Gjermanët zbaviten me luanët para Anglisë
Gjermania është para një sfide të vështirë me Anglinë, por në kampin gjerman besojnë se do t’i kalojnë ata pa probleme.
Dhe ka një argument këtu. Dy ditë përpara ndeshjes me rivalin kryesor, Anglinë, apo siç quhen ndryshe “tre luanët”, lojtarët gjerman vizituar një park luanësh afër bazës së tyre stërvitore në Pretroria dhe luajtën me ta duke luajtur me disa këlyshë.
“Unë jam i lumtur të them se lojtarët e kthyen shëndoshë e mirë dhe se askush prej tyre nuk u hëngrën nga luanët”, - bëri shaka trajneri Johakim Lëv. Kapiteni Filip Lahm tha se ishte një gjë e mirë për lojtarët që u shkëputën nga rutina e përditshme në hotelin e tyre, por ata nuk do t’i trajtojnë kundërshtarët e tyre angleze me xhentilesë. “Ne vizituam luanët në mëngjes, ne nuk i prekëm të mëdhenjtë, por luajtëm me këlyshët e tyre”, - tha Lahm. “Por të dielën ne do të shkojmë të luftojmë në situata një kundër një me shumë më tepër agresivitet”. Anglia dhe Gjermania kanë luajtur kundër njëra-tjetrës në disa ndeshje të rëndësishme të Kupës së Botës, përfshirë finalen e vitit 1966 të fituar nga Anglia dhe gjysmëfinalen e vitit 1990 të fituar me penallti nga Gjermania. “Është viti 2010 dhe këto ndeshje nuk do të thonë shumë”, - tha Lahm “Ne nuk kishim lindur atëherë”. “Anglia është gjithmonë Angli. Është një ekip me shumë shpirt luftues dhe mentalitet të fuqishëm, me një eksperiencë të pabesueshme”, - tha trajneri i Gjermanisë, Johakim Lëv.
ANGLIA
Portieri i Anglisë, Dejvid Xhejms, tha se skuadra e tij nuk ka frikë dhe se Gjermania nuk është aspak më e fuqishme psikologjikisht se anglezët, duke theksuar se fati i ndeshjes do të zgjidhet pa vajtur te gjuajtja pas sipas tij “ne jemi një ekip më i mirë”. Gjermania ka avancuar më shumë se Anglia në çdo finale të Kupës së Botës, qysh nga viti 1966, por tani trajneri Fabio Kapelo, tashmë duhet të provojë se ka ndërtuar një ekip fitues dhe se lojtarët e tij janë gati për të nxjerrë jashtë loje armiqtë e vjetër. Anglia ka humbur me penallti me Gjermanisë në Kampionatin Botëror të vitit 1990 si dhe në Kampionatin Europian 1996, por në përballjen e fundit në nëntor të vitit 2008, në Berlin, Anglia triumfoi 2-1 ndaj djemve të Johakim Lëvit. “Unë jam i bindur se me ekipin që kemi penalltitë nuk do të jenë një zgjidhje”, - tha Xhejms. “Përse? Pasi unë mendoj se ne jemi një ekip më i mirë se Gjermania. Ne luajtëm në Berlin dhe i mundëm ata 2-1, në një ndeshje që mund ta fitonim edhe me një rezultat më të thellë. Ajo është një skuadër e fuqishme, e renditur e gjashta në botë, pro ne nuk kemi frikë aspak. Ne jemi të bindur se mund të mundim ata. Ne kaluam kualifikueset, fazën grupe, dhe jemi të bindur se do t’i bëjmë të lumtur anglezët duke mundur Gjermaninë. Ne i respektojmë ata, por ata janë të mundshëm”.
Gjermani- Angli, masa ekstreme sigurie
Pesëfishohen biletat në tregun e zi
E gjithë vëmendja e botës sportive të futbollit është fokusuar në përballjen e dy gjigantëve europianë, Gjermani-Angli. Takimi midis Gjermanisë dhe Anglisë do të zhvillohet në masa shtesë sigurie. Lajmin e bëri të ditur sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Zherom Valke. Ndeshja pritet të jetë e nxehtë jo vetëm ën fushë, por dhe në tribuna. Valke tha: “Ne arritëm një marrëveshje me policinë e shërbimit të Afrikës së Jugut dhe do të ketë një numër masash shtesë sigurie, disa që ju mund t’i shikoni dhe disa të tjera që nuk mund të duken”. Tifozët anglezë dhe gjermanë janë në “gjuetinë” e dëshpëruar të biletave për të ndjekur përplasjen e madhe midis dy vendeve në raundin e “vdekjes”. Restorantet dhe baret në Bloemfontein janë shndërruar në qendra ku tifozët e dy gjigantëve europianë janë gati të paguajnë shumë të kripura për të siguruar një biletë. Zotëruesit afrikanojugorë të biletave kërkojnë që blerësit të paguajnë katër deri në pesëfish të çmimit që ka ajo. “Një djalë kërkonte rreth 5000 rand për një biletë, teksa ajo kushtonte vetëm 350 rand”, - tha një tifoz anglez nga Portsmuthi. “Kjo ndodh në çdo Kupë Bote”.
