E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnjë. Aksidenti, vdesin dy, plagosen dy të tjerë

29/01/2005  

Dy të vdekur dhe dy të plagosur është bilanci i një aksidenti të ndodhur në unazën e re të qytetit të Lushnjës. Shpejtësia jashtë normave të lejuara si dhe kushtet e rënda atmosferike, ishin dy nga shkaqet kryesore të kësaj ngjarjeje të rëndë. Tragjedia ka ndodhur rreth orës 14.30 minuta, ku si pasojë e një përplasjeje të trefishtë kanë gjetur vdekjen çifti Hoshafi nga qyteti i Lushnjës, të cilët po ktheheshin nga një vizitë tek të afërmit e tyre. Gjatë goditjes janë plagosur nënë e bir nga Lazarati, të cilët po ktheheshin nga Tirana për në Gjirokastër. Hysni Hoshafi, 65 vjeç dhe bashkëshortja e tij, Hatixhe Hoshafi, 62 vjeç, të cilët ishin duke udhëtuar me automjetin e tyre tip "Golf" me targa MK 1375 A, kanë vdekur në vend, ndërsa drejtuesi i mjetit, që ishte edhe djali i tyre, është plagosur pas përplasjes me automjetin tip "Benz" me targa GJ 7570 A. Në këtë të fundit ishin duke udhëtuar Daut Gjollesha, 42 vjeç, drejtues i mjetit dhe e ëma e tij, Xhema Gjollesha, 64 vjeçe, të cilët janë plagosur rëndë. Sipas burimeve spitalore, gjendja e tyre shëndetësore është tejet e rënduar dhe për momentin nuk mund të thuhet nëse do të shpëtojnë apo jo. Si të mos mjaftonte përplasja e dy mjeteve, të cilat udhëtonin në kahe të kundërta, mjeti tip "Golf" nga Lushnja në drejtim të Rrogozhinës dhe mjeti tip "Benz" nga Lushnja për në Gjirokastër, goditja fatale është dhënë nga mjeti tip "Volvo" me targa DR 1470 D, i cili ka goditur të dy mjetet njëkohësisht. Automjeti i tonazhit të rëndë "Bot", ka pësuar gjatë përplasjes me dy mjetet autoveturë dëme të lehta. Uniformat blu të komisariatit të policisë së qytetit të Lushnjës, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje, ku edhe kanë gjetur dy autoveturat, si dhe mjetin tip "Bot".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›