Klinton në Pakistan, në Peshawar vriten 100 vetë
Një makinë bombë ka shpërthyer në qytetin e Peshawar-it në veriperëndim të Pakistanit, duke vrarë të paktën 100 vetë dhe qindra të tjerë kanë mbetur të plagosur. Ngjarja ndodhi ndërsa në kryeqytetin Islamabad, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, po kryente një vizitë zyrtare. Dyqanet në zonën e shpërthimit u përfshinë nga flakët dhe një ndërtesë ra. Ndërkohë që mendohej se militantët talibanë ishin autorë të këtij sulmi, ata e kanë mohuar autorësinë. Sulmet ndodhën ndërkohë që ushtria pakistaneze vazhdon ofensivën kundër kryengritësve talibanë në Uaziristanin Jugor. Sekretarja Klinton e quajti betejë sfiduese kundër grupeve të pamëshirshme militante ndërhyrjen e i ushtrisë pakistaneze. Ajo tha se donte të siguronte popullin pakistanez se lufta në të cilën ishin përfshirë ata nuk ishte vetëm luftë e tyre. Edhe në Afganistan militantët sulmuan një shtëpi në qendër të Kabulit duke vrarë pesë anëtarë të përfaqësisë së Kombeve të Bashkuara. Shtëpia e Bardhë i ka dënuar sulmet në Pakistan dhe në Afganistan dhe ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave.