Meksike 1986: Argjentina dhe Zoti Maradona

Fation Shehu (Panorama Sport) - Për herë të parë në historinë e futbollit, një vend për të dytën herë mori përsipër të organizonte një Botëror futbolli. Kjo ishte Meksika. Dhe jo sepse paraqiti kandidaturë, po sepse Kolumbia që kishte marrë organizimin e tij, u tërhoq. Pas periudhave me trazira e tension, një frymë paqeje po frynte në kontinentin e Evropës dhe Amerikës. Kjo vinte prej Bashkimit Sovjetik, ku Gorbaçovi po niste një politikë të re me Perestrojkën dhe Gllastnostin që do të sillnin pas katër vjetësh ndryshime kaq të mëdha në vendet e Lindjes.
Para kohe
Të papriturën e parë në Botërorin meksikan e shënoi Italia, kampionia e botës në fuqi, e cila, pasi kishte dalë në çerekfinale, u eliminua lehtësisht nga Franca e Platinisë. Nëpër një kalvar të vërtetë kaloi RF e Gjermanisë, e cila mezi u kualifikua në gjysmëfinale, pasi mposhti Marokun 1 - 0. Anglia, e lëkundur si barkë në grupin e vet nga takimet me Portugalinë 0-1, Marokun 0-0, shpërtheu befasisht duke mundur 3-0 Poloninë e mplakur të Boniekut me tri gola të “topçiut” Lineker. E përsëriti këtë sukses me të njëjtin rezultat dhe në çerekfinale me Paraguain. Në takimin me B.Sovjetik, belgët fituan 4-3 me dy gola në pozicione të dyshimta jashtë loje të Skifos dhe Kulemansit. Të papriturën më të madhe e shënoi Spanja në takimin me Danimarkën, e cila nisi si një shëtitje e lehtë për danezët pas golit të E.Olsenit dhe u mbyll me katastrofën e tyre të plotë 5-1, ku katër gola i shënoi Butragenjo. Në çerekfinale tri nga katër takimet; Francë - Brazil, RF Gjermane – Meksikë dhe Belgjikë – Spanjë u zgjidhën pas shtesës së lojës në 11-metërsh. Argjentina fitoi 2-1 kundër Anglisë, pas golit të parë të shënuar me dorë nga Diego Armando Maradona, i cili u quajt edhe “dora e Zotit”.
Finalja
Pas fitoreve të pastra në gjysmëfinale ndaj Francës e Belgjikës, RFGJ dhe Argjentina u ndodhën në finale. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për argjentinasit, pas golit të Braunit që shfrytëzon një gabim të rëndë të portierit kundërshtar, Shumaker. 11 minuta pas fillimit të pjesës së dytë kur Valdanoja shënoi përsëri, u duk se fitorja e argjentinasve ishte tashmë një aksiomë. Befas gjithçka mund të ishte përmbysur në 14 minutat e fundit, gjatë të cilave gjermano-perëndimoret shënuan dy herë me anë të Rumeniges dhe Fëlerit. Po në tri minutat e fundit shpresat e trajnerit Bekenbauer për fitore i rrëzoi Burrucaga. Kështu Argjentina e Maradonës, pas katër vjetësh, u shpall përsëri kampione e botës.
Skandali
Vjedhja, ankesat dhe
rebelimi i portugezëve
Kombëtarja portugeze ka qenë pjesë e një skandali të gjatë në Kupën e Botës së vitit 1986. Ata u nisën drejt kompeticionit mes shumë probleme. Në fillim, Veloso rezultoi pozitiv për përdorim dopingu, një ditë para nisjes. Më pas, udhëtimi ishte i lodhshëm dhe i gjatë, pasi ndaluan në Frankfurt dhe Dallas, para se të shkonin në Meksikë. Drejtuesit e ekipit kombëtar i kushtuan shumë vëmendje lartësisë ku do zhvilloheshin ndeshjen dhe e sistemuan ekipin në qytetin e Saltilos. Duke qenë se Vegasi nuk ishte shumë larg, lojtarët e kombëtares kërkuan leje që të shkonin për të bërë “shopping”, por drejtuesit nuk i lanë. Në një situatë të tillë, ata i dhanë të gjitha paratë nipit të një politikani, i cili ishte i deleguar në atë qytet, në mënyrë që të shkonte në Vegas dhe të blinte gjërat që ata donin. Gjithsesi, ai shkoi, por nuk u kthye më asnjëherë, duke përvetësuar të gjitha paratë. Këtu nisën edhe pakënaqësitë mes futbollistëve, të cilët patën shumë probleme edhe me njeri-tjetrin. Më pas, lojtarët u rebeluan për faktin se detyroheshin të vishnin veshje me logon e “Adidasit” dhe një firmë birre, “Kristal”, por nuk paguheshin për këtë gjë. Rebelimi i tyre arriti gjer në atë pikë, sa nuk pranonin as të stërviteshin si duhet. Madje, gjatë një miqësoreje të organizuar me një ekip vendës, lojtarët nisën të talleshin. Madje, sulmuesi Diamantino jepte intervistë për median, ndërsa zhvillohej ndeshja. Në ndeshjen e parë të grupit, kundër Anglisë, pritej që këta të fundit të përfitonin nga situata dhe të kryenin formalitetin. Mirëpo, një gol i Karlos Manuel u dha suksesin portugezëve me rezultatin 1-0. Në ndeshjen e dytë, portieri Bento pësoi një dëmtim të rëndë dhe vendin në formacion e zuri Damas, një nga portierët më të mirë në historinë e Portugalisë. Por, ky e priti mjaft keq dhe kaloi në depresion. Një aventurë që përfundoi në fazën në grupe, por që më shumë ishte e mbushur me incidente për portugezët.
2.54
gola për ndeshje ishte mesatarja e Botërorit të zhvilluar në Meksikë, pasi në 52 ndeshje u shënuan 132 gola, duke qenë një kompeticion me produktivitet të lartë.
2
milionë e 393 mijë e 331 persona ishte numri i saktë i atyre që blenë një biletë për të parë në stadium ndeshjet e Botërorit 1986, me një mesatare prej 46.026 spektatorësh për çdo përballje.
Rekordi i Batistës
Mbrojtësi uruguaian Hoze Batista ka shkruar emrin e tij në rekordin e botëroreve të futbollit, edhe pse jo për diçka pozitive. Në ndeshjen kundër Skocisë, ai shkaktoi një ndërhyrje shumë të ashpër ndaj Gordon Strahan, duke dalë nga fusha me karton të kuq pas vetëm 55 sekondash. Ky është kartoni i kuq më i shpejtë në historinë e Kupës së Botës.
Surpriza e Marokut
Maroku rezultoi surpriza e kompeticionit, pasi ishte i pari ekip afrikan që arriti të kalojë fazën në grupe. Madje, ata mundën edhe të kualifikohen si kryesues të grupit. Gjithsesi, përballë RF Gjermane në 1/8-at nuk ia dolën dot, duke u mundur kësisoj me rezultatin 0-1, pas një goli të shënuar nga Lotar Mateus për ekipin kundërshtar.
Goli
“Dora e Zotit”, episodi
më i famshëm i Botërorit
Ishte ylli i futbollit në atë periudhë kohore, por sjellja e tij jo e mirë dhe madje disa incidente që kishte pasur, bëri që në Argjentinë të kërkohej që Maradona të mos grumbullohej me ekipin kombëtar. Trajneri Karlos Bilardo u doli kundër të gjithë kritikëve, duke deklaruar se Diego do ishte pa diskutim në skuadrën e tij dhe ky rezultoi një nga vendimet e tij më të mira. Maradona arriti që me golat dhe “dorën” e tij ta çonte skuadrën drejt triumfit. Në ndeshjen kundër Anglisë, e vlefshme për çerekfinalet e Botërorit, argjentinasit fituan me rezultatin 2-1. Gjithsesi, goli i parë i shënuar nga Maradona është bërë edhe më i famshmi në histori. Pas një krosimi në zonë, portieri anglez Shilton doli për të grushtuar topin. Por, në dyluftim, Maradona e goditi topin me dorë, duke e devijuar atë për në rrjetë. Arbitrat nuk e panë dhe e cilësuan si të rregullt. 1-0 për Argjentinën, edhe pse anglezët protestuan gjatë. Ai gol u quajt edhe “Dora e Zotit”. Duke përfituar nga nervozizmi i kundërshtarit, “Pibe D’or” shënoi edhe golin e dytë katër minuta më pas. Një fitore e madhe e kombëtares së tij, pasi eliminuan një kundërshtar shumë të fortë. Diego shënoi edhe një dopietë në gjysmëfinale ndaj Belgjikës. Në fund Argjentina arriti të fitojë Kupën e Botës në Meksikë, duke mundur RF Gjermane në finale, ndërkohë që Maradona fitoi çmimin si lojtari më i mirë i kompeticionit.
Lineker
“Këpuca e Artë”
e kompeticionit
Sulmuesi i Kombëtares angleze, Geri Lineker, nuk mundi dot të gjejë rrugën e rrjetës në dy ndeshjet e para. Gjithsesi, ai arriti të dalë golashënuesi më i mirë i kompeticionit. Tre gola kundër Polonisë, dy kundër Paraguajit dhe një kundër Argjentinës mjaftuan që ai të lërë pas vetes me 5 gola Maradonën, Karekën dhe Butragenjon. Ky i fundit zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme ndaj Danimarkës në 1/8-at, pasi e gjeti rrugën e rrjetës katër herë, në fitoren me rezultatin 5-1. Botërori i Meksikës dhuroi një mesatare të lartë golash, ndërkohë që katër ndeshje iu drejtuan gjuajtjeve të 11-metërshave për të vendosur fituesin mes tyre.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Marte, 08 Qershor 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili