Pensionet e ushtarakëve, padi në Strasburg
Dr. Kujtim Çako
Vijon nga numri paraardhës
* Rikthimi i pagës kalimtare u mohon të drejtën e përfitimit, jo vetëm ushtarakëve të dënuar me burgim, por edhe atyre që dënohen me masë disiplinore nxjerrje në rezervë apo lirim, dhe atyre që largohen me kërkesën e tyre (neni 12 pika 4), ndërkohë që neni 10 i ligjit Nr. 8087, datë 21.03.1996 i ndryshuar dhe neni 12 i ligjit Nr. 9418, datë 20.05.2005, i ndryshuar, të drejtën e përfitimit e lidhte vetëm me dënimin me vendim të gjykatës për krime ushtarakë apo krime me dashje.
* Neni 35 i ligjit Nr. 9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të R.Sh.”, në pikën 1, ka përcaktuar jo vetëm të drejtën për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, por edhe kushtin e përfitimit si dhe masën e përfitimit. Këto ai nuk ia kë lënë ligjit të sigurimit shoqëror suplementar. Sipas këtij neni, pensioni përfitohet nga ata që kanë 12 vjet vjetërsi shërbimi për femrat dhe 15 vjet për meshkujt. Kjo dhe shpërblimi në aq paga referuese sa vjetërsi shërbimi e kanë ata që nuk plotësojnë këtë vjetërsi, nuk lejon boshllëk trajtimi. Neni 13, pika 1, gërma “b” e ligjit të ri, me vendosjen e moshës 42 vjeç për femrat dhe 47 vjeç për meshkujt, mohon trajtimin me pension të parakohshëm pa plotësuar këtë moshë.
* Neni 35 i statusit ka përcaktuar përfitimin e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi e bazon në pagën mujore dhe ligji i sigurimit shoqëror suplementar pagën referuese të çastit të lindjes së të drejtës për përfitim. Ligji, me nenin 14, pika 1, njeh pagën mesatare referuese të muajit, që sipas nenin 4, pika 2, paragrafi 2, llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion. Po pavarësisht kësaj, shprehja “paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion”, nuk është shfuqizuar.
* Pika 2 e nenit 35 e ligjit Nr. 9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të R.Sh.”, nuk e lidh masën e pensionit të parakohshëm me punësimin. Edhe neni 13 dhe 14 i ligjit Nr. 9418, datë 20.05.2005, i ndryshuar, nuk ndalon e kufizon masën e pensionit në rast punësimi. Në këto nene nuk ka asnjë lloj përcaktimi. Pika 4 e nenit 14, e ligjit të ri, e kufizon atë në masën e një pensioni bazë përcaktuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave.
*Neni 16 i ligjit Nr. 9418, datë 20.05.2005, ka vendosur si masë pensioni suplementar pleqërie 40% të masës së pensionit të pleqërisë për 12 vjet për femrën dhe 15 vjet për mashkullin, dhe për çdo vit tjetër, 2% të pensionit me kufi maksimal të të gjithë pensionit suplementar sa 60% e pensionit të pleqërisë. Këtë e mohon neni 16 i ligjit të ri sepse vendos si masë përfitimi 1% të pagës mesatare referuese mujore për çdo vit shërbimi pa kaluar 50% te masës së pensionit të pleqërisë.
* Neni 24 i ligjit Nr. 9418, datë 20.05.2005, i ndryshuar, masën e përfitimit të pensionit suplementar familjar për ushtarakët që, për shkak të detyrës apo gjatë saj, humbasin jetën, e llogarit në vlerën 100 për qind të pagës referuese, shtesë mbi pensionin familjar. Neni 21 i ligjit të ri e cakton sa diferenca ndërmjet pagës referuese të të ndjerit/ndjerës, në çastin e humbjes së jetës, dhe pensionit familjar, që përfitonte, sipas dispozitave të ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
* Neni 25 dhe 26 i ligjit Nr. 9418, datë 20.05.2005, i ndryshuar, i ushtarakut në rezervë/lirim, i cili trajtohet me pagesë kalimtare apo pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, që vdes, familjes së tij i njeh të drejtën e përfitimit me pagesë suplementare në formë ndihme, në masën e trefishit të pensionit bazë mujor, në shkallë vendi. Ligji i ri e ka mohuar plotësisht këtë të drejtë, duke mos u shprehur për këtë.
