Pango v.s. Top Channel & Berishës
Nga Lorenc VANGJELI
Ish-ministri i kulturës Pango fiton betejën e parë ligjore me televizionin që e denoncoi. Njëherazi, ka fituar dhe betejën me shefin e tij të dikurshëm në qeveri që e pushoi nga puna; vendimi i gjykatës së Tiranës fajëson indirekt edhe vetë kryeministrin. MAPO tregon një numër procesesh të zgjidhura në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të cilat zakonisht ndëshkojnë politikanët në interes të informimit të publikut. Një sherr i ri i sapo nisur që rrezikon të ndëshkojë Shqipërinë në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strazburg
Dënimi i Top Channel-it është një histori “top”; ajo i ka brenda të gjithë elementët e nevojshëm, madje edhe me shumicë, që ta mbajë ndezur vëmendjen e publikut. Ka brenda seks, para, pushtet, liri të munguar dhe liri të dhunuar, media, drejtësi. Madje edhe pak “spiunazh”. Si e tillë, çdo përpjekje për ta harruar ngjan e pamundur. Si e tillë, ajo duket se do të zgjasë shumë më shumë sesa mund të parashikohet në vështrim të parë.
Sfida e egër mes Top Channel, televizionit më të madh në vend dhe ish-ministrit të kulturës Pango, njohu këtë javë vetëm betejën e parë ligjore të një lufte, fundi i të cilës, përkundrazi, ngjan si i parashikuar. Një treshe gjykatësish në Tiranë dha një vendim që befasoi në disa elementë të tij. Së pari në reabilitimin ligjor të zotit Pango, kur më parë ndaj tij ishte nënshkruar “fajësia” pikësëpari nga punëdhënësi i tij, zoti Berisha që e nxorri menjëherë jashtë kabinetit, së dyti në ndëshkimin e akuzatorit, kryesisht për shkak të mënyrës sesi siguroi provat për akuzën publike dhe mediatike dhe së treti, për shkak të gjobës maramendëse që ju vu stacionit televiziv, që ka një histori të gjatë ndeshjeje me pushtetin e zotit Berisha.
Vendimi i gjykatës,
Për rreth një orë, treshja e gjykatësve kryeqytetas Bendo, Dogga dhe Abdullai, pas nëntë seancash gjyqësore, në datën 18 qershor, dha vendimin, i cili u kontestua menjëherë. Një vendim i cili rindërton edhe njëherë mbrëmjet e nxehta të janarit të vitit të kaluar, kur për herë të parë në Shqipëri, një televizion futi kamerën e tij – e fshehtë – në jetën e pasme të një anëtari të kabinetit qeveritar.
Pango, menjëherë mbas transmetimit të emsionit u shkarkua nga detyra e tij dhe u vu nën trysninë e paprerë të të gjithë opinionit publik. Nuk kishte ndodhur kurrë, gjithashtu, që nëpërmjet pamjeve të forta, një ministër, anëtar i Kuvendit, të dallohej aq qartë duke kërkuar favore seksuale nga një vajzë e cila kërkonte të punësohej në ministrinë e tij. Një situatë që gjithkush e konsideron të zakonshme në Tiranë, në marrëdhëniet që ngre pushteti i çdo lloji me seksin e dobët. Por për herë të parë, zoti Pango pësoi fatin e kalit të kapur që ju desh më pas të shinte të gjithë lëmin.
Në aktpadinë e tij, zoti Pango i kërkonte gjykatës që të deklaronte përgjegjës Top Channel-in për dëmin që i ishte shkaktuar atij nëpërmjet “publikimit të të dhënave të pasakta dhe të përfituara në mënyrë të paligjshme”. Si dhe detyrimin e televizionit që të mos i përmendte më emrin atij vetë në çdo lloj mënyre, në komente, artikuj apo intervista që mund ta dëmtonin atë rishtaz dhe mbi të gjitha “...detyrimin për t´i paguar shpërblimin e dëmit të shkaktuar në vlerën një milion euro”.
Ish-ministri Pango pretendoi përpara gjykatës se të gjitha veprimet ndaj tij bien ndesh me nenin 17 dhe 35 të Kushtetutës si dhe nenet 8, 10 dhe 41 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. “...këtë ngjarje e kam përjetuar me ankth, trishtim dhë mërzitje në mënyrë të vazhdueshme”, shprehet Pango në padinë e tij, me të cilën kërkon të provojë edhe se mbas publikimit të materialit filmik, atij ju dëmtua rëndë karriera akademike dhe politike.
