Samiti i G8-s, dështon propozimi për taksë ndaj bankave
Krerët e 8 vendeve më të fuqishme nuk kanë mundur të arrijnë në një marrëveshje në samitin e Torontos, lidhur me vendosjen e taksave ndaj bankave. Lajmi u bë i ditur nga qeveria kanadeze. “Nuk u arri asnjë marrëveshje për taksën globale”, shpjegon Len Eduards, negociues në samitin e G8 në Kanada, duke saktësuar se “çdo vend është i lirë të veprojë ashtu siç mendon”. Pas takimit të G8, dje në mbrëmje startoi samiti i G20-s, ku çdo lideri iu dha mundësia të shprehte idenë e tij lidhur me krizën financiare dhe masat që duhet të merren. Dimitri Soulas, zëdhënës i kryeministrit kanadez, Stiven Harper, ka theksuar se çdo shtet që nuk ka përdorur fondet publike dhe bankat e të cilit nuk kanë falimentuar, nuk kanë pse të aplikojnë asnjë taksë, por është e kuptueshme se çdokush që dëshiron të ndjekë këtë procedurë do të mbështetet maksimalisht. G20 u jep vendeve të veçanta mundësinë të veprojnë në plan kombëtar.
Propozimi i Obamës
Presidenti i SHBA-ve, Barak obama ka ftuar Kongresin të aprovojë propozimin e tij për një taksë ndaj bankave, me anë të së cilës mund të përfitohen rreth 90 miliardë dollarë në harkun kohor të dhjetë viteve. “Është e domosdoshme të vendoset një taksë ndaj bankave, që janë marrësi më i madh i parave të taksapaguesve dhe një ndër arsyet e krizës financiare. Në këtë mënyrë do të mund të rekuperojmë çdo qindarkë të humbur” është shprehur presidenti Obama.
G20
Menjëherë pas përfundimit të samitit të G8 ka nisur edeh samiti G20. Liderët në këtë takim të rëndësishëm u përballën me krizën financiare dhe mjetet që duhet të përdoren për tejkalimin e situatës së rëndë. Zyrtarët amerikanë shpresonin se po i afroheshin një konsensusi mbi mënyrën se si të mos lejojnë që ekonomia botërore të bjerë përsëri në recesion. Udhëheqës nga Grupi i Tetëshes, duke përfshirë Presidentin Barak Obama, kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez Nikolas Sarkozi, i filluan bisedimet në Muskoka të Kanadasë, në veri të Torontos, ku u pritën nga kryeministri kanadez Stiven Harper. Para arritjes në Kanada, Presidenti Obama foli mbi nevojën që vendet të bashkojnë forcat për të shmangur një tjetër recesion global. “Na duhet të veprojmë së bashku për një arsye të thjeshtë: Kriza provoi, dhe ngjarjet vazhdojnë të afirmojnë se ekonomitë tona kombëtare janë të lidhura pazgjishmërisht. Krizat në njërin vend përhapen shpejt në një tjetër prandaj masat parandaluese në njërin vend ndihmojnë të mbrohen vendet e tjera."
Për zotin Obama, lista e arritjeve të të cilit përfshin reformën në Uoll Stit, këto masa përfshijnë rregulla më të forta në sistemin bankar dhe vazhdimin e stimulimit ekonomik.
Greqi
Qeveria miraton reformën e debatuar të pensioneve
Qeveria greke ka miratuar reformën e diskutueshme të pensioneve edhe pse pati reagime që e kundërshtonin atë. Ministri i Punës, Andreas Loverdos deklaroi pas mbledhjes së kabinetit në Athinë, se është vendosur që të shkurtohen pensionet, të rritet mosha e daljes në pension në 65 vjeç, si edhe të rritet numri i viteve të kontributit për pensionin me 40 vite. Qeveria socialiste përmbush kështu një kusht themelor të paketës së shpëtimit prej 110 miliardë eurosh të FMN-s dhe BE-së. Parlamenti grek pritet ta miratojë reformën ditën e martë. Sindikatat greke ndërkohë kanë bërë thirrje për një grevë 24-orëshe këtë ditë.
SHBA
Ish-nënpresidenti Dik Çenei shtrohet në spital
Një zëdhënës i Dik Çeneit tha se ish-nënpresidenti ishte shtruar në spital pasi nuk ndjehej mirë. Çenei, i cili ka një histori të gjatë me probleme zemre, u shtrua në spitalin “George Ë////Uashington” për të bërë disa analiza. Zyra e tij tha se pritet që Çenei të qëndrojë në spital për disa ditë.
Ish-nënpresidenti amerikan ka kaluar pesë goditje në zemër, të parën në vitin 1978 kur ai ishte vetëm 37 vjeç. Goditjen e fundit në zemër e kaloi shkurtin e kaluar. Në vitin 2001, Çeneit ju vu një pajisje në zemër për të monitoruar zemrën.
Gjermani
Fillon fushata e kandidatëve për president
Kandidati i Partisë Socialdemokrate dhe Të gjelbërve për postin e presidentit gjerman, Joachim Gauck ka paralajmëruar se shoqëria po ndahet në "konsumatorë dhe qytetarë". Shumë vetë vërtet bëjnë zgjedhjen, por votojnë "për artikuj konsumi", jo për partitë dhe idetë politike i tha Gauck, gazetës "Neuer Osnabrücker Zeitung".
Drejtuesi për disa vite i autoritetit gjerman të dosjeve të Shtazit ka dhënë idenë e dhënies së lëndës së demokracisë në shkolla dhe ka mbrojtur idenë e referendumit sipas modelit zviceran. Ulf, bëri të ditur, se në rast të zgjedhjes së tij do të angazhohej për një ndarje më të qartë nga njëra-tjetra, të partive, politikës dhe shtetit.
Rripi i Gazës
Izraeli lejon ministrat e jashtëm të BE-së për një vizitë
Ministri i Jashtëm gjerman, Guidio Uestervelle ka pranuar ftesën e Izraelit të udhëtojë në Gaza së bashku me disa ministra të Jashtëm të BE-së. Në kuadër të një vizite në Rumani, ministri i Jashtëm gjerman është shprehur, se ka folur për këtë me homologun e tij italian. Ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Lieberman i kishte propozuar papritur, kolegut të tij, Franko Fratini që së bashku me një delegacion të BE-së të vlerësojë gjendjen humanitare në zonën autonome palestineze. Uestervelle u shpreh se me zbutjen e bllokadës për Rripin e Gazës, Izraeli "i ka hapur udhë ndryshimit të politikës për çështjen e Gazës".
Afganistan
Policia fajëson talibanët për vrasjen e 11 civilëve
Policia afgane njoftoi se në pjesën qendrore të vendit janë gjetur 11 trupa të civilëve, që u ishte hequr koka. Policia fajëson talibanët për ekzekutimin e tyre. Kryengritësit islamikë thuhet se u heqin kokat atyre që dyshojnë se “spiunojnë për forcat afgane dhe ndërkombëtare”. Ndërkohë, NATO-ja njoftoi se dy ushtarë të saj kanë humbur jetën në sulme të ndara në pjesën jugore dhe lindore të Afganistanit, ndërsa një ushtar i Aleancës ka ndërruar jetë pas plagëve të marra nga sulmi i një dite më parë. Në javët e fundit, talibanët kanë forcuar revoltën, pavarësisht pranisë së 140,000 ushtarëve ndërkombëtarë.
28 Qershor 2010