* Pika 2 e nenit 27 të ligjit Nr. 9418, datë 20.05.2005, i ndryshuar, ka njohur të drejtën e ri-llogaritjes së pagës kalimtare të pensionit të parakohshëm, pensionit suplementar të invaliditetit për ushtarin e shërbimit të detyrueshëm, studentin ushtarak ose kursantin për nënoficer dhe të pensionit suplementar familjar për ushtarakët që, për shkak të detyrës, apo gjatë saj, humbasin jetën sa herë ndryshon paga referuese. Neni 24, pika 1 i ligjit të ri e ka përjashtuar një të drejtë të tillë.
* Neni 31, pika 3 e ligjit Nr. 9418, datë 20.05.2005, i ndryshuar, përfitimet e caktuara, por të paguara më pak i jepen në çdo kohë. Në kundërshtim me këtë, pika 3 e nenit 28 të ligjit këto përfitime i kufizon për një vit.
* Ligji Nr. 8087, datë 13.03.1996, i ndryshuar, e njihte tërheqjen e përfitimeve të njohura, por të pa tërhequra pa kufizim kohor. Pika 2 e nenit 28 nuk lejon tërheqjen për më shumë se 3 vjet.
Përballja
II. Ballafaqimi i vendimit të ri të Gjykatës Kushtetuese me vendimin Nr. 9, datë 26.02.2007 është shprehje e qëndrimit me dy standarde për të drejtën ligjore të ushtarakëve në pension
Gjykata Kushtetuese, në gjykimin e kërkesave të shoqatave të ushtarakëve për shfuqizimin e ligjit të ri edhe në marrjen e vendimit kishte një njohje të mirë të problemeve mbi anti-kushtetuetshmërinë apo prova dhe bazë ligjore për argumentim, qysh në gjykimin dhe marrjen e vendimit Nr. 9, datë 26.02.2007, nëpërmjet të cilit shfuqizoi në papajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës një të tretën e neneve të ligjit Nr. 9481, datë 16.02.2006 “Për shtesa e ndryshime në ligjin Nr. 9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të R.SH.”. Detyra e lënë në këtë vendim është e kuptueshme që duhet të zbatohet në përputhje të plotë me çdo rekomandim. Pikërisht ligji Nr. 10142, datë 15.5.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura.....”, është ligj për zbatim të vendimi të vitit 2007 dhe rekomandimeve të tij.
Kushtetuta, në nenin 132, pika 1, thotë: “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare”, ligjvënësi në këtë ligj e ka shpërfillur këtë. Për rrjedhojë, sipas gjykimit tonë, ligji nuk ka mbajtur parasysh rekomandimet e bëra në vendimin e mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha kërkesat e bëra nga shoqata AKUSH, përjashtuar vetëm pikën 2 të nenit 14 dhe nenin 27, dhe është një kundërvënie ndaj vendimit. Për këtë po paraqesim disa këndvështrime, si më poshtë:
* Kur në vendim thuhet: Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në jurisprudencën e saj [1] lidhur me mbrojtjen kushtetuese të parimit të barazisë e të mos-diskriminimit, është shprehur se barazia në ligj dhe para ligjit nuk parakupton zgjidhje të njëllojta për individë ose kategori personash që janë në kushte objektivisht të ndryshme, por ajo parakupton kryesisht barazinë e individëve që ndodhen në kushte të njëllojta...”. ( paragrafi 3, f. 5). Ligji, që në emërtim, në nenin 1, qëllimi, nenin 2, përfituesit dhe në gjithë përcaktimet e neneve të tjera, barazon trajtimin e ushtarakëve me atë të punonjësve të Policisë së Shtetit, Policisë së Burgjeve, Policisë Zjarrfikëse, atyre të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe të SHISH që gëzojnë statusin e nëpunësit civil dhe nuk i lidh asgjë me pozitën kushtetuese, statusin e ushtarakut, me ligjin e Forcave të Armatosura, ligjin e Gradave dhe të karrierës në Forcat e Armatosura.
