Grabitin me armë makinën, në pranga pas disa orë ndjekjeje
Artan CENA
DURRËS - Përfundojnë të arrestuar në flagrancë brenda 24 orëve dy të rinj, të cilët kryen vjedhjen me dhunë të një autoveture në pronësi të një kosovari dhe pasi kanë mbushur makinën me karburant, nuk kanë paguar paratë. Ngjarjet e rënda kanë ndodhur mbrëmjen e tri ditëve më parë, kur dy të rinj i kanë zënë rrugën një qytetari nga Kosova që kishte ardhur për pushime dhe i kanë marrë makinën luksoze. Operacioni i radhës së Policisë së Durrësit mban emrin “Aventurë”. Burime zyrtare nga policia e qytetit bregdetar kanë bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se në pranga janë vënë dy të rinj. Luan Shahini, 20 vjeç, lindur dhe banues në Sallmone Shijak, i padënuar më parë dhe 17-vjeçari me inicialet L. Ll., lindur në Peshkopi e banues në Katër Rrugët e Shijakut, janë dy të rinjtë e arrestuar për grabitjen me armë të bërë të enjten, thanë burimet zyrtare të Policisë së Durrësit.
Grabitja
Dy personat e arrestuar nga policia dyshohen për një ngjarje të ndodhur në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Shahini dhe 17-vjeçari, rreth orës 23:30 të tri ditëve më parë kanë ndaluar duke i zënë rrugën me automjetin e tyre “Volvo” me targa BC 830 EA, autoveturës tip “BMW” të drejtuar nga qytetari kosovar me inicialet A. Z., me të cilin po udhëtonte si pasagjer edhe një person tjetër. Sipas policisë, dy të prangosurit i kanë detyruar të zbresin nga mjeti personat në fjalë dhe më pas janë larguar me të dyja mjetet. Por krimi i nisur prej të dyshuarve nuk ka mbaruar këtu. Shahini dhe adoleshenti janë ndalur dhe në një pikë karburanti në rrugën nacionale Durrës-Tiranë. Këtu ata kanë kryer furnizimin me një sasi të konsiderueshme karburanti të autoveturës së vjedhur dhe kanë kanosur shitësin me qëllim mosdhënien e parave. Të njoftuar menjëherë nga të dëmtuarit, efektivët e Policisë së Durrësit janë vënë në ndjekje të autorëve të ngjarjes duke bashkërenduar masat edhe me policitë e rretheve të tjera. Për këtë arsye, pika kontrolli janë ngritur në akse të ndryshme rrugore.
Arrestimi
Pas disa orë kërkimesh, në pasditen e vonë të dy ditëve më parë, në qytetin e Bulqizës është bërë kapja e të dyshuarve. Operacioni është drejtuar nga efektivët e Policisë Durrës. Dy të dyshuarit ishin duke udhëtuar me makinën e grabitur në kohën kur janë vënë në pranga. Gjatë arrestimit policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale autoveturën tip “BMW” me ngjyrë të gjelbër, pa targa, makinën tjetër tip “Volvo” 1 pushkë automatike, 1 automatik model 56 dhe 4 krehra me fishekë. Policia e Durrësit ka bërë të ditur se, pas vënies në pranga të dy të dyshuarve, dosja me materialet e përpiluara në ngarkim të dy të rinjve i është dërguar Prokurorisë së Durrësit. Mbi dy të arrestuarit rëndojnë veprat penale të “vjedhjes me dhunë në bashkëpunim” dhe “mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake”.
Në hetim dhe një nënkomisar
Pranga policit, rrahu dhe i mori 500 euro emigrantit
TIRANË - Dhunon një emigrant 17-vjeçar dhe më pas i merr 500 euro për ta lënë të lirë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Doganën e Kakavijës dhe në pranga është vënë një polic. Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme thanë gjatë ditës së djeshme se inspektori i Kakavijës, Kreshnik Birbili, ka përfunduar në pranga dhe nënkomisari Mariglen Hadaj do të ndiqet në gjendje të lirë. Birbili mësohet se është akuzuar për keqtrajtimin e një emigranti. Ministria e Brendshme bëri të ditur se gjatë kohës kur Birbili dhe Hodaj kanë qenë në detyrë, adoleshenti shqiptar Xh. D., 17 vjeç, i cili po hynte nga territori grek në Shqipëri, gjatë intervistimit është keqtrajtuar fizikisht dhe më pas, në këmbim të lënies së lirë, i është marrë një shumë prej 500 eurosh, të cilën e kishte me vete. "Pas kryerjes së veprimeve hetimore paraprake dhe arrestimit në flagrancë të punonjësit të policisë, SHKB-ja i referoi materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve të kësaj çështjeje për veprat penale të "shpërdorimit të detyrës", "korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "kryerjes së veprimeve arbitrare", - thanë burimet zyrtare. Menjëherë pas ngjarjes, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit mori masën e pezullimit nga detyra të punonjësve të policisë, nënkomisar Mariglen Hadaj dhe inspektor Kreshnik Birbili. Gjithashtu, Ministria e Brendshme, duke përfituar nga rasti, ka bërë të ditur se pranë Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm është vendosur linja telefonike falas 0800 9090, e cila është e disponueshme gjatë gjithë kohës për të marrë ankesat e shtetasve ndaj uniformave blu.