Top Channel mbrohet nga padia duke u shprehur se i gjithë publikimi i tij ishte thjesht i vërtetë dhe se në realizimin e veprimtarisë së tij, drejtohet nga liria e mediave dhe e informimit, e drejtë direkte kushtetuese. Mbrojtja e televizionit citon gjithashtu Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut sepse veprimet e zotit Pango bien “në kundërshtim me moralin” dhe se mbrojtja e këtij të fundit, ka përparësi në një rend juridik shoqëror dhe për shkak të respektimit të këtij parimi, mund të cënohet dhe kufizohet edhe privatësia e personit dhe banesës private. Dhe mbi të gjitha, Top Channel citon nenin 8 të Konventës, sipas të vilit, kufinjtë e kriticizmit ndaj politikanëve, janë shumë më të gjerë sesa për njerëzit e thjeshtë.
Dhe mes këtij sherri, ndërhyn gjykata, e cila, mbasi ritregon dhe njëherë ngjarjen e bujshme, vendos deklarimin fajtor të Top Channel si rezultat i publikimit të të dhënave të pasakta, jo të vërteta dhe të përfituara në mënyrë të paligjshme; detyrimin për të mos i përmendur më emrin Pangos dhe detyrimin për të paguar për llogari të tij shumën prej 400 mijë eurosh.
Gjykata dënon dhe Berishën,
Por Top Channel nuk është “fajtori” i vetëm në këtë histori. Në mënyrë indirekte, duke përcaktuar dëmin që i është shkaktuar zotit Pango nga publikimi i videos me seks në tentativë, gjykata shkruan dhe fjalinë fatale: “Gjykata konstaton se veprimet e kundërligjshme të të paditurit Top Channel” për marrjen dhe shpërndarjen e informacionit ndaj paditësit Ylli Pango në drejtim të personit tij dhe jetës private të tij kanë bërë që këtij të fundit t´i shkaktohet një dëm konkret moral, i cili konsiston në dëmtimin e nderit dhe personalitetit të tij dhe si një dëm i pësuar në sferën shoqërore dhe atë të gëzuarit të plotë të jetës ( kënaqësitë e jetës). Ky dëm rezulton që atij t´i jetë shkaktuar në formen e vuajtjes shpirtërore, dhimbjes dhe turbullimit psikologjik. Ai pas kësaj ngjarje është shkarkuar nga detyra e ministrit duke përjetuar ankthe, trishtim dhe mërzitje në mënyrë të vazhdueshme”.
Pikërisht fjalia e fundit nuk i drejtohet më televizionit të shpallur fajtor, por i adresohet direkt kryeministrit Berisha. Sepse ishte kryeministri dhe jo televizioni që e shkarkoi zotin Pango, për vetëm katër minuta, siç theksohej atëherë nga burimet zyrtare, nga detyra që ai mbante në kabinetin e tij. Dhe po kështu, bashkë me televizionin, janë fajtorë dhe shumica dërmuese e gazetarëve që dënuan aktin e tij dhe një pjesë e konsiderueshme e politikanëve. Përjashtim bëjnë vetëm ata politikanë që dënimin e aktit të zotit Pango e bënë nga salla e Kuvendit: Deputetët nuk mbajnë përgjegjësi për deklarimet e tyre në seancë. Por dhe ata nuk dalin krejt pa lagur nga kjo histori sepse ky lloj imuniteti nuk shërben në rastin kur ata shpifin. Dhe sipas vendimit të gjykatës që e nxjerr zotin Pango pa faj nga kjo histori, çdo gjykim apo dhe paragjykim i ndryshëm që i është bërë atij më parë, është thjesht shpifje. Ndaj, normalisht, Top Channel nuk është i vetmi “fajtor”, të paktën sipas gjykatës së Tiranës, bashkë me të, të njëjtin faj e ka konsumuar që nga kryeministri i vendit që i ka shkaktuar ankth dhe trishtim ish-vartësit të tij dhe pothuaj të gjithë ish-kolegët e tij politikanë.
