Konsumimi i drogave në Shqipëri, fenomen shqetësues
TIRANË - Aktivistët e luftës kundër drogës veç projekteve për sensibilimin e popullatës punojnë me autoritetet për kufizimin e dënimeve me heqje lirie për përdoruesit e drogës e për zëvendësimin me qëndrim në qëndrat rehabilituse. Në bazë të dhënave të autoriteteve shëndetësore në Shqipëri janë rreth 35 mijë vetë, të cilët e kanë provuar të paktën edhe një herë marrjen e drogës. Ndërkohë që rreth 7 mijë prej tyre konsiderohen si përdorues të rregullt të saj. Me shqetësim shikohet fakti se është ulur mosha e të rinjve, të cilët e provojnë për herë të parë lëndën narkotike.
Alfredi 27 vjeçar nga qyteti i Fierit ka vetëm pak muaj që është vendosur së bashku me familjen në Tiranë. Kjo shpërngulje e tij nuk është rastësore, por lidhet me vendimin për t'u shkëputur përfundimisht nga heroina. E ka nisur 11 vjet më parë, atëhere kur, siç tregon ai, ishte me mendime e rrethana krejt të ndryshme. “Faktikisht nisi me hashash fillimisht. Pastaj nga një kuriozitet, apo si ta them unë. Nuk dua t'ia vë fajin shoqërisë, por ndikuam pak a shumë tek njeri-tjetri. Ishim një grup çunash dhe të gjithë u bëmë përdorues droge. Tani, nëse unë ndikova tek të tjerët, apo ata ndikuan tek unë, këtë nuk e di, por ne ishim 4 shokë dhe që të katër u bëmë përdorues droge”.Jeta e tij mori një drejtim krejt tjetër.
Nuk mundi të vazhdojë as shkollën e mesme, për punë as që bëhej fjalë. Filluan problemet me familjen dhe shoqërinë, ndërkohë që shëndeti sa vinte e përkeqësohej. Pasojat nga përdorimi i drogës, që Alfredi i kishte me të dëgjuar, erdhi një moment, që nisi t'i “prekte” vetë. “Një çun nga Fieri, me të cilin unë kam pirë për shumë vite, humbi jetën nga mëlçia. Një shoku im para dy muajsh ishte në spital për ovërdozë dhe atje në spital u përmend. Një tjetër para një muaji, që e njihja humbi jetën nga overdoza në spital”. Ky realitet i zymtë e detyroi të merrte një vendim për t'u larguar nga droga. Një sfidë, të cilën ai thotë se do ta kapërcejë.
Zonat e përdoruesve
Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik në Tiranë flasin për një numër rreth 35 mijë vetë, të cilët kanë përdorur të paktën një herë lëndë narkotike. Ndërkohë që rreth 7 mijë është numri i përdoruesve sistematikë, ose ata që njihen si përdorues problematikë për sistemin shëndetësor. Në bazë të të dhënave zyrtare përqëndrim më të madh të numrit të përdoruesve ka në zonat urbane kryesore, në Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Fier, Korçë, Elbasan, Berat etj. “Aksion Plus” është për zëvendësimin e dënimeve me heqje lirie me dënime alternative për personat që konsumojnë lëndë narkotike.
Në disa nga këto zona problematike ka ngritur strukturat e veta dhe njëra prej shoqatave kryesore joqeveritare, që angazhohet në luftën kundër drogës, “Aksion Plus”. Ajo krahas sensibilizimit në rradhët e grupmoshave më të prekura nga ky fenomen ofron dhe shërbimin psikologjik e social, si dhe marrjen e substancës Metadon. Marrja e Metadonit i largon gradualisht përdoruesit nga hedhja në trupin e tyre të heroinës, apo llojeve të tjera të lëndëve narkotike. Drejtori ekzekutiv i “Aksion Plus”, Genc Muçollari, thotë se aktualisht ata kanë nisur të zbatojnë një projekt të përbashkët me Drejtorinë e Shërbimit të Provës pranë Ministrisë së Drejtësisë, për të kufizuar dhënien e dënimeve me heqje lirie për përdoruesit e drogave dhe aplikimin e dënimeve alternative. “Duke ulur kështu kosto sociale, financiare e psikike. Duke e vazhduar këtë terapi këtë dënim shumë mirë pranë qëndrave siç është kjo e jona të trajtimit me Metadon”.
Ulet mosha e përdoruesve
Psikologja Enkelejda Ngjelina thotë se moshat më të ekspozuara ndaj fenomenit të përdorimit të rregullt të drogës janë nga 22 deri në 28 vjeç. Por ajo thotë se në rast se para disa viteve mosha mesatare, kur nisej të “eksperimentohej” marrja e marihuanës, heroinës, kokainës etj., ishte diku tek 18 vjeç, aktualisht vihet re se kjo bëhet nga mosha edhe më të reja. “Duke nisur që nga klasa e tetë, d.m.th mosha 14 vjeç. Nga studimet e bëra deri më tani rezulton se të paktën për qarkun e Tiranës kemi një shtim të fillimit të përdorimit të këtyre substancave”. Për aktivistët e “Aksion Plus” përdorimi i fondeve për fushata realiste sensibilizuese dhe për parandalimin e fenomenit qysh në fazat fillestare është mjaft e vlefshme dhe për buxhetin publik. “Projekte të tilla kanë kosto efektive. Nëse ti shpenzon 1 lek sot, atëhere do të kursesh minimumi 15 deri 20 lek në një të ardhme. Duke patur parasysh kostot, që paguajmë të gjithë ne, taksat që paguan shteti me një përdorues, që pëson overdozë, që sëmuret, që mund të humbasë jetën, që mund të bjerë në burg. Edhe kosto të tjera, që lidhen me atë që ata humbin nga jeta e tyre si produktive”. Muçollari thotë se kohët e fundit kanë nisur një bashkëpunim me një shoqatë jo qeveritare të ngjashme në Kosovë, e quajtur “Labirinth”. Në kuadër të programit “Fondi Global kundër HIV-AIDS” 15 të rinj nga Prishtina qëndruan në ambjentet e “Aksion Plus” në Tiranë. Synimi i tyre ishte marrja e eksperiencës për ngritjen edhe në qytetet kryesore të Kosovës të qëndrave të trajtimit psikosocial për përdoruesit e lëndëve narkotike. Marrë nga DW
Shifrat
Më shumë se 30 mijë përdorues droge në vendin tonë
TIRANË - Në Shqipëri mendohet të ketë mbi 30 mijë përdorues të lëndëve narkotike, nga të cilët 10 mijë prej tyre janë përdorues heroine, që konsiderohet si droga më e forte dhe varësia ndaj të cilës është edhe më e madhe. Ndonëse numri nuk konsiderohet i lartë krahasuar me vendet e tjera, institucionet përgjegjëse kërkojnë angazhim nga e gjithë shoqëria ne këtë lufte. Ministria e Brendshme thotë, se janë minimizuar parcelat e mbjella me hashash dhe është forcuar kontrolli i kufijve, për te ndalur tranzitimin përmes Shqipërisë, por në raportin e fundit të disa javëve më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit e rëndiste Shqipërinë në vendet origjinë e tranzit të drogave, dhe luftën në këtë drejtim të pamjaftueshme. Në ditën ndërkombëtare të luftës kundër drogës përfaqësues të shtetit u angazhuan edhe njëherë për masa te forta, por raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, vuri në dukje se në këtë drejtim Shqipëria kishte shumë punë për të bërë dhe jo vetëm strategji në letër.
28 Qershor 2010