Ngec në shkëmbinjtë nënujorë anija e marinës shqiptare
DURRËS - Një mjet lundrues i marinës shqiptare ka ngecur mëngjesin e djeshëm në bregdetin e Durrësit. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm në Durrës, afër sheshit kryesor të qytetit, “Taulantia”. Mjeti lundrues është një motovedetë shqiptare, e cila patrullon në ujërat shqiptare. Anija luftarake ka mbetur në zonën që njihet si problematike për gjithë anijet duke qenë se ka shkëmbinj dhe nën ujë janë muret e vjetra të qytetit të Durrësit. Por ajo që e bën dhe më të çuditshme këtë ngjarja ka të bëjë me faktin se anija shqiptare shërben edhe për të paralajmëruar anijet private për zonat e rrezikshme për lundrim në bregdetin e Durrësit. Ndërkohë që këtë herë ajo ka mbetur vetë “peng” në bregdetin e Durrësit. Mjetet e tjera lundruese të marinës shqiptare po punojnë për të nxjerrë anijen e ngecur mes shkëmbinjve. Ndërkohë që nuk ka pasur asnjë incident me ekuipazhin që ndodhej në anije.
I ndjek policia, plagosen në aksident dy shqiptarë
JANINË - Dy klandestinë shqiptarë janë plagosur në një aksident ku makina me të cilën po udhëtonin po ndiqej nga policia greke në Janinë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë, kur policia e Janinës i ka bërë me sinjal një makine për të ndaluar. I ndodhur në këtë situatë, shoferi i makinës që po transportonte shqiptarët ka vendosur të largohet me shpejtësi. Në ndjekje është vënë patrulla e policisë. Pas disa kilometrash makina e dyshuar u përmbys dhe si pasojë u plagosën rëndë dy klandestinët shqiptarë, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur. Menjëherë ata janë dërguar në spital, ndërkohë që janë vënë prangat ndaj taksistit që po transportonte klandestinët. Ai do të përballet me drejtësinë.
Pranga tre personave, u kapën me 5 kg Cannabis
ELBASAN - Tre të rinj janë vënë në pranga nga Policia e Elbasanit pasi janë kapur me lëndë narkotike. Aksioni është bërë në rrugën Librazhd-Elbasan, gjatë operacionit të koduar “Ura e Lizës”. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit thanë se në pranga janë vënë Ilir Jaupllari, Roxher Muçellari dhe Elton Abroshi. Gjatë aksionit të zhvilluar gjatë orëve të mëngjesit të sotëm, uniformat blu kanë sekuestruar dhe 5 kilogramë lëndë narkotike të llojit Cannabis sativa si dhe një armë, pistoletë. Menjëherë pas arrestimit të rinjtë janë shoqëruar për në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit ku janë marrë në pyetje. Policia është duke hetuar për bashkëpunëtorët e të ndaluarve.
Pushimet nga puna, punonjësit e naftës, në protestë
VLORË - Punonjësit e ndërmarrjes së naftës në Vllahinë të Vlorës kanë protestuar dje kundër asaj që e konsiderojnë si reformë që do të përfshijë pushimin nga puna të atyre që konsiderohen specialistët më të mirë dhe punojnë aty prej vitesh. Sipas punonjësve, vendet e tyre të punës zëvendësohen nga militantë, të cilët nuk kanë njohuri të mjaftueshme. Të shqetësuar se pas pak kohësh do të mbeten të papunë punonjësit e ndërmarrjes së naftës në Vllahinë të Vlorës kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë protestat e tyre deri sa të zgjidhet çështja në favor të tyre. Ndërkohë që për të njëjtën arsye kanë protestuar dje edhe punonjësit e qendrës së prodhimit të naftës në Kuçovë.
28 Qershor 2010