E Diel, 1 Nëntor 2026

Spanjë 1982: Italia, tripletë e kaltër

Fation Shehu (Panorama Sport) - Kur gjykon se italianët triumfojnë jo vetëm pas 44 vjetësh, por dhe kur në Botërorin spanjoll marrin pjesë për herë të parë jo 16, po 24 skuadra, bindesh se djemtë e Bearxotit me Rosin në krye, kanë të drejtë të krenohen. Ky botëror nis dy ditë pasi ka përfunduar lufta midis Argjentinës e Britanisë së Madhe për ishujt Malvine. Në këtë luftë fitojnë anglezët, po kjo nuk i frymëzon dot futbollistët e tyre të fitojnë në Spanjë, ku në gjysmëfinale u hapin rrugë gjermano-perëndimorëve. E njëjta gjë ndodh me argjentinasit që gjunjëzohen, ashtu si dhe brazilianët, përpara Paolo Rosit, i cili shënon 4 nga të pesë golat e këtyre ndeshjeve.

Europa

Në këtë botëror më e privilegjuar është Evropa me 13 skuadra, veç Spanjës si vend organizues. Amerika përfaqësohet me 4 skuadra, dy të Amerikës Qëndro-veriore dhe Karaibeve, dy të Azisë dhe Oqeanisë dhe dy të Afrikës. Mungon Holanda, dy herë nënkampione e botës e eliminuar në ndeshjet në grup, ku do të triumfojë Franca dhe Belgjika, dhe rikthehet në skenën e botëroreve Anglia, ndonëse në vendin e dyte në grup pas Hungarisë duke lënë pas Rumaninë dhe Zvicrën.

Italia

Për argjentinasit sahati i keq nis që në ndeshjen inauguruese me Belgjikën. Keq u shkojnë punët dhe Rumeniges me shokë që humbasin në grup me Algjerinë, edhe ata që në takimin e parë (2 - 1). Dhe nëse kualifikohen, duke e rehabilituar plotësisht veten e tyre, kjo ndodh pas fitores kundër Austrisë (1 - 0) të vendosur pas një marrëveshjeje të pashpallur në dëm të Algjerisë. Ndërsa Italia barazon të tria ndeshjet në grup dhe kualifikohet në raundin e dytë vetëm prej golavarazhit. Një start me shumë vështirësi për ata që më pas do fitonin trofeun. RF Gjermane, e cila pa shumë telashe lë pas grupin tjetër Argjentinën, Spanjën, e mrekullisht kualifikohet në finale pasi mposht Francën e Platinisë, madje dhe me shtesë loje dhe me 11-metërsh.

Finalja

Kështu në finale ndeshen Italia e Rosit me RFGJ të Rumeniges. Italianët janë në fillim nervozë, aq më tepër që humbasin Gracianin të zëvendësuar pas 7 minutash nga Altobeli. Një takim që nuk premton një finale të denjë. Veç kësaj Kabrini humbet një 11-metërsh. Në ndonjë rast tjetër italianët dhe do të ishin dorëzuar. Po jo në këtë finale. Ne 56’ shënon Rosi, në 69’ dyfishon rezultatin Tardeli pas një aksioni koral dhe në 80’ çimenton fitoren Altobeli. Presidenti italian Bertini i drejtohet mbretit spanjoll Huan Karlos pranë tij në tribunën e nderit me këto fjalë: “Gjermanët nuk mund të na arrijnë”. Dhe kështu ndodh. Ata kanë kohë të shënojnë vetëm golin e ngushëllimit me anë të Brajtnerit dhe atë me 11-metërsh, 7 minuta para mbarimit. Italia për të tretën herë është Kampione e Botës.

Italiani
Paolo Rosi, idhulli
i Kupës së Botës 1982

Edhe sikur të mos luante në Botërorin e vitit 1982, Rosi do të mbetej po aq i madh sa çka mbetur në historinë e futbollit. Lindur në Prato më 1956, fillon si çdo fëmijë të luajë futboll, derisa më 1972 ndodhet midis të rinjve të Juventusit. Në fillim padronët e Juves nuk kanë besim tek Rosi kështu në tetor të vitit 1975 ai kalon tek Komo e më pas te Viçenca. Këtu shpërthen talenti i tij. 21 gola në 36 ndeshje ndikojnë që kjo skuadër të ngjitet në Kategorinë e Parë. Më 1981 Juventusi, arrin ta shtjerë në kthetrat e veta. Në botëror, me 6 golat e tij bëhet golashënuesi më i mirë. Ai ishte pa diskutim ylli i Kupës së Botës së zhvilluar në Spanjë. Arriti të shënojë për të kaltrit në ndeshjet më të rëndësishme, tre gola ndaj Brazilit, dy gola ndaj Polonisë në gjysmëfinale dhe një gol ndaj RF Gjermane në finale. Është në kulmin e famës e paratë nuk i mungojnë. Po është dhe në kulmin e jetës së tij sportive, që do të vazhdojë me një shungullimë të fortë dhe disa vite të tjerë në radhët e Juves. Provoi edhe një sezon te Milani, por pa shumë sukses. U tërhoq nga futbolli në moshën 31- vjeçare me skuadrën e Veronës. Aktualisht është zëvendës president i klubit amator të Peskina Vale del Xhiovenko.