Reagimi,
Reagimi i Top Channel dhe në përgjithësi i të gjithë komunitetit të gazetarëve në solidaritet me të, ishte i menjëhershëm. Qoftë dhe përtej perceptimit të parë dhe shokues të materialit filmik që shfaqte Pangon sa në zyrën e tij, sa në banesën private me duart në “mbërthecka”, shoku i dytë ishte po aq i fortë: thelbi i një vendimi të tillë u tregon një kufi të papërcaktuar qartë gjithë punonjësve të medias në veprimtarinë e tyre. Kujdes! Çdo kush mund të pësojë fatin e Top Channel. Edhe organizatat ndërkombëtare të gazetarëve, si dhe ato lokale, shprehen se një formë e re censure po kërkohet të instalohet në Shqipëri. Që nuk nis me vendimin e gjykatës, por që me pushimin e hetimit nga prokuroria e Tiranës. “Prova të marra në kundërshtim me Kodin Penal”, është fraza magjike pas të cilës, në një vend si Shqipëria, mund të fshihet çdo paudhësi e sotme dhe e nesërme. “Asgjë e ligë, çdo gjë me ligj”, është një aksiomë që tashmë kërkon që ligësinë ta gjejë tek pasqyra dhe jo tek individët që e mbartin atë. Që nga ky moment, normalisht, çdo akt dhe hap fals i qeverisë, sa për të marrë një shembull, në rast se nuk bëhet publik prej asaj vetë, por sigurohet nga gazetarët, nuk mund të konsiderohet si provë kundër zyrtarëve përgjegjës për të.
Gjykata e Tiranës reagoi pak ditë më pas nëpëmjet zëdhënëses së saj Bujana Tonçica: “Duke mirëkuptuar ndjeshmërinë e medias për çështjen në fjalë, besojmë se rruga më e mirë dhe absolutisht e vetme për të kundërshtuar këtë vendim gjykate, është ajo që urdhëron Kushtetuta e republikës së Shqipërisë dhe Kodi i Procedurës Civile”.
Më pas reagon dhe një pjesë e trupës së gjykatësve të gjykatës së Tiranës: Na lini të punojmë të qetë”.
“Vendimi i gjykatës kërkon të intimidojë gazetarinë investigative në Shqipëri dhe është një sinjal për të trembur mediat e tjera për të hetuar abuzimet e zyrtarëve me pushtet. Investigimi i “Fiks Fare” dhe përdorimi i kamerave të fshehta është tërësisht i ligjshëm dhe nuk shkel asnjë kod të etikës së gazetarisë dhe konventat e të drejtave të njeriut”, ka pohuar të enjten Aidan White, sekretar i përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve. Dhe po të njëjtën ditë, i njëjti shqetësim përcillet nga kabineti i zotit fule, në Bruksel.
Zgjidhjet që jep “Evropa”
Gjykata e Tiranës, në vendimin e saj i referohet dhe tre vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strazburg. Konkretisht gjykata vëren zgjidhjen e këtyre çështjeve; “Pfeifer v.s. Austrise, eshte konstatuar se neni 10 i Konventes nuk garanton nje te drejte te pakufizuar madje edhe ne ato raste kur informacioni mund te jete me interes per publikun e gjere. Ne rastin konkret, kur qellimi kryesor eshte sulmi kunder reputacionit te personave garancite e nenit 8 te Konventes (e drejta per jete private dhe reputacion) marrin perparesi. Scharsach and News Verlagsgesellschaft v.s. Austria, Gjykata... relaton se media luan nje rol te rendesishem ne nje shoqeri demokratike. Megjithate, media nuk duhet te kaloje disa kufij limit, vecanerisht nese keto lidhen me reputacionin dhe te drejtat e individeve. Media duhet te shperndaje informacion ne perputhje me te drejtat dhe detyrimet a saj; informacion ky, qe perfshin vetem ceshtje me interes publik te gjere. Van Hanover v.s. Germany, Gjykata e Strasburgut parashtron se liria e shprehjes kerkon nje interpretim me te ngushte”... dhe i referohet Rezolutes se Asamblese Parlamentare te Keshillit te Europes per “ Te Drejten e Jetes Private” e cila parashtron se “Interpretimi i njeanshem i te drejtes se lirise se shprehjes” nga media te caktuara, nuk mund te justifikoje shkeljet e te drejtave te mbrojtura nga neni 8 i Konventes, me justifikimin se lexuesit “kane te drejte te dinë gjithcka rreth figurave publike”.
Por ka dhe çështje të tjera, të së njëjtës gjykatë, të cilat japin një tablo krejt të ndryshme dhe zgjidhje krejt të ndryshme të konflikteve të ngjashme.
