E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në telashe para Moldavisë

Derisa Gianni De Biasi ka bërë të gjitha përgatitjet për ndeshjen miqësore kundër Moldavisë, Kombëtares shqiptare i ka dalë telashe pasi stadiumi ‘Qemal Stafa’ nuk ka energji elektrike. Si opsion është përmendur ndryshimi i orarit, në të kundërtën miqësorja e së mërkurës mund edhe të dështojë nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje.

Trajneri italian, Gianni De Biasi ka bërë të gjitha përgatitjet për ndeshjen miqësore që do ta zhvillojë të mërkurën kundër Moldavisë. Mirëpo, kuqezinjve u ka dalë një problem pasi stadiumi ‘Qemal Stafa’ nuk ka energji elektrike.

Sipas drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), kompania CEZ nuk i ka ofruar energji elektrike stadiumit kombëtar ‘Qemal Stafa’ duke rrezikuar zhvillimin e kësaj ndeshjeje miqësore.

“Më parë, kompania CEZ ka ndërprerë energjinë elektrike në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" për shkak të disa broxheve. Ne duhet t’u kërkojmë moldavëve ndryshimin e orarit, përndryshe rrezikon seriozisht zhvillimin e seancave stërvitore dhe takimit miqësor. Ndërkohë që edhe ndeshja e parë zyrtare me Qipron më 7 shtator 2012 rrezikohet për t’u zhvilluar në Tiranë", ka thënë sekretari i FSHF’së, Eduard Prodani.

Në anën tjetër, i shqetësuar për këtë ngjarje është edhe selektori i Shqipërisë, Gianni De Biasi. Kjo ka ardhur si rezultat i mungesës së vullnetit për të ndihmuar ekipin kuqezi në ecurinë e vet të natyrshme.

“Uroj që gjendja e krijuar të zgjidhet sa më shpejt, sepse Kombëtarja është pronë e gjithë Shqipërisë, është një reklamë shumë e rëndësishme”, ka thënë trajneri italian në konferencën për media.

Moldavia, test para eliminatoreve

Ndërkohë ish-trajneri i disa skuadrave italiane ka folur edhe për ndeshjen e së mërkurës. Ai ka paralajmëruar se pas kësaj ndeshjeje do ta formojë ekipin me të cilin do t’i nisë eliminatoret për Kampionatin botëror ‘Brazlili ‘2014’.

“Sa për takimin, është i rëndësishëm dhe shpresoj ta luajmë mirë. Do të përpiqemi të përgatitemi siç duhet edhe pse kemi pak kohë në dispozicion. Pas 3 javësh nisin eliminatoret e Botërorit, ndaj duhet të jemi gati. Kam një grup prej 30-40 lojtarësh nga të cilët duhet të zgjedh. I kam idetë e mia në kokë dhe pres përgjigjet nga futbollistët”, theksoi ai.

Për ndeshjen miqësore kundër Moldavisë, e cila do të fillojë nga ora 20:30, De Biasi ka ftuar tre emra të rinj në ekipin kuqezi dhe ata janë; Erjon Dushku, Erjon Vucaj dhe Renato Arapi.

Në skuadër për këtë përballje është ftuar edhe Ledjan Memushaj, i cili vitin e kaluar pati zhvilluar vetën dy ndeshje miqësore me Shqipërinë, derisa pas një mungese grupit do t’i bashkohet edhe Hamdi Salihi, i cili deri tash ka munguar për shkak të largësisë, pasi aktivizohet te skuadra amerikane DC United.

Ndërsa jashtë ekipit janë lënë Debatik Curri e Kristi Vangjeli, të cilët janë në fazën e rikuperimit pas lëndimeve që kishin pësuar sezonin e kaluar. Po ashtu, në ekip nuk janë ftuar dy sulmuesit kosovarë, Besart Berisha e Ahmed Januzi si dhe Gjergji Muzaka e Franc Veliu.

Kundër Moldavisë, Gianni De Biasi ka ftuar edhe dy lojtarët e rinj që debutuan me ekipin kuqezi para pak muajve. Fjala është për dyshen kosovare, portierin Etrit Berisha dhe mbrojtësin Mërgim Mavraj.

Kjo ndeshje miqësore do t’i shërbejë strategut italian që përfundimisht ta komponojë skuadrën për ndeshjet eliminatore të Kampionatit botëror ‘Brazili 2014,’ të cilat do të nisin në mesin e muajit shtator.

Alban Meha opsion për De Biasin

Në anën tjetër, De Biasi theksoi se po përpiqet bashkë me FSHF’në të zgjerojë bazën e lojtarëve me emra të tjerë dhe se për këtë do të bëhet gjithçka brenda mundësive. Fjala është për mesfushorin kosovar, Alban Meha, i cili po shkëlqen me Paderbornin në Bundesliga 2 dhe Migjen Bashën, i cili tashmë po pret FIFA’n që t’i japë dritën e gjelbër që të luajë me Shqipërinë, pasi më herët ka luajtur me ekipin U21 të Zvicrës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›