E Diel, 1 Nëntor 2026

Polici kanos me armë mjekun roje

 

KUKES - Mjeku roje i spitalit rajonal të Kukësit është kërcënuar me pistoletën e punës nga një polic i paraburgimit për shkak të pretendimeve të tij për shërbimin ndaj motrës së sëmurë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës, kur sipas denoncimit të bërë nga mjeku i njohur në qytet, Mark Nufi, polici i ka drejtuar dhe armën. Nga burimet zyrtare të policisë bëhet e ditur se Nufi ka depozituar në komisariatin e Kukësit një denoncim ndaj policit Afrim Kastrati, 24 vjeç. Ky i fundit ndiqet në gjendje të lirë, pasi nuk e ka pranuar akuzën e kanosjes për shkak të detyrës. Sipas policisë, incidenti u shënua kur Kastrati shoqëronte në spital një motër të tij të sëmurë. Bazuar te denoncimi, duke pretenduar se nuk po i shërbehej siç duhej, i riu ka nxjerrë armën e punës, duke përhapur panik. Mjek roje ishte Nufi, njëkohësisht shefi i pavijonit të Epidemiologjisë. I pyetur para eprorëve të tij, 24-vjeçari e ka mohuar këtë ngjarje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›