Ndeshja
Skandali i RF Gjermane-Austri
dhe thirrjet: Puthje, puthje

Ndeshja mes RF Gjermane dhe Austrisë është një nga njollat e shëmtuara të botës së futbollit, në këtë mënyrë është trajtuar gjithnjë nga opinioni sportiv. Ajo është përfolur për një pakt të arritur mes dy skuadrave, që e përfunduan ndeshjen me një rezultat që i favorizonte. Kombëtarja e Algjerisë ishte zbulimi i Botërorit të Spanjës, e cila fitoi ndaj RF Gjermane që në ndeshjen e parë e madje duke dhuruar një futboll të një niveli të lartë. Në ndeshjen e fundit të fazës në grupe, atyre u mjaftonte një fitore ose një barazim i Austrisë, ose një humbje e austriakëve me më shumë se tre gola në përballjen kundër RF Gjermane. Në këtë mënyrë, ata siguronin kualifikimin për në fazën tjetër. Gjithsesi, ndeshja përfundoi me rezultatin 1-0 për gjermanët. Hrubesh shënoi pas vetëm dhjetë minutash lojë dhe vetëm kaq mjaftoi për këtë ndeshje, kur të dyja skuadrat dhuruan teatër në fushën e lojës. Dyluftime false dhe një lojë që dukej qartë se ishte pjesë e një pakti të arritur para ndeshjes. Rezultati 1-0 i jepte shansin të dy ekipeve kombëtare që të siguronin kualifikimin. Të gjithë të pranishmit në stadium filluan të thërrasin në kor “Puthje, puthje...”, duke ironizuar me lojën e dobët dhe marrëveshjen që ishte arritur. Në fund, ishte Algjeria ajo që e pësoi. Edhe pse protestoi, nuk arriti të zbulojë asgjë...

RF Gjermane-Francë
Ndërhyrja e ashpër e
Shumakerit ndaj Batistonit

Ndeshja gjysmëfinale mes RF Gjermane dhe Francës dhuroi një rivalitet të fortë, gjashtë gola dhe mbi të gjitha u vulos vetëm pas gjuajtjeve të 11-metërshave. Gjithsesi, ajo që ka mbetur më shumë në mendje nga kjo përballje, ka qenë ndërhyrje e ashpër e portierit gjerman Harald Shumaker ndaj sulmuesit francez, Patrik Batiston. Ky i fundit ra në tokë pa ndjenja, me dy dhëmbë të thyer dhe frakturë të rëndë në kokë. “Me atë veprim jam shndërruar në njeriun më të urryer në botë. Mora kërcënime me jetë dhe të gjithë më kanë kritikuar. Sigurisht që nuk desha të shkonte në atë mënyrë”, u shpreh Shumakeri pas 25 vitesh, duke kërkuar sërish falje për atë që ndodhi.

Goli
Presioni i sheikut në
ndeshjen Francë-Kuvajt

Një episod që nuk mund të harrohet lehtë ka ndodhur edhe në përballjen mes Francës dhe Kuvajtit. Francezët po dominonin në fushën e lojës, duke fituar me rezultatin 3-1. Në minutën e 80-të, Alen Zhires shënoi edhe golin e katërt për “gjelat” pas një gabimi të mbrojtjes kuvajtiane. Sheiku Fahd Al-Ahmd Sabah protestoi ashpër për parregullsi të këtij goli, aq sa zbriti në fushën e lojës dhe debatoi ashpër me arbitrin rus të ndeshjes, Stupar. Pas rreth dhjetë minutash debat, arbitri vendosi të anulojë golin dhe ajo ndeshje përfundoi me rezultatin 3-1. “Mafia është e lidhur me krerët e FIFA-s. Nuk dua të merrem me këtë çështje. Nuk e detyrova unë arbitrin. Ai e anuloi vetë golin, pasi ishte i bindur që nuk ishte i rregullt”, tha sheiku pas ndeshjes.

Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Marte, 08 Qershor 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›