndryshim të madh në mënyrën e punës dhe në vetë mentalitetin e policëve, pasi ky proces presupozon dije dhe përvoja bashkëkohore. Për shefin e misionit PAMECA, merr rëndësi fakti që është pikërisht Gjermania vendi që drejton këtë mision trevjeçar të BE-së. "Gjermania, thotë Klaus Shmid, është shumë e interesuar, nisur nga rritja e interesit të saj për rajonin e Ballkanit, me të cilin ka shumë lidhje. Në Gjermani ka rreth 400 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë atje. Në fakt, Ministria e Brendshme gjermane është partnerja kryesore e misionit, pasi përveç kontributit financiar brenda 25 vendeve evropiane, jep me vete fonde shtesë për Policinë e Shtetit në Shqipëri. Deri në vitin 2008 kemi në dispozicion një fond prej 11 milionë eurosh, pra 3.5 milionë euro për çdo vit, për të realizuar qëllimet e misionit. Pjesa më e madhe e këtyre parave shpenzohet për përgatitjen profesionale të policëve. Misioni është i organizuar në bazë njësish: për shembull, për krimin e organizuar, veprimtaritë terroriste, zhvillimin strategjik të policisë, kompjuterizimin etj., etj. Selia e PAMECA-s është në Tiranë, por misioni mbulon gjithë Shqipërinë. Në përfundim të programit trevjeçar, thotë Shmid, do të ketë përfunduar kompjuterizimi i gjithë sistemit të policisë, do të ketë një brez policësh të pajisur me dije bashkëkohore, gjë që do të thote se kushdo që ka aftësi mund të bëhet drejtues dhe të marrë vendime, kjo e fundit gjë shumë e rëndësishme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›