Gjykata hap procesin “Gërdeci”
Armand Bajrami
Gjykata e Tiranës deklaroi të hapur dje procesin gjyqësor ndaj të akuzuarve të prokurorisë si shkaktarë të shpërthimit të 15 marsit 2008 në Gërdec. Pas disa seancash të dështuara, përfaqësuesit e prokurorisë lexuan të plotë para togave të zeza aktakuzën për 29 të pandehurit e dosjes, një prej të cilëve personi juridik, shoqëria “Albademil”. Në 108 faqe material, organi i prokurorisë “radhiti” akuzat që rëndojnë mbi të pandehurit dhe deklaroi se shpërthimi që shkaktoi 26 të vdekur dhe 300 të plagosur kishte ardhur si rezultat i një gabimi njerëzor. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, që deri para një vendimi të Gjykatës së Lartë ishte i pandehur në këtë dosje, përmendej në aktakuzë vetëm si “shtetasi Fatmir Mediu”. Në seancën e djeshme gjykata rrëzoi dymbëdhjetë nga katërmbëdhjetë kërkesat paraprake të mbrojtësve. Mes kërkesave të rrëzuara ishin kërkesat për pavlefshmërinë e vendimit të dërgimit të dosjes në gjykatë, pavlefshmërinë e kërkesës për gjykim, pavlefshmërinë e akt-ekspertimeve ekonomiko-financiar, aktekspertimit tekniko-ushtarak si edhe kërkesën e të pandehurit Ylli Pinari, për një gjykim me dyer të mbyllura.
AKT-AKUZA
Për shkak të volumit të madh të saj, paraqitja e kërkesës për gjykim i kushtoi disa orë prokurorëve të çështjes. Referuar akt-akuzës katër të arrestuarit e kësaj dosjeje, Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli, Ylli Pinari dhe Sokol Gjeci akuzohen për “vrasje masive në bashkëpunim. Ndërsa mbi ish-ushtarakët e pandehur, mes të cilëve edhe ish gjeneralë, rëndon akuza e “shpërdorimit të detyrës” me pasojë vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e qindra të tjerëve. Përzgjedhja e fshatit Gërdec si vend demontimi, si edhe mbështetja me mjete ushtarake që i është dhëne kompanisë së drejtuar nga Delijorgji për demontimin e predhave është cilësuar nga prokuroria si ndërmarrje në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën nga ana e ushtarakëve të lartë të pandehur në proces.
Ndërsa për shkaqet që çuan në shpërthimin e fabrikës së demontimit të municioneve, prokuroria pohoi se ishte një gabim njerëzor, nga rënia e shkëndijave të një saldimi mbi një sasi baruti.
aktakuza
- Plot 391 dëshmitarë do të thirren nga organi i prokurorisë në sallën e gjyqit për të dhënë shpjegime në lidhje me dijeninë e tyre në lidhje me ngjarjen e Gërdecit. Bëhet e ditur se ish- ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu nuk është pjesë e kësaj liste.
- Sipas prokurorisë kontraktimi i kompanisë amerikane SAC (Southern Ammunition Company) nga kompania shtetërore MEICO ishte e paramenduar. SAC, sipas prokurorisë do të përdorej si fasadë për të kamufluar shkeljet e ligjit.
- Caktimi i Gërdecit, si vend i ndërtimit të fabrikës së demontimit të armëve dhe municioneve është bërë në kundërshtim me ligjin dhe pa studimet e duhura për përcaktimin e rrezikshmërisë në rastet e ngjarjeve të jashtëzakonshme.