E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani 2006: Italia, me 4 yje ne Berlin

Jeton Stamolla (Panorama Sport) - Italia shpallet kampione e botës për të katërtën herë në Berlin më 9 korrik të vitit 2006. Kombëtarja e drejtuar nga Marçelo Lipi i theu të gjitha parashikimet, duke gjunjëzuar vendasit e Gjermanisë në gjysmëfinale dhe francezët e udhëhequr nga Zidani në finale, nga pika e bardhë e penalltive. Himni italian u këndua në Berlin, ashtu sikundër kishte ndodhur në Botërorin e vitit 1990, kur Gjermania triumfonte në Romë kundër Argjentinës së Maradonës. Të kaltrit shtojnë edhe një tjetër yll në fanellën e tyre, tashmë 4. Por gjithsesi, ky Botëror nuk ishte vetëm një sukses italianët, por për të gjithë futbollin, pasi solli risi të shumta, përfitime ekonomike stratosferike për kombin gjerman dhe shumë spektakël për sportdashësit.

Botërori – Ky edicion nisi ashtu sikurse të gjithë e kishin parashikuar. Të gjitha favoritet kaluan lehtësisht fazën e grupeve, me përjashtim të Francës, finaliste, e cila edhe pse në një grup të dobët me Korenë e Jugut, Zvicrën dhe Togon. “Gjelat” kualifikohen të dytët pas helvetëve, por më pas, skuadra e Domenekut do të ishte magjike në të gjitha ndeshjet e tjera. Ashtu sikurse faza e grupeve, edhe faza e 1/8 shkoi pa surpriza, me përjashtim të Ukrainës, e cila edhe pse ishte debutuese në këtë kompeticion, mahniti duke shkuar deri në çerekfinale, kur mundej me rezultatin 3-0 nga Italia. Gjermani avanconte e sigurt, Brazili, Anglia dhe Franca, po ashtu. Argjentina u kualifikua për në çerekfinale me vështirë, kur përballë Meksikës i duhej të luante edhe 30 minuta të kohës shtesë për të fituar. Italia, siguroi çerekfinalet me një penallti të dyshimtë të fituar nga Groso kundër Australisë dhe të realizuar nga Toti, ndërkohë që Portugalia eliminonte Holandën, pas një ndeshjeje shumë të tensionuar.

Faza finale – Italia ishte më fatlumja në këtë fazë, pasi gjente përballë Ukrainën. Ndërkohë, çiftet e tjera ishin Gjermani-Argjentinë, Angli-Portugali dhe Brazil-Francë. Normalisht që italianët u kualifikuan lehtë, 3-0, ndërkohë, disi e papritur, por shumë e merituar ishte fitorja e Francës 1-0 kundër Brazilit. Ndërkohë, Gjermania dhe Portugalia fituan biletën për në gjysmëfinale, pas goditjes së penalltive kundrejt Argjentinës dhe Anglisë. Në gjysmëfinale, Gjermania dhe Italia dhurojnë 120 minuta spektakli, por golat e Grosos dhe Del Pieros në dy minutat e fundit të shtesës së dytë i dhurojnë ekipit të Lipit finalen. Ndeshja tjetër mes Portugalisë dhe Francës vuloset nga një penallti e Zinedin Zidanit që në pjesën e parë dhe ashtu përfundon. Italia dhe Franca rigjejnë njëra-tjetrën pas finales së Evropianit të vitit 2000. Por këtë herë të kaltrit do të fitonin, edhe nga pika e 11-metrave madje, nga ku Franca i kishte eliminuar Del Pieron me shokë nga Botërori i vitit 1998, pasi “zbulimi” Groso shënonte penalltinë vendimtare, ndërkohë që Trezege humbte atë për “gjelat”. Ky Botëror nuk mund të mbyllej më turpshëm për Zinedin Zidanin, i cili në minutën e 109-të, godet me kokë Materacin dhe përjashtohet me karton të kuq.

Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Marte, 08 Qershor 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›