Për shembull, çështja Colombani dhe të tjerë kundër Francës. Le Monde, gazeta e famshme franceze, drejtori i saj dhe artikullshkruesi u konsideruan fajtorë për botimin e të dhënave të një raporti mbi trafikun e drogës nga Maroku dhe për komentet për Mbretin Hasan II. Gazetarët u dënuan nga Kasacioni francez, por ankesa e tyre u depozitua në Komisionin Evropian të të Drejtave të Njeriut. Colombiani dhe të tjerët u ankuan se u ishte shkelur e drejta e lirisë së shprehjes e cila garantohet nga neni 10 i Konventës së të Drejtave të Njeriut. Mbas shqyrtimit të çështjes, Strazburgu vuri në dukje se për shkak të natyrës së veçantë të mbrojtjes... për lirinë e shtypit, fyerja e kryetarëve të shteteve të huaja kishte prirje për të cënuar lirinë e shprehjes pa ju përgjigjur ndonjë nevoje të ngutshme shoqërore. Gjykata vendosi njëzëri se kishte pasur shkelje të nenit 10 të Konventës.
Po kështu edhe në çështjen Roemen dhe Schmit kundër Luksemburgut. Roemen kishte akuzuar një ministër për evazion fiskal në gazetën e tij dhe se ai ishte detyruar të paguante një gjobë prej 2.500 eurosh. Pavarësisht vendimit të gjykatave vendase, Strazburgu konstatoi se gazetari në kryerje të detyrës së tij kishte ekspozuar një fakt të drejtë dhe se në këto kushte, nuk legjitimohej ndërhyrja në lirinë dhe të drejtën për t´u shprehur.
Në çështjen Karhuvaara dhe Iltahleti kundër Finlandës, gazetarët ishin dënuar për shkelje të jetës private të tjetrit. Në Finlandë, gazetarët dhe gazeta u dënuan me gjobë dhe me pagimin e dëmit moral për të dëmtuarin. Sipas vlerësimit të Strazburgut, limitet e kritikave ndaj politikanëve në një shtet demokratik janë shumë më të gjera sesa ndaj kujtdo tjetër, aq më tepër kur këto kritika vijnë në mënyrë profesionale nga media.
Sabou dhe Pircalab kundër Rumanisë, ishin dy gazetarë të tjerë që humbën fillimisht bastin e tyre juridik me gjykatat lokale në Rumani, madje u dënuan dhe me burg e gjobë për komentet e bëra ndaj një gjykatësi. Strazburgu e zgjidh çështjen në favor të tyre.
E njëjta histori dhe me dy rumunë të tjerë që paditën vendin e tyre në Strazburg për shkelje të lirisë së shtypit. Cumpana dhe Mazare, të dy gazetarë të dënuar me burg dhe gjobë për shpifje, u “reabilituan” në Srazburg.
Po kaq interesant është dhe çështja Scharsach and News Verlagsgesellschaft v.s. Austria. Një çështje e përmendur në vendimin e gjykatës së tiranës si një provë më shumë për fajësinë e Top Channel. Gazetari austriak dhe agjensia që botoi shkrimin e tij u dënuan me gjobë. Artikulli kritikonte qëndrime të ekstremit të djathtë në politikën e vendit të tij dhe përmend një politikane me emër, për të cilën pretendohej se ishte e angazhuar në aktivitete klandestine neonaziste. Edhe në këtë rast, Strazburgu vëren se kufizimet e pranueshme të kritikës për një politikan, janë gjithnjë më të gjera sesa për një individ privat. Gjykata vlerësoi se shtypi ka si rol të tijin informimin dhe kritikën ndaj politikanëve. Por gjykata e Tiranës e sjell këtë vendim të Strazburgut në një kontekst tjetër.
Megjithatë, në këto rrethana, nuk mbetet shumë për të bërë: “...mënyra më e mirë dhe absolutisht e vetme për të kundërshtuar këtë vendim gjykate, është ajo që urdhëron Kushtetuta e Shqipërisë dhe Kodi i Procedurës Civile”, thuhet zyrtarisht nga zëdhënësja e gjykatës së Tiranës Bujana Tonçica.
Tani është konsumuar vetëm një betejë e parë, betejat e tjera dhe jo vetëm ligjore, do të ndjekin njëra-tjetrën në të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar. Me shpresë se nuk do të dërgohet në Strazburg një tjetër çështje shqiptare që do të ketë në krye të dosjes: Top-Channel kundër Shqipërisë. Një dosje që me siguri, do të mbyllet keq për Shqipërinë, por do të jetë padyshim një lajm i keq për të gjithë.
Marre nga revista MAPO
28 Qershor 2010