Të fortë edhe në Superligë

Ferronikeli në edicionin e fundit ishte skuadra më e fortë në Ligën e Parë, dhe me plot meritë arriti të inkuadrohet në Superligë si lider i tabelës. Ky sukses i Ferronikelit sikur i shtoi apetitet te drejtuesit e klubit nga Drenasi për të kërkuar edhe suksese të tjera, madje tash e tutje në Superligë.
Me të përfunduar edicioni i kaluar, drejtuesit e klubit vendosën që trajnerin Musa Selimi ta shpërblejnë me vazhdim të kontratës, për faktin se i kishte inkuadruar në Superligë. Me vazhdim të kontratës ishin shpërblyer thuajse edhe të gjithë futbollistët që e kishin bartur barrën kryesore të Ferronikelit.
Madje, gjelbërezinjtë nuk u ndalën me kaq. Ata peshkuan edhe në klubet e tjera të Superligës, prej të cilave bënë përforcime të forta. Fjala është për Fatih Karahodën, (Vëllaznimi), Rexhep Sogojevën (Hysi), Fidan Gërbeshin (Drita), Sylvester Amben (Trepça ’89), Rafet Mullallarin (Vëllaznimi), Faton Malokun (Gjilan) e Visar Haklajn (Besa).
Këto përforcime sigurisht që e kanë kënaqur Musa Selimin, por kjo nuk do të thotë që ai tash e tutje nuk do t’i lërë pas dore ata futbollistë që e kishin ngjitur Ferronikelin në Superligë.
“Ne e kemi ruajtur ‘skeletin’ e ekipit. I kemi mbajtur lojtarët kyçë dhe sigurisht se ata do të vazhdojnë të jenë bartës kryesorë. Ndërsa, përforcimet i kemi bërë të qëlluara. Me përforcimet ne e kemi pasuruar fondin e lojtarëve, dhe ato përforcime po komponohen mirë në ekip. E kemi një konkurrencë të shëndoshë, andaj lojtarët duhet ta dinë se nuk mund të luajnë pa e merituar, para atyre që e meritojnë”, deklaroi Selimi për Express, duke e shprehur kënaqësinë e tij edhe me formën që e ka arritur ekipi gjatë një muaji përgatitje.
“Madje, jemi ekipi i vetëm i Superligës që një fazë përgatitore, njëmbëdhjetë ditësh, e kemi zhvilluar jashtë vendit, në Strugë. Po ashtu i kemi zhvilluar shtatë ndeshje përgatitore, prej të cilave jemi nda të kënaqur. Në përgjithësi jemi të kënaqur me formën që e kemi mbërritur deri më tani në përgatitje dhe me komponimin e deritanishëm të ekipit”, shtoi ai.
Pavarësisht të gjitha këtyre, Selimi nuk beson se Ferronikeli do të mund të shtyhet me skuadra të tjera si Prishtina e Trepça ’89 për të fituar trofe. “Synimi i vetëm i yni do të jetë zhvillimi i ndeshjeve në mënyrë sa më të mirë, për t’i kënaqur me paraqitje tifozët tanë, ‘Tigrat e Zi’. Jemi skuadër e porsangjitur në Superligë, andaj do të mundohemi që mos të rrezikohemi asnjëherë për ta humbur këëtë status”, përfundoi Selimi.