* Kur vendimi shprehet: “...marrëdhëniet juridike të krijuara ,- mbrohen nga parimi kushtetues i shtetit të së drejtës, në të cilin përfshihen edhe e drejta e fituar dhe siguria juridike. Prandaj, futja e një rregullimi të ri për pensionet duhet të bëhet duke u kujdesur që kjo të respektojë, ndër të tjera, edhe këto të fundit.”., ligjvënësi me ligjin ka bërë të kundërtën.
- Me nenin 3, pika 3, ka mohuar të drejtën e llogaritjes së periudhës 6 muaj e një ditë në vit të plotë;
- Me nenin 4, pika 2 paragrafi 2, pagën referuese të muajit të fundit të çastit të lindjes të së drejtës e ka zëvendësuar me mesataren e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion;
- Në nenin 12 ka rikthyer pagën kalimtare, ndërkohë që statusi i ushtarakut e ka përjashtuar atë për ushtarakët që plotësojnë vjetërsinë e shërbimit për përfitimin e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe për ushtarakët që nuk plotësojnë kushtet për këtë pension, e ka zëvendësuar në nenin 46, me shpërblimin në aq paga sa vjetërsi shërbimi kanë si ushtarak të shërbimit aktiv. Nëpërmjet pikës 2 ka mohuar pagesën për dy muajt e parë. Po këtu, ka mohuar të drejtën e përfitimeve në rastet kur ushtaraku ndëshkohet disiplinarisht apo kërkon të largohet vetë nga shërbimi ushtarak.
- Nëpërmjet nenit 13, mohon të drejtën e dhënë nga neni 35 i statusit të ushtarakut për përfitimin e pensionit, menjëherë pas daljes në rezervë a lirim, nëse ka vjetërsinë e shërbimit 12 vjet femrat dhe 15 meshkujt. Në germën “b”, përveç vjetërsisë vendos si kusht edhe moshën 42 vjeç për femrën e 47 vjeç për mashkullin.
- Nëpërmjet nenit 14, në pikën 2, tashmë të shfuqizuar, germa “a” dhe “b” rrëzonte skemën e vendosur nga neni 35 i statusit të ushtarakut, duke e kufizuar masën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi nga 50% të pagës referuese, të çastit të lindjes të së drejtës për 12 vjet femrat dhe 15 meshkujt, dhe për çdo vit tjetër shërbimi, 2% të pagës referuese të çastit të lindjes të së drejtës, në masën e 2 pensioneve bazë pleqërie.
Po kështu, në pikën 4 kufizon masën e pensionit të parakohshëm, në rast punësimi në masën e një pensioni bazë pleqërie në kundërshtim kjo me pikën 2 të nenit 35 të statusit të ushtarakut.
Me pikën 5, mohon të drejtën e përfitimit të këtij pensioni menjëherë me plotësimin e kushtit të përcaktuar nga statusi i ushtarakut dhe e lejon atë vetëm pas 24 muajsh nga data e daljes në rezervë a lirim.
- Me nenin 16, mohon llogaritjen e pensionit suplementar të pleqërisë në masën 40% të pensionit të pleqërisë dhe 2% të këtij pensioni për çdo vit tjetër, pa kaluar e gjithë masa e pensionit 60%, të pensionit të pleqërisë dhe rikthen formulën e vitit 1996, pra, 1% të pagës referuese për çdo vit shërbimi.
- Në nenin 24, ri-llogaritjen e masës së pensionit, sa here ndryshon paga referuese, e ka zëvendësuar me indeksimin dhe indeksimin me bazë jo në pagën referuese, por me pagën mesatare referuese.
