E Diel, 1 Nëntor 2026

Mimoza: Do të shkoj te prindërit

29/01/2005  

Daja, fjalët e fundit të mbesës. Kërkohen 5 të humburit

Dyshohen si strehë fondacionet dhe kishat, shpërndahen fotot

TIRANË -Fjalët e fundit të 27-vjeçares Mimoza Susaj, e cila është zhdukur pesë ditë më parë bashkë me katër fëmijët e saj, kanë qenë “do të shkoj te prindërit”. Të afërmit e gruas së zhdukur me katër fëmijë, kontaktuan dje me gazetën “Metropol”, duke dashur të kërkojnë ndihmë në gjetjen e njeriut të tyre të afërt, të sqarojnë motivin e vërtetë të ngjarjes dhe të rrëfejnë vështirësitë që kanë ndeshur në denoncimin e zhdukjes pa gjurmë të pesë personave të familjes, katër prej të cilëve janë të mitur. Daja i gruas së zhdukur, Mark Doda, pohon se është pritur nga drejtori i Policisë së Tiranës, Albert Dervishi, në zyrën tij. Kryepolici ka ofruar mobilizimin e policisë për zbardhjen e fatit të nënës së zhdukur dhe të katër të miturve të saj, ndërsa është kujdesur për të krijuar edhe kontaktet e para me organin e hetimit në Prokurorinë e Tiranës.

Zhdukja

Doda flet për humbjen e mbesës për mbrëmjen e datës 24 janar. Sipas tij, të hënën, mes gruas së zhdukur dhe bashkëshortit të saj ka patur një grindje, në fund të së cilës, Mimoza Susaj ka marrë fëmijët e saj dhe është larguar, duke lënë nga pas fjalët-adresë, se do të shkonte te prindërit e saj. Marku thotë se, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19.00 të darkës. Të afërmit e të zhdukurës, saktësuan dje se gruaja me katër fëmijët është larguar nga banesa e bashkëshortit të saj, në Kinostudio. Tri orë pas largimit të gruas nga shtëpia, bashkëshorti i saj, Gjelosh Susaj, shofer i Tiranës së Re, ka kërkuar ndihmën e miqve të tij dhe ka filluar kërkimin e bashkëshortes dhe fëmijëve deri rreth orës 22.00, pa arritur të gjente asgjë.

Denoncimi

Daja i të zhdukurës, Mark Doda, bashkë me vëllain e saj, Ylber Gjoni, janë njoftuar për zhdukjen e Mimoza Susajt bashkë me fëmijët e saj dhe kanë shkuar në Komisariatin nr.1 të policisë së Tiranës, për të bërë denoncimin. Efektivat e komisariatit kanë refuzuar të marrin kallëzimin, në mungesë të fotografive dhe certifikatave të personave të zhdukur. Pas disa orësh pritje, daja dhe vëllai i të zhdukurës, kanë mundur të sigurohen se, Komisariati nr.1 kishte regjistruar një urdhër-kërkim personi, për Mimoza Susajn dhe fëmijët e saj, të larguar pa gjurmë. Të nesërmen, daja dhe vëllai i gruas së zhdukur, shkojnë sërish në komisariat, kësaj here me të gjithë gjërat e kërkuara, foto e certifikata, por sërish u duhet të presin, derisa më në fund mësojnë se kallëzimi ishte regjistruar, dy ditë pas zhdukjes pa gjurmë të pesë personave.

Kërkimet

Të afërmit e Mimozës janë mjaft të shqetësuar, ndërsa ndjehen të pafuqishëm për të ndihmuar katër fëmijët, më i madhi prej të cilëve është Majlinda, 7 vjeçe, ndërsa më i vogli mes tyre është vetëm një vjeçar. Në kërkim të një shprese, të afërmit kanë kërkuar takim me krerët e policisë së Tiranës, të cilët janë treguar të hapur dhe të gatshëm të fillojnë veprimet në kërkim të gruas së zhdukur, bashkë me katër fëmijët e saj. Albert Dervishi, drejtori i Policisë së Tiranës, ka pritur në zyrën e tij dajën e 27-vjeçares së zhdukur, ndërsa ka njoftuar në telefon edhe Prokurorinë e kryeqytetit, e cila ka konfirmuar se nuk është njoftuar për ngjarjen. Dervishi ka kërkuar impenjimin dhe angazhimin e vartësve të tij në hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes si dhe marrjen e të gjitha masave për gjetjen e fëmijëve.

Dyshimet ku mund

të jetë Mimoza

Policia e Tiranës ka filluar hetimet për ngjarjen, duke dyshuar se Mimoza Susaj me katër fëmijët e saj, mund të jetë larguar nga familja dhe të ketë kërkuar strehim në ndonjë kishë apo fondacion bamirës. Policia ka filluar komunikimin me shoqatat e bamirësisë për të konfirmuar, nëse Mimoza gjendet në ndonjërën prej tyre bashkë me fëmijët e saj. Më pas, me fotografitë e dërguara nga të afërmit e të zhdukurës, policia ka krijuar fletënjoftimet për gruan dhe fëmijët, duke i shpërndarë ato në të gjitha postblloqet e njësive policore në gjithë vendin. Specialistët e uniformave blu kanë filluar verifikimet dhe kontrollet, edhe për mundësinë e strehimit të katër fëmijëve dhe nënës së tyre, pranë ndonjë institucioni fetar, i cili mund t'u ketë ofruar ndihmë. Zhdukja e Mimozës

24 janar 2005

Pas një grindjeje me bashkëshortin, Mimoza Susaj bashkë me fëmijët e saj largohen nga banesa në Kinostudio të Tiranës. Teksa dilte nga shtëpia, Mimoza 27-vjeçare, thotë se do të shkonte te prindërit e saj, të cilët banojnë në Shkozë

25 janar 2005

Mark Gjoni, daja i gruas së zhdukur, njoftohet për ngjarjen. Vëllai i të zhdukurës, Ylberi dhe daja e tij, denoncojnë në Komisariatin nr.1 të policisë së Tiranës, zhdukjen e Mimozës bashkë me katër fëmijët e vegjël

26 janar 2005

Policia fillon hetimet paraprake dhe ngre versionet e para për ngjarjen. Lajmi botohet nga gazeta “Metropol”, ndërsa drejtuesit e Komisariatit nr.1 të policisë së Tiranës, nuk pranojnë të konfirmojnë ngjarjen

27 janar 2004

Merret në pyetje vëllai i Mimozës së zhdukur. Forcat e policisë kufitare dhe në porte, marrin identitetin e gruas së zhdukur dhe fëmijëve të saj, ndërsa bashkëshorti shoqërohet dhe mbahet disa orë në polici, ku jep sqarimet për ngjarjen

Numri i KONTAKTIT

0682562359

Mark Doda, daja i gruas së zhdukur bashkë me katër fëmijët e saj pesë ditë më parë, kërkoi dje nga gazeta “Metropol” publikimin e numrit të tij të celularit, në të cilin ai u lutet të gjithë personave që kanë parë ose dinë diçka për mbesën e tij, Mimoza Sasaj, 27 vjeçe dhe katër fëmijëve të saj, të kontaktojnë në numrin e celularit në ndihmë të gjetjes së saj dhe të fëmijëve të mitur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›