Italianët e Akuilas leksione për tërmetet
SHKODER - Tërmetet e fatkeqësitë e tjera natyrore kanë qenë dje objekt diskutimi gjatë një seminari të organizuar në Shkodër nga prefektura dhe Drejtoria e Emergjencave Civile. Specialistë të Departamentit Mbrojtës të shtetit fqinj, Italisë sollën eksperiencën e tyre të përballimit të situatave të tilla, duke përmendur si shembull tërmetin e këtij viti në Akuilas. “Duke qenë se ne nuk jemi në gjendje të parashikojmë se kur do të kemi tërmete apo fatkeqësi natyrore, detyra e jonë është që të ndërtojmë paraprakisht struktura të afta për të menaxhuar në mënyrë pozitive situata të tilla”, u theksua në seminarin e djeshëm. Krahas drejtuesve të prefekturës, ishte edhe drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile Alfred Olli, specialistë të Departamentit të Mbrojtjes dhe të Emergjencave Civile të Italisë, specialistë të fushës së ndërtimeve dhe të sizmikës, etj.