- Me nenin 28, pika 3, përfitimet e paguara më pak nga pagimi për gjithë kohën e përfitimit e ka kufizuar për 3 vjet dhe ka hequr të drejtën e përfitimit në rast mos-aplikimi brenda vitit të fituar që me ligjin e 13 marsit 1996, i ndryshuar.
Pasojat
* Në vendim thuhet: “...rregullimet ligjore që kanë të bëjnë me të drejtat e shtetasve duhet të kenë qëndrueshmëri të mjaftueshme që siguron vijimësinë e tyre”. Ligji për çka parashtruam më sipër nuk bënë këtë që thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në vend të qëndrueshmërisë dhe vijimësisë, ka sjellë paqëndrueshmëri dhe kthim në pikën e fillimit, në atë të vitit 1996, pa marrë në konsiderate ndryshimet pozitive të bëra nga statusi i 2004 dhe ligji i sigurimit shoqëror suplementar të vitit 2005 dhe 2006.
* “Si rregull, nuk mund të mohohen interesa dhe pritshmëri të ligjshme të qytetarëve nga ndryshimet në legjislacion”, - theksohet në vendimin. Ajo që prisnin ushtarakët, ishte pikërisht zbatimi i këtij vendimi dhe sjellja e ligjit në binarët e të drejtave të fituara nga ligji organik statusi i ushtarakut. Ligji në këtë rast i kundërvihet atij, por edhe vendimit të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2007.
* “..shteti duhet të synojë të ndryshojë një situatë, të rregulluar më parë, vetëm nëse ndryshimi sjell pasoja pozitive, konkretisht trajtim më të mirë financiar për subjektet përfituese”, -thekson vendimi. Në fakt, duke rikthyer pagën kalimtare me nenin, duke e dhënë këtë pagë 2 muaj pas datës së daljes në rezervë a lirim, me nenin 12; duke mohuar përfitimin e pensionit të parakohshëm, me daljen në rezervë apo lirim, për ata që plotësojnë kushtet për pension të parakohshëm, për vjetërsi shërbimi, neni 13; duke vendosur pagën mesatare referuese të kohës së qëndrimit në gradë; duke llogaritur pensionin suplementar 1% të pagës referuese, neni 16; duke i dhënë fuqi veprimi të drejtave të fituara me status të ushtarakut nga 14 maj 2004, ku përfshihet edhe për pensioni suplementar pleqërie për ushtarakët e para vitit 1991, por nga 27. 06. 2009 kur hyn në fuqi ligji, sipas nenit 32, nuk sjelle pasoja pozitive dhe trajtim më te mirë financiar.
* Përveç këtyre, ligji edhe pse është ligj derivat i statusit të ushtarakut dhe në zbatim të tij, por edhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, merr kompetencat që nuk i përkasin. Ai, me nenin 30, shfuqizon pikën 1 e 2 të nenit 35 të statusit të ushtarakut, duke e lënë trajtimin me pension të parakohshëm pa bazë statutore. Pra, ligji i thjeshtë, i miratuar me shumicën e thjeshtë shfuqizon dispozitën e ligjit organik që miratohet me 3/5 e votave të deputetëve.
Mohimi i këtyre realiteteve ka bërë që për dispozitat e tjera, të kërkuara për tu shfuqizuar si antikushtetuese, por që i ka lënë në fuqi, Gjykata Kushtetuese nuk ka respektuar dhe nuk i është nënshtruar Kushtetutës.
Tashmë, zgjidhja e të drejtave ligjore të fituar është mbyllur përfundimisht nga organet tona gjyqësore. Natyrisht, pas këtij akti, rruga e vetme për të fituar të gjitha të drejtat që vendimi i mohon, mbetet që hapat të hidhen drejt institucioneve ndërkombëtare siç është Gjykata e Strasburgut.
Fund
Autori i shkrimit është president i Shoqatës “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë”
28 Qershor 2010