E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani/ Arrestohet i dyshuari për videon kërcënuese

Policia gjermane njoftoi sot se ka arrestuar një 25-vjeçar të nacionalitetit turk, i cili dyshohet për publikimin në internet të një videoje të organizatës terroriste al-Kaida, që kërcënonte Gjermaninë me sulme terroriste pas zgjedhjeve federale të së dielës.
Policia e qytetit jugor të Shtutgardit bënte të ditur përmes një komunikate se personi i arrestuar nuk mund të jetë përfshirë në xhirimin e videos, përmes së cilës një anëtar gjerman i al-Kaidës kërcënonte Gjermaninë me sulme terroriste pas zgjedhjeve.
"Personi i nacionalitetit turk njihet nga autoritetet si mbështetës i aktivistëve islamikë dhe ka qenë në qendër të hetimeve për disa kohë", thuhet në deklaratën e policisë.
Javën e kaluar u publikuan në internet dy video, ku një anëtar i al-Kaidës, i identifikuar nga ministria e Brendshme gjermane si Bekkay Harrach me origjinë gjermane dhe marokene, paralajmëroi "për një zgjim të frikshëm" të Gjermanisë, nëse nuk do t'i japë fund misionit në Afganistan, ku janë dislokuar 4200 trupa gjermane.
Ndryshe nga vende të tjera evropiane si Britania e Madhe ose Spanja, Gjermania nuk ka përjetuar sulme të rënda terroriste gjatë viteve të fundit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›