E Shtunë, 31 Tetor 2026

Motrat me zinxhirë, strehë në Psikiatrikun e Shkodrës

 

PESHKOPI/ HASAN PASHA

Pas 24 orësh qëndrimi në spitalin e Peshkopisë, dy motrat nga Maqellara u strehuan dje në psikiatrinë e Shkodrës. Thëllënxa e Fidane Keshi pas 22 vitesh të izoluara e të lidhura me zinxhir nga i ati, më në fund do të kenë një përkujdesje nga specialistët. Të shoqëruara nga babai ato u dërguan fillimisht në një nga pavijonet e spitalit të Peshkopisë. Mjekët i kanë ushqyer dhe më pas ato janë qetësuar me medikamente të ndryshme. Drejtuesit lokalë të spitalit kanë urdhëruar të bëjnë kujdes që vajzat të mos largoheshin nga spitali, ndërkohë në dhomën ku ato janë strehuar deri dje rreth orës 14.00 ka qëndruar edhe babai i tyre, Hajredin Keshi. “Kemi përdorur valium e qetësues të tjerë, ndërkohë vajzat nuk kanë paraqitur probleme për mjekët dhe stafin ndihmës”, bënë të ditur burime pranë spitalit të Peshkopisë. Ato janë veshur me rrobat e spitalit dhe nuk kanë paraqitur probleme për punonjësit. Infermierja e fshatit dhe fqinjët e dy motrave që u tha se kanë qëndruar të lidhura me zinxhirë për 22 vjet kanë pohuar për oficerët e policisë gjyqësore se “vajzat nuk kanë qenë agresive dhe nuk kanë kërcënuar askënd”, duke ia lënë zbardhjen e të vërtetës organit të prokurorisë. Burime të sigurta policore sqarojnë për “Panorama” se sot do të dorëzohet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër çështja penale në ngarkim të Hajredin Keshit, 70 vjeç për “heqje të paligjshme të lirisë së personit”. Burime të rezervuara policore nuk përjashtojnë mundësinë e një stimulimi nga ana e babait të vajzave. “Është shpejt për të thënë se ngjarja është plotësisht e vërtetë apo e sajuar nga Keshi. Ne jemi në fazën e grumbullimit të dëshmive nga të afërmit e vajzave të prangosura, specialistët e shëndetësisë dhe inspektori i rendit në zonën e Maqellarës. Do të jetë organi i akuzës ai që do të saktësojë të vërtetën e kësaj ngjarjeje të rëndë”, pohojnë ata. Po dje, babai i tyre është dashur të mbrohet, duke thënë se i lidhte vajzat në bazë të punëve që kishte. Kur ai largohej nga shtëpia i lidhte në këmbën e divanit ose jashtë, në huret e oborrit. I ati i vajzave është rikthyer në banesën e tij në Bllatë të Poshtme i porositur të mos largohet nga vendlindja pasi do t’i duhet të paraqitet në polici dhe prokurori sa herë ata do ta kërkojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›