Gjermania pa Kakaun kundër Anglisë
Gjermania do të jetë pa sulmuesin e saj Kakau kur të përballet em Anglinë në një tetat e finaleve të Kupës së Botës, në Bloemfontein të Afrikës së Jugut. Sulmuesi 29-vjeçar i Shtutgardit, i cili ka luajtur në tri ndeshjet e fazës së grupeve për Gjermaninë, vuan nga një problem muskulor në bark gjatë stërvitjes së ditës së premte. “Ky dëmtim do të thotë se ai nuk mund të luajë kundër Anglisë”, - tha Oliver Bierhof, menaxheri i ekipit të Gjermanisë. “Ne jemi duke punuar që ai të jetë gati për ndeshjen e ardhshme. Ne kemi besim se do të jemi”. Dyshimet ekzistojnë ende edhe për Bastian Shvajnshtajgerin dhe Zherom Boateng, por Birhof shpreson se ata do të jenë gati në kohë për t’u përballur me formacionin e Fabio Kapelos. “Ne do të shohim nëse dëmtimi i tyre është rikuperuar mjaftueshëm për të marrë pjesë në stërvitje me pjesën tjetër të ekipit”, - tha Birhof.
Lineker: “Luajmë ne,
por pas 90 minutash
fitojnë gjermanët”
“Futbolli është një lojë shumë e thjeshtë: 22 njerëz gjuajnë një top për 90 minuta dhe në fund, fitojnë gjermanët”. Kjo deklarata me nota humori i përket Geri Linekerit, golashënuesit të dytë më të mirë në historinë e futbollit anglez. Është një sintezë e rivalitetit të përjetshëm Angli-Gjermani. Geri Lineker ishte pjesë e Anglisë në humbjen e vitit 1990, një humbje që rëndon ende te “tre luanët”. Historia është dukshëm e rëndë në favor të Gjermanisë, sidomos në gjuajtjet e penalltive.
Historia e Anglisë
pret djemtë e Kapelos
Qysh kur Anglia vendosi për herë të parë për t’u angazhuar me pjesën tjetër të planetit të futbollit 60 vjet më parë, në vitin 1950, vendi që shpiku futbollin nuk ka fituar asnjë ndeshje në Kupën e Botës fazën me eliminim direkt kundër top-kundërshtarëve lashtë stadiumit “Uembli”. Përtej stadiumit familjar të Londrës veriperëndimore, shpikësit e futbollit kanë vuajtje nga “vdekje të papritura” kundër Portugalisë (një herë), Argjentinës (dy herë), Gjermanisë (dy herë) dhe Brazilit (tri herë). Nuk ka rëndësi së në vitin 1986, Anglia u eliminua në mënyrë jo të zakonshme nga Argjentina. Nëse ekipi i Kapelos do të fitojë kundër Gjermanisë, ata do të vendosin një shenjë në historinë e tyre.
Uruguai fluturon në çerekfinale
Kombëtarja e Tabarezit fitoi 2-1 me Korenë e Jugut falë dopjetës së Suarezit
Uruguai është skuadra e parë çerekfinaliste e Botërorit, pasi mundi 2-1 në një tetat e finaleve Korenë e Jugut. Për dy herë kampionët e botës (1934, 1950) shënoi një dopjetë Luis Suarez (8’ dhe 80’). Golin e barazimit të përkohshëm për aziatikët e realizoi Lee Chung-Yong (68’). Për herë të fundit në çerekfinale Uruguai kishte qenë në “Meksikë 1970”, madje në finalen e “ngushëllimit” për vendin e tretë dhe të katërt humbi me Gjermaninë Perëndimore (1-0). Në katër kampionatet pasardhëse në të cilat ka marrë pjesë, skuadra “çeleste”, ishte eliminuar qysh në fazën e grupeve në vitin 1974 dhe 2002 dhe në një të tetat në 1986 dhe 1990. Formacioni i Tabareze ka grumbulluar 10 pikë në katër ndeshje, duke vendosur edhe një rekord unik të saj për pikët e mbledhura në një Botëror (në vitin 1930 grumbulloi 8 pikë). Luis Suarez, autori i dopjetës fitimtare u ngjit në kuotën e 3 golave, duke u barazuar me argjentinasin Higuain, spanjollin Vija dhe sllovakun Vitek. Suarez shënoi dopjetën që e çoi Uruguain pas 40 vjetësh në fazën çerekfinale të një Botërori, me golin e tij të dytë për të qenë ndër më të bukurit e këtij kompeticioni. Një gol “alla Del Piero”. Suarez pas kualifikimit: “Nuk mund ta besoj, nuk e llogaris fare se topi hyrë në rrjetë. Tani dëshiroj vetëm të festoj. Imagjinojeni se çfarë po ndodh në Uruguai. U kushtoj golat familjes sime dhe të afërmeve të mi”.
FIFA pranon problemet me topin “Jabulani”
FIFA pranoi se ka diçka që mund të jetë gabim me topin “Jabulani”, që po përdoret në ndeshjet e Kupës së Botës, por ajo nuk dëshiron të ndërmarrë asnjë problem deri në fund të turneut.
Shumë lojtarë e kanë konsideruar Jabulanin si një “top supermarketi”, duke thënë se është shumë i paparashikueshëm dhe se fluturon në ajër shumë lehtë. “Ne nuk jemi të shurdhër”, - tha sekretari i përgjithshëm i FIFAS, Zherom Valke. “FIFA nuk është indiferente rreth atyre që po thuhen ndaj topit”. Valke tha se FIFA do ta diskutojë çështjen me trajnerët dhe ekipet pas Kupës së Botës, e më pas do të takohet me prodhuesin Adidas.
“Ka disa rregulla mbi masën dhe peshën, por topi duhet të jetë perfekt”. Portierët janë ankuar për topin në finalet e mëparshme të Kupës së Botës, por kësaj radhe janë shtuar edhe trajnerët në pakënaqësitë e tyre. Në fazën e grupeve të vitit 2010 janë shënuar 16 gola më pak se në vitin 2006: 117-101. Gjithsesi, ekipet luajtën me një stil më mbrojtës. Adidas ka prodhuar topa për Kupën e Botës nga viti 1970 dhe është në kontratë deri në vitin 2014.
28 